Adem Salihaj i reagon ashpër Hashim Thaçit: Gjithmonë mendon për ndarjen dhe dhurimin e Kosovës, Serbisë

Politika

Adem Salihaj i reagon ashpër Hashim Thaçit: Gjithmonë mendon për ndarjen dhe dhurimin e Kosovës, Serbisë

Nga: N.Sh Më: 3 maj 2019 Në ora: 14:30
Adem Salihaj dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë ka thënë se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

Por, si  mund të bashkohen tri komunat shqiptare të Kosovës Lindore me Kosovës, pa ndryshuar kufijtë.

Ish-deputeti i Kosovës, nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj pohon se, deklarimet e presidentit Thaçi se nuk ka shkëmbim territoresh por Kosovës do i bashkohen Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, janë kurthe dhe naivitet.

Salihaj thekson se, askush më në Kosovë nuk iu beson fjalëve të Thaçit.

“Pohimet e Thaçit se nuk ka shkëmbim territoresh, por duhet të bashkohen me Kosovën Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, është një kurth për naivët. Në Kosovë më askush nuk u beson fjalëve të Thaçit, sepse ato janë false dhe kanë për qëllim që ta hap derën për shkëmbim territoresh”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Thaçi përdor terminologji të ndryshme, por qëllimi është i njëjtë.

“Retorika e tij ka ndryshuar në nuanca, herë thotë shkëmbim territoresh, herë ndryshim i kufirit, herë korrigjim i kufirit, herë bashkim i Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, por ai në esencë gjithmonë e mendon të njëjtën gjë, ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e një pjese të madhe të saj Serbisë. Është tepër tragjike se si Kosova e lejon një president te saj të bëjë pazare me tokën e saj”, përfundon Adem Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat