Ish-gazetari i luftës: Kosova nuk është delja e zezë e Evropës

Politika

Ish-gazetari i luftës: Kosova nuk është delja e zezë e Evropës

Nga: G.B Më: 26 prill 2019 Në ora: 14:14
Rexhep Shahu

Edhe pak ditë kanë mbetur nga Samiti i Berlinit, ku do të marrin pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Derisa ka pasur deklarata se në këtë Samit do të diskutohet për çështjen e korrigjimit të kufijve dhe taksën, së fundmi Haradinaj ka thënë se do të diskutohet për liberalizimin e vizave, duke e parë si një mundësi të mirë këtë Samit.

Lidhur me këtë, publicisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk e di nëse do të diskutohet për liberalizimin e vizave në Samitin e Berlinit, por e di që Kosova nuk është delja e zezë e Evropës dhe nuk duhet të ndëshkohet më.

“Unë nuk e di çfarë mund të ndodhë rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në samitin e Berlinit, por mund të artikuloj atë që e dinë të gjithë-racizmin ndaj qytetarëve të Kosovës, denigrimin ndaj tyre. Nuk është Kosova delja e zezë e Evropës që duhet të vazhdojë të ndëshkohet me mungesë të lëvizjes së lirë, me rregulla shtesë sipas oreksesh politike të burokratëve të ndryshëm në Bruksel”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, çdo politikan vizionar duhet ta pranojë se Kosova është histori suksesi e jashtëzakonshme dhe me mungesë lëvizje të lirë, Evropa po i ndëshkon qytetarët, pasi kriminelet e bosët e kanë lirinë e nevojshme.

“Në kushte normale çdo politikan vizionarë të një Evrope siç e ëndërrojmë ne, duhet të gëzohet me Kosovën, duhet ta pranojë se Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi që për dy dekada u konsolidua edhe përkundër një luftë totale serbe e jo vetëm. Me mungesë lëvizje të lirë Evropa ndëshkon qytetarët e thjeshtë të Kosovës, pasi kriminelet bosët e baronët e krimit kanë gjithë liritë e nevojshme dhe ata nuk vuajnë mungesë lëvizje”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat