Ministria e Drejtësisë “mburojë” e krimeve të PDK-së

Politika

Ministria e Drejtësisë “mburojë” e krimeve të PDK-së

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 maj 2019 Në ora: 07:48
Foto ilustrim "Bota sot"

“Sistemi i drejtësisë fatkeqësisht është i politizuar dhe shumë fragjil. Jo vetëm Ministria e Drejtësisë, por edhe segmente të gjyqësorit dhe prokurorisë kontrollohet dhe ndikohet nga Partia Demokratike e Kosovës, tani kjo dihet botërisht”, është shprehur deputeti Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha. Ky sistem po konsiderohet se është i politizuar dhe në të njëjtën kohë është edhe shumë fragjil.

PDK e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli është partia e cila e ka drejtuar këtë dikaster të rëndësishëm për vite më radhë. Andaj, fajin kryesor për gjendjen e tanishme po konsiderohet se e bartë pikërisht edhe ky subjekt.

Opozita është e mendimit se sundimi i rendit dhe i ligjit është kritika e parë e mekanizmave ndërkombëtar që po e pengon rrugën e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Sipas përfaqësuesve të opozitës, kjo qeveri e ka izoluar vendin në të gjitha aspektet, prandaj, ata edhe bëjnë me dije se zgjidhja e vetme në këtë kohë janë zgjedhjet e parakohshme.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend, konsiderojnë se duke qenë të zhytur në krime të formave dhe llojeve të ndryshme, Partia Demokratike e Kosovës ka kontrolluar gjithnjë sistemin e drejtësisë.

Rugova: Sistemi i drejtësisë i politizuar, zgjidhja e vetme zgjedhjet e parakohshme

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përveç Ministrisë së Drejtësisë, edhe segmentet tjera të gjyqësorit dhe prokurorisë kontrollohet dhe ndikohet nga partia e Kadri Veselit.

Ai ka potencuar se ky dikaster i rëndësishëm është shumë fragjil, shkruan gazeta “Bota sot”.

Image
Naser Rugova

“Sistemi i drejtësisë fatkeqësisht është i politizuar dhe shumë fragjil. Jo vetëm Ministria e Drejtësisë, por edhe segmente të gjyqësorit dhe prokurorisë kontrollohet dhe ndikohet nga Partia Demokratike e Kosovës, tani kjo dihet botërisht”, është shprehur deputeti Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, deputeti nga opozita shprehet se sundimi i ligjit është kritika e parë e mekanizmave ndërkombëtar që po e pengon rrugën e integrimit të vendit tonë në BE.

Rugova nënvizon se në këtë situatë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.

“Sundimi i rendit dhe i ligjit është kritika e parë e mekanizmave ndërkombëtar që po e pengon rrugën e integrimit të vendit tonë në BE, kjo qeveri e ka izoluar vendin në të gjitha aspektet, prandaj zgjidhja e vetme janë zgjedhjet”, shprehet në fund për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova.

Mehmeti: Ministria e Drejtësisë mburojë e njerëzve të PDK-së

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo parti ka kontrolluar gjithnjë Ministrinë e Drejtësisë, si mënyrë mburoje ndaj njerëzve të saj.

Ai për gazetën ka shtuar se me qëllim që të mbrohen nga veprimet dhe krimet e tyre kjo parti gjithnjë ka kontrolluar sistemin e drejtësisë.

Image
Faton Mehmeti

“Duke qenë vet e zhytur në krime të formave dhe llojeve të ndryshme, Partia Demokratike e Kosovës ka kontrolluar gjithnjë sistemin e drejtësisë. Kjo, me qëllim që të mbrohen nga veprimet dhe krimet e tyre. Jo pa qëllim kjo parti ka kontrolluar gjithnjë Ministrinë e Drejtësisë, si mënyrë mburoje ndaj njerëzve të saj”, është shprehur analisti Mehmeti.

Ai thekson se partia e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli, është sinonim i të keqes, krimit dhe fatkeqësive që i ndodhin këtij vendi.

“Derisa kjo parti është ne pushtet, sidomos duke kontrolluar Ministrinë e Drejtësisë, nuk ka shpresë se do dënohet ndokush për krim ekonomik. Partia Demokratike e Kosovës është sinonim i të keqes, krimit dhe fatkeqësive që i ndodhin këtij vendi”, ka përfunduar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Ky pushtet më në krye PDK-në, vetë janë mafia dhe pushteti!

Ndërsa, edhe analisti tjetër politik, Faik Krasniqi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nga fillimi është përkujdesur që ta kontrolloi sistemin e drejtësisë në vend.

Image
Faik Krasniqi

“Për ta udhëhequr pushtetin me grusht të fortë, pikë së pari duhet ta kesh në kontroll sistemin e drejtësisë. T'i vendosesh prokurorët dhe gjykatësit e tu në vendin e duhur, aty ku të duhen. PDK-ja është përkujdesur prej fillimit për këtë gjë. Se pari drejtësinë, në mënyrë që të zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal pa i penguar askush”, ka thënë Krasniqi.

Ai konsideron se njerëzit e kësaj partie nuk mërziten nëse do të ndëshkoheshin për demet kriminale dhe korruptive që i kanë shkaktuar shtetit.

“Këta nuk mërziten se do të ndëshkohen për demet kriminale dhe korruptive që i kanë shkaktuar shtetit dhe qytetarëve të saj. Prandaj, Ministria e Drejtësisë gjithmonë është udhëhequr nga kjo parti”, konsideron ai.

Krejt në fund, Krasniqi nënvizon se ky pushtet më në krye partin e Kadri Veselit, vetë janë mafia dhe pushteti.

“Nëse s'do emëronin Aleksandër Lumezin kryeprokuror të shtetit, do gjenin një Lumez tjetër. Ky pushtet më në krye PDK-në, vetë janë mafia dhe pushteti”, ka përfunduar Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, me moton “Lepur Ik, Lepurushi me 7 karota”, qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës protestuan ditë më parë në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje para Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi të shkarkohet pasi që sipas tyre ‘nuk është i denjë për pozitën që mbanë’.

Sipas kësaj partie, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi mban shtatë pozita në institucione të Kosovës: Anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Anëtar i Bordit të Akademisë Policore në Kosovë, Kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Kryetar i Këshillit Drejtues së Akademisë së Drejtësisë, Kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat