Fadil Kajtazi tregon rrezikun për Mitrovicën e veriut: Ja arma që kanë në duar Vuçiqi dhe Daçiqi

Politika

Fadil Kajtazi tregon rrezikun për Mitrovicën e veriut: Ja arma që kanë në duar Vuçiqi dhe Daçiqi

Nga: D. B Më: 26 prill 2019 Në ora: 17:07
Fadil Kajtazi

Njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi ka thënë për “Bota sot” se mundësitë e eskalimit të situatës në veri të vendit janë të vogla, kjo për faktin se ka humbur përkrahja e popullatës serbe ndaj politikave të Beogradit.

Sipas tij, qytetarët lokal atje po e shohin se që kur ka filluar kriza e Kosovës në vitin 1987, serbët e Kosovës janë shfrytëzuar nga politika e Beogradit vetëm për përfitime personale të grupeve të caktuara.

“Individ dhe grupe nga Serbia, që nga viti 1987 e deri më sot, kanë bërë karrierë politike dhe janë pasuruar në kurriz të popullatës serbe të Kosovës. Sidomos pas vitit 1999, për politikanët serb gjëja më e çmuar është Kosova dhe i ashtuquajturi “Fond për Kosovën” përmes të cilit politikanët serb investimet për pakicën serbe në Kosovë i kthejnë në pjesën më të madhe mbrapsht në xhepat e tyre. Ata, në këtë pjesë kanë instaluar dhe kontrollojnë grupe mafioze të kontrabandës me mallra, armë, narkotik dhe prostitucion. Këto grupe qeverisin me pjesën Veriore, ku popullata e thjeshtë është në telashe serioze.

Gjithashtu Kosova dhe Veriu i saj, Vuçiqit dhe Daçiqit, Kishës Ortodokse Serbe, dhe politikanëve të dobët serb, ju shërbejnë për të shfryer epshet shoveniste të tyre në drejtim të shqiptarëve”, ka thënë Kajatazi.

Ai konsideron se kjo kategori në mungesë të aftësive të tyre për të ofruar politika zhvillimore popullit serb, në mungesë të kapaciteteve të tyre për të qeverisur me vendin, në vazhdimësi, me përkrahje të politikanëve injorant në Kosovë, krijojnë “problemin e Kosovës” për të cilin e dinë që është i mbyllur me 17 shkurt 2008, vetëm e vetëm për ta ruajtur qetësinë politike dhe sociale në Serbi, e cila është para shpërthimit. 

“Vuçiq dhe Daçiq të vetëdijshëm se popullata serbe e Veriut të Kosovës i ka braktisur, dhe për ta kamufluar dështimin e tyre, në pjesën Veriore kanë çmontuar aparaturat e alarmimit të popullatës, përmes të cilave ata e ftonin që ajo të grumbullohej në Mitrovicë sa herë që dëshironin që të destabilizonin artificialisht atë pjese. Në vitet e fundit, sidomos pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe arrestimit të Marko Gjuriqit të ashtuquajturit Shef i Zyrës Për Kosovën, edhe pse gjatë gjithë ditës përmes alarmit alarmuan popullatën që të dilte në protesta në Mitrovicë, nuk arritën që të grumbullonin as 100 persona”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, aktivitetet terroriste, janë e vetmja armë që ka mbetur në duart e Vuçiqit dhe Daçiqit për te krijuar kriza artificiale në pjesën Veriore të Kosovës, por edhe në vendbanimet tjera ku është e përqendruar pakica serbe.

“Tani, me që ata, nuk do të mundin që për qëllimet e tyre të grumbullojnë masa njerëzish, ka mundësi që përmes shërbimeve të tyre inteligjente t’i aktivizojnë grupet terroriste si “Beli Orlovi” dhe “Crna strela” të cilat do të zhvillojnë aktivitete terroriste kundër individëve lojal ndaj institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare që veprojnë në atë pjesë. Pak a shumë, skanerët do të jenë të përafërt me aksionet terroriste që patën marrë përsipër këto organizata në vrasjen e boshnjakut Sefko Sallkoviq me 2010, dhe doganieri lituanez të EULEX-it me 2013, si dhe me vendosjen e bombave në veturat dhe banesat e qytetarëve lojal të pakicës serbe dhe atyre shqiptar”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil  Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat