Thaçi e Haradinaj të përçarë në Samitin e Berlinit

Politika

Thaçi e Haradinaj të përçarë në Samitin e Berlinit

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 29 prill 2019 Në ora: 07:42
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Të hënën, në Samitin e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit, do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë politikë të shtetit të Kosovës.

Samiti i Berlinit do të udhëhiqet nga kancelarja gjermane Angela Merkel, ndonëse takimi i radhës do të bashkëkryesohet edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Qëllimi kryesor i takimit të Berlinit, në radhë të parë është heqja e bllokadës në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Kështu tha në një intervistë për agjencinë gjermane te lajmeve DPA, Komesioneri i BE-së për Zgjerim dhe fqinjësi Johanes Hahn, duke aluduar në taksën e vendosur ndaj mallrave serbe.

Megjithatë, ende është e paqartë se çfarë do të ndodhë në të vërtetë në këtë Samit, pasi që, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndajnë mendime të ndryshme qoftë për idenë e ndryshimit të kufirit në kuadër të dialogut me Serbinë, apo edhe për pezullimin e taksës doganore.

Përderisa presidenti Thaçi është treguar i hapur të diskutojë edhe për kufirin, por edhe për të pezulluar taksën, Haradinaj i ka përjashtuar të dy mundësitë për të cilat është angazhuar Thaçi.

Salihaj: Do të jetë një situatë e sikletshme për Kosovën

Image
Adem Salihaj

Lidhur me këtë, ish-deputeti i Kosovës, Adem Salihaj, thekson se, me heqjen e taksës Kosova nuk humb shumë, por ky do ishte triumf i Serbisë.

“Kosova do të humbte tepër shumë nëse e heq taksen pas gjithë kësaj lufte, të bërë deri më tash. Heqja e taksës do të ishte triumf i Serbisë dhe debakël i Kosovës. Ky koalicion qeverisës e ka vendosur taksen pa bërë asnjë analizë dhe asnjë konsultim me partneret tanë më të rëndësishëm”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, taksa është e drejtë, por mënyra si u vendos ishte e gabueshme.

“Tash, problemi do të jetë se Thaçi do të jetë në krah të Serbisë për heqjen e taksës, ndërsa Haradinaj do të jetë aty i vetmuar. Dihet se edhe kancelarja Merkel dhe presidenti Makron, si edhe BE, janë për heqjen e taksës. Kjo do të jetë një situatë e sikletshme për Kosovën”, përfundon ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Abazi: Thaç e Haradinaj të papërgatitur

Image
Haki Abazi

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi, thekson se, Bashkimi Evropian, sidomos Komisionerja për punë të jashtme Znj. Mogherini përveç se ka krijuar një mjegulli të pafund ka treguar që në fakt nuk ka përvojën e duhur për të bartur përgjegjësinë në një pozitë të tillë.

“Ajo është ndikuar direkt nga këshilltarja teknike Ana Marie Bure, një greke që urren Shqiptarët dhe ky ndikim ka krijuar situatën ku BE ka humbur edhe kredibilitetin dhe seriozitetin”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, gabimi i lojërave me kufij në shkëmbim të amnistisë për Thaçin dhe amnistinë për kriminelet serbë që ka bërë krime me tentim gjenocidin në Kosovë kanë dalë ne sipërfaqe.

“Kjo bën që Thaçi dhe Haradinaj të kenë pozicione të ndryshme por ajo që kanë të përbashkët është se që të dy janë të papërgatitur që të përfaqësojnë unitetin e vendit. Eskivimet naive që kanë tentuar të i bëjnë me një të ashtuquajtur ekip negociator kot tregojnë se strategjia e tyre është që ata të përfitojnë nga procesi i dialogut politikisht dhe asnjëra palë nuk e ka seriozisht interesin dhe agjendën e Kosovës atje”, vlerëson Abazi.

Sipas tij, kjo shihet edhe me mungesën e progresit në të gjitha fushat por sidomos në politikën e jashtme dhe investimet direkte ndërkombëtare.

“Kjo është një klasë e shpenzuar dhe e degjeneruar politikisht dhe sa më gjatë që qëndrojnë në pushtet aq më shume janë duke rrezikuar vet shtetin dhe interesin e tij”, përfundon Haki Abazi.

Krasniqi: Kryeministri dhe presidenti absolutisht nuk janë unik

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi pohon se, ekziston mundësia që në Samitin e Berlinit, të rezultojë me heqjen e taksës ndaj Serbisë.

“Kryeministri Haradinaj nuk guxon të lëshojë pe nëse paraprakisht nuk rezulton ndonjë marrëveshje e mirë për Kosovën. Për ta hequr taksen ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian duhet ta shtrëngojë Serbinë që mos ta luftoje shtetësinë e saj, dhe mos ta pengojë në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Po ashtu t'i heqin vizat për qytetarët e Kosovës, sepse u teprua me nga ana e BE-së. Ose të na i heqin vizat, ose të na thonë që për ju s'do të ketë kurrë liberalizim të vizave. Duhet të na drejtojnë në një rrugë. Në të kundërtën s'duhet të pranohet asgjë”, thekson Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai pyet se, pse vetëm Kosova të pranojë kompromise dhe mos të fitoje asgjë, kurse Serbia agresore pavarësisht sulmeve që po i bën shtetit të Kosovës, sikur po shpërblehet me të mira nga BE-ja për këtë luftë ndaj Kosovës.

“Bashkimi Evropian duhet të heqë dorë nga racizmi i saj ndaj shqiptareve. Kurrë nuk i ndëshkuan politikanet e korruptuar të Kosovës, por çdo hakmarrje dhe idiotësi vetëm ndaj qytetarëve të thjeshte të Kosovës. Racizmi nuk përputhet me demokracinë që pretendon ta ketë ky Union. Kryeministri dhe presidenti absolutisht nuk janë unik rreth këtyre çështjeve. Sa për presidentin taksa ndaj Serbisë nuk do të ishte vendosur kurrë, dhe Kosova veçse do të ishte ndarë!”, thekson opinionisti Faik Krasniqi.

Burjani: Nëse hiqet taksa hapet rruga

Image
Blerim Burjani

Edhe njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, thekson se nuk ka unitet ndërmjet presidentit dhe kryeministrit.

“Presidenti Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë dallime të mëdha, pa unitet, pa asgjë. Secili me qëndrime të veta. Tash vetëm nëse ndërron mendje Ramush Haradinaj si kryeministër i shtetit të lodhtë, shumë zhvatës por ende merret me patriotizëm dhe popullizëm të skajshëm. Taksa për patriotizëm ndërsa ikja e qytetarëve është biznes. Ai ka të meta të mëdha si politikan apo më mirë me thënë nuk është për politikë. Nëse hiqet taksa hapet rruga, nëse nuk mbetet kështu si është, pra mbetet Kosova pa liberalizim”, potencon Blerim Burjani.

Procesi i Berlinit synon zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimin Evropian. Si proces, është iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014. Nisur edhe nga parimet e zgjerimit të BE-së, zgjidhja e kontesteve bilaterale paraqet një synim dhe angazhim të madh të këtij procesi, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionet kufitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat