A është kjo arsyeja pse shqiptarët shkuan në Siri? Kthimi i tyre sa paraqet rrezik për Kosovën?

Politika

A është kjo arsyeja pse shqiptarët shkuan në Siri? Kthimi i tyre sa paraqet rrezik për Kosovën?

Nga: N.Sh Më: 26 prill 2019 Në ora: 15:46
Shqiptarët e ISIS-it

Javën e kaluar në Kosovë janë kthyer 110 persona, shumica gra e fëmijë nga Siria.

Për shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në Siri, për gazetën “Bota sot”, flet analisti politik Fadil Lepaja, i cili vlerëson se, kjo ka ndodhur në rrethanat e një konfuzioni të përgjithshëm jo vetëm në Siri por edhe rreth saj.

“Futja në luftë dhe rritja agresive e ISIS, dhe formësimi në shtet, i gjeti aty numrin më të madh të shqiptarëve të Kosovës, të cilët me shumë gjasë kanë shkuar atje fillimisht me motive humanitare, për të mbështetur popullin sirian kundër diktaturës së familjes Asad”, thotë Lepaja.

Image
Fadil Lepaja

Por, pas gjithë kësaj, çfarë ka bërë shteti i Kosovës në parandalimin e këtyre rasteve?

Lepaja thekson se, shteti i Kosovës, me shumë gjasë është gjetur i papërgatitur, përballë këtij fenomeni, që u krijua dhe u rrit shpejt, me përfshirjen e mijëra pjesëtarëve nga pjesë të ndryshme të botës, dhe me përfshirjen e miqve ton, në anën e kundërt me diktaturën e Asad.

“Shteti dhe shoqëria jonë nuk arriti të fitojë luftën mediave, madje as luftën e ideve, për epërsinë e “shtetit hyjnor” mbi demokracinë, dhe kjo bëri që një pjesë e militantëve të promovojnë mënyrën mesjetare të jetesës dhe qeverisjes si të vetmen të virtytshme dhe të drejtë, gjithnjë duke shfrytëzuar liritë dhe të drejtat e modelit demokratit”, potencon ai.

Tashmë në Kosovë, kanë mbërritur 110 persona, e në ditët në vazhdim pritet të kthehen edhe 80 të tjerë, por a paraqesin rrezik në Kosovë pas kthimit të këtij grupi nga Siria?

“Gjithsesi, shteti, edhe pse i papërgatitur për këtë situatë, qoftë me kuadro qoftë me gatishmëri, duhet të ketë çasje të kujdesshme, që duke paragjykuar mos të shkelë parimet e humanizmit dhe ligjshmërisë, por të hetojë me kujdesë, aktivitetin e secilit të kthyer, por edhe të mbikëqyrë, procesin e risocializimit të tyre, përkatësisht kthimit në familje dhe shoqëri”, deklaron ai.

Lepaja tutje shprehet se, kthimi, pa një proces hetimi serioz, nga një hapësirë ku ka pasur shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare, të humanitetit dhe lirisë, është angazhim shqetësues për pjesën më të madhe të vendeve të BE, dhe na mbetet të shpresojmë se kthimi i tyre nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave.

“Një ftesë formale e qeverisë për disa vende të BE që kanë kapacitete hetuese, që të ndihmojë në këtë proces të kthimit dhe risocializimit, do të ishte me dobi në shumë drejtime, sidomos të krijimit të besimit në vullnetin e mirë të institucioneve tona që ti qasen seriozisht këtij problemi të mprehtë”, përfundon Fadil Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat