Rama, Thaçi, Vuçiq morën goditje të fortë, në Evropë vendosë Gjermania 

Politika

Rama, Thaçi, Vuçiq morën goditje të fortë, në Evropë vendosë Gjermania 

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 maj 2019 Në ora: 08:15
Rama, Thaçi dhe Vuçiq

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është përballur me presion të madh për heqjen e taksës gjatë Samitit të Berlinit, si mënyrë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe në këtë samit, është kërkuar që Kosova përfundimisht ta heq taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe në mënyrë që t’i hapën rrugë të tjera.

Mirëpo edhe kësaj radhe, nga Qeveria aktuale kanë bërë të ditur se Haradinaj nuk do të lëkundet nga vendimi për taksën për produktet serbe e boshnjake, përkundër presionit të madh nga vendet mike, e sidomos të Francës, për të cilën u raportua edhe për një përplasje mes Makron dhe Haradinajt.

Avokati dhe publicisti i njohur është shprehur se nuk beson se taksa 100 për qind mund ndikojë  në marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë. Por, sipas tij, nga Samiti i Berlinit çështja e kufijve të Kosovës është mbyllur përfundimisht, ndërsa goditje të rëndë nga atje morën Rama, Thaçi dhe Vuçiq.

Opozita në vend konsideron se kjo nuk është hera e parë që është provuar të rrezikohen raportet me miqtë ndërkombëtarë. Për ta, asnjë çështje apo individ nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me miqtë e dëshmuar të Kosovës.

Nga ana tjetër, politologu i njohur në vend është i mendimit se Bashkimi Evropian më shumë është e interesuar për ruajtjen e rehatisë së saj, se sa që është shoqëri e parimeve dhe e idealeve.

Avokati i njohur shqiptar, Spartak Ngjela: Kufijtë u mbyllën si çështje, u goditën rëndë Rama, Thaçi dhe Vuçiq

Image
Spartak Ngjela

Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela, i cili është edhe njohës i thellë i çështjeve politike e kombëtare, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për takimin në Berlin, dhe për përplasjet mes Macron dhe Haradinajt.

Ngjela, ka thënë se nuk beson se një përplasje e tillë mund të ndikojë në marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë. Ndërsa, ka thënë se Serbia nuk po lë shpifje pa bërë kundër shqiptarëve.

“Jo... nuk ndikon. Serbia nuk po lë shpifje pa bërë kundër shqiptarëve, kudo… Për sa i përket të tjerave, në Evropë vendos Gjermania. Franca është e mbytur në borxhe ndaj Gjermanisë”, ka thënë Ngjela.

Tutje, avokati Negjela ka theksuar se pas këtij takimi nuk ka kthim mbrapa dhe se goditje të rëndë nga Berlini kanë marrë Rama, Thaçi dhe Vuçiq.

“Nuk ka kthim mbrapa. Edhe kufijtë u mbyllën si çështje. Kosova pati triumf aty. U goditën rëndë të tre edhe Rama, edhe Thaçi, edhe Vuçiq. Pak të duket ty kjo? Apo keni hallin e Thaçit ju?”, ka përfunduar avokati dhe publicisti Spartak Ngjela, për gazetën “Bota sot”.

Gecaj: Asnjë çështje apo individ nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtar

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, nga ana tjetër, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se kjo nuk është hera e parë që provohet të rrezikohen raportet me miqtë ndërkombëtarë.

Sipas tij, asnjë çështje apo individ nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me miqtë tonë ndërkombëtar.

“Deri më tani “konglomerati i komandanteve” disa herë ka rrezikuar marrëdhënien tonë me miqtë e provuar ndërkombëtar. Nuk është pra kjo hera e parë; ju kujtohet iniciativa e para disa vitesh e Presidentit Thaçi për ligjin mbi ushtrinë; pastaj iniciativa e “krye-komandanteve” për tërheqjen e ligjit mbi Gjykatën Speciale. Disa prej tyre kishin kundërshtuar dhunshëm edhe çështjen e demarkacionit, të cilën më pastaj e kishin aprovuar pa ndryshime. E kam thënë publikisht disa herë deri më tani se nuk ka shqiptar të cilit nuk i ka pëlqyer çështja e tarifës ndaj Serbisë. Megjithatë, asnjë çështje apo individ nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me miqtë tonë ndërkombëtar”, ka thënë Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Mes tjerash në këtë prononcim, Gecaj ka thënë se jemi të vegjël, por edhe do të bëheshim mosmirënjohës nëse Kosova konfrontohet me cilindo nga miqtë.

“Ne jemi të vegjël por edhe dhe do të bëheshim mosmirënjohës (bukëpërmbysës) nëse konfrontohemi me cilindo nga miqtë tanë të provuar, si SHBA-të ashtu edhe miqtë Evropian”, tha mes tjerash Gecaj.

Krejt në fund, ai ka theksuar se nomenklatura e tanishme institucionale duket ta ketë humbur rrugën ne oborrin e vet.

“Nomenklatura e tanishme institucionale duket ta ketë “humbur rrugën në oborrin e vet”, dhe kjo kryekëput për interesa te tyre individuale, grupore e klanore. Duket se me nuk u frikohen as ligjit, as popullit, as miqve tonë të fuqishëm, por madje as zotit. Populli shpresojë ta sheh këtë dhe mos tu japi më votë kurrë këtyre shtet-shkatërruesve”, ka thënë në fund, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: BE, më shumë është e interesuar për  ruajtjen e rehatisë së saj

Image
Ramush Tahiri

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe kryeministri Haradinaj si dhe presidenti Thaçi nga Berlini deklaruan se taksa është e drejtë legale dhe legjitime e Kosovës si reagim ndaj politikave agresive të Serbisë.

“Haradinaj për tarifat doganore që i janë vënë mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe nga Bosnje e Hercegovina ka deklaruar se nuk është një vendim i tij personal por është një vendim i Qeverisë që e shprehë dëshirën dhe e ka përkrahjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Edhe Presidenti i Kosovës që më herët ishte kritik ndaj vënies së taksës, në Berlin deklaroi se kjo është e drejtë legale dhe legjitime e Kosovës si reagim ndaj politikave agresive të Serbisë kundër Kosovës dhe nëse kjo politike vazhdon atëherë Kosova do të ndërmerr masa shtesë deri në reciprocitet të plotë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shton se Bashkimi Evropian më shumë është e interesuar për ruajtjen e rehatisë së saj, se sa që është shoqëri e parimeve dhe e idealeve.

“Nga Kosova po kërkohet që taksa e vënë njëanshëm të hiqet dhe t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut Kosovë -Serbi. Vuçiq në Berlin u ankua se Serbia e pati vetëm një kërkesë dhe kjo ishte që Kosova ta heqë taksen, por as kjo nuk u realizua. Duket Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma efikas ta detyroje As Kosovën ta heqë taksën e as Serbinë ta njohë shtetin e Kosovës. BE më shumë është e interesuar për  ruajtjen e rehatisë së saj se sa që është shoqëri e parimeve dhe e idealeve. Po kjo bashkësi evropiane nuk ndërmori asgjë kur u mbajt e rrethuar dhe pa ndërprerë grasatohej për ma shumë se tri vjet rresht Sarajeva. A mjaftonte një bombardim nga ajri i pozicioneve ushtarake serbe në kodrat për rreth Sarajevës”, ka thënë ai.

Politologu ka nënvizuar në fund se udhëheqësit e qytetarët e Kosovës duhet në këtë dritë ta shohin deklaratën e presidentit të Francës Makron se pse as këtë vit nuk ka liberalizim të vizave.

“BE nuk lëvizi as kur u bë spastrimi etnik i Kosovës e u larguan 60 për qind e popullsisë. Udhëheqësit e qytetarët e Kosovës duhet në këtë dritë ta shohin deklaratën e presidentit të Francës Makron se pse këtë vit nuk ka liberalizim të vizave për kosovarët, duke paragjykuar daljen në masë në Francë dhe rritjen e kriminalitetit nga kosovarët”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot” .

Kujtojmë që taksa ndaj mallrave serbe është vendosur në nëntor të vitit të kaluar dhe Haradinaj ka refuzuar ta heq atë edhe pas presioneve të shumta ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat