Thaçi “përgënjeshtroi” Haradinajn: Krasniqi thotë se presidentit nuk i besohet për asgjë!

Politika

Thaçi “përgënjeshtroi” Haradinajn: Krasniqi thotë se presidentit nuk i besohet për asgjë!

Nga: N.H Më: 1 maj 2019 Në ora: 14:44
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Pas Samitit të Berlinit Kryeministri Ramush Haradinaj, ka treguar se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë bërë presion më shumë se Vuçiçi në sy të të gjithëve në Berlin për ta hequr taksën.

Ndërsa, të njëjtën gjë nuk e thotë presidenti Thaçi. Ai përmes një konference për media, tërthorazi ka përgënjeshtruar deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ‘ka pasur presion më shumë nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Edi Rama’ për heqjen e taksës.

“Sa i përket taksës, kemi qenë shumë të qartë në tri fjalime që kam mbajtur, është e drejtë legjitime e Kosovës”, ka thënë Thaçi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se ‘a ishte Kosova unike në qëndrime ne Samitin e Berlinit’.

“Ne kemi prezantuar një qëndrim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, jo pa qëllim përmenda çështjet që kam prezantuar atje duke përfshirë edhe rezolutën e Parlamentit të Kosovës. Sa i përket edhe dialogut edhe të ardhmes euro atlantike, edhe fokusit kryesor sepse të them të drejtën fokusi im kryesor në këtë Samit ka qenë si ta bindim Kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për liberalizimin e vizave. Pse Kosova dhe qytetarët e saj mbesin më të ndëshkuarit dhe më të izoluarit.”, tha ai.

Lidhur me këtë, është deklaruar edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se është e ulët kur dy shqiptarë bëjnë presion për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Krasniqi vlerëson se Thaçit nuk i besohet më, pasi sipas tij, ky i fundit ndryshon fjalët për çdo pesë minuta.

Image
Faik Krasniqi

“Presidentit Thaçi që i ndryshon fjalët çdo pesë minuta, nuk i besohet për asgjë. Në këtë rast i besoj kryeministrit Haradinaj, se ka pasur presion nga Thaçi dhe Rama për heqjen e taksës, gjatë Samitit në Berlin. Është poshtërsi kur dy shqiptarë bëjnë presion për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Kjo tregon se me çfarë njerëz antikombëtarë kemi të bëjmë”, thotë Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

I pyetur për moskoordinimin që patën presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, Krasniqi tha se nuk mund të ketë koordinim me një njëri që në planë të parë ka faljen e territoreve.

“Çfarë koordinimi mund të ketë me një njeri si Hashim Thaçi, që kërkon t'i fale territor Serbisë. Një “bravo” e madhe për kryeministrin Haradinaj, që nuk po lëshon pe lidhur me taksen dhe ndarjen e Kosovës, edhe pse lë shumë për të dëshiruar në punën e tij si kryeministër”, përfundoi Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat