Tre gënjeshtarët!

Politika

Tre gënjeshtarët!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 maj 2019 Në ora: 10:03
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Gjendja e keqe që ka kapluar Kosovën, sigurisht që mbanë vulën e tre pushtetarëve që e kanë sjellë Kosovën deri në këtë gjendje. Treshja shtetshkatërruese, Thaçi-Haradinaj-Veseli, po gjejnë kohë që edhe të tallen dhe të mashtrojnë popullin me deklaratat e tyre të rrejshme, e që ndryshojnë nga dita në ditë, sipas momentit që iu konvenon atyre.

Taksa, dialogu dhe vizat janë tri temat që drejtimi i tyre po ndryshon pothuajse çdo ditë nga qëndrimi i luhatshëm i këtyre tre pushtetarëve.

1. Presidenti Hashim Thaçi

Sigurisht që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përfshirë edhe në gënjeshtrën për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, duke shkelur në këtë mënyrë çdo të drejtë themelore të njeriut.

Presidenti gënjeu edhe për taksën, kur tha që asnjëherë nuk ka qenë kundër që të pezullohet, mirëpo ai vet edhe në mënyrë ironike kërkonte që taksa të largohet apo të pezullohet, siç thoshte ai, “së bashku me skolltën të shkrihet edhe taksa”. Kjo i bën leverdi atij pasi i hap rrugën që të bëj hapa para në aventurën e tij për prekje kufijsh në dialogun me Serbinë.

Kur jemi te dialogu, ai “kërcente” nga termi në term, duke filluar nga “shkëmbimi”, pastaj tha që nuk do të ketë vija të kuqe në dialog, duke e mohuar këtë një ditë më vonë. E marrëveshjen e dhimbshme e paralajmëroi që moti, e më pas duke u tërhequr edhe nga kjo ide, pas presionit të vazhdueshëm. E ideja e fundit i ka mbetur korrigjimi, që si duket u hedh poshtë në Samitin e Berlinit.

Duke parë që është mbështetur për muri, ai filloi ta mbështesë taksën, me qëllim që këto deklarata populiste t’i shndërrojë në poena politikë te populli. Por, pa sukses.

Duhet përmendur që Thaçi ndryshoi qëndrimin e tij edhe për luftën e tij në front kundër Serbisë. Kohë më parë në një intervistë për media të huaja, kishte thënë publikisht se ai ka qenë larg nga vija e frontit, e tani po thotë që ka qenë vet aty duke ia “drejtuar pushkën armikut”.

2. Kryeministri Ramush Haradinaj

Aspak më mirë nuk qëndron as kryeministri Haradinaj në premtimet e tij. Gënjeshtrat e tij filluan nga koha e demarkacionit që e kundërshtonte ashpër, e madje edhe ua përplaste hartat në fytyrë njerëzve që flisnin për këtë ide.

Por, lakmia në postin e kryeministrit e bëri atë që ta votojë pikërisht këtë demarkacion, duke ia falur kështu 8.200 hektarë Malit të Zi. Haradinaj i quajti injorantë ata që mendojnë se Kosova fali tokë me demarkacion,  duke i hedhur poshtë këto fakte të dukshme.

Ai premtoi se do të liberalizohen vizat vitin e kaluar, si arsyetim për demarkacionin, por kjo ishte vetëm një gënjeshtër sepse nuk ishte i aftë që të punonte që kjo të ndodhte.

Tani, ai sapo na e uroi liberalizimin e vizave. Kjo për shkak se ishte në takim me ministrin e BRENDSHËM gjerman, ku i premtoi shefit të qeverisë së Kosovës se vizat do të hiqeshin dhe se do të kenë përkrahjen e plotë të Gjermanisë. Po t’i kishte thënë ministri i jashtëm gjerman, ndoshta do t’i besonim sadopak.

3. Kryeparlametari Kadri Veseli

Edhe kryeparlametari Kadri Veseli, u bë pjesë e gënjeshtrave. Madje, kur i konvenonte, thoshte se taksa është ide e zv/kryeministrit Enver Hoxhaj.

Jemi dëshmitarë të gjithë që edhe Veseli dha deklarata se taksa duhet të pezullohet që t’i hapet rrugë dialogut me Serbinë. Por këto ditë u kthye dhe tha se taksa është legjitime dhe Kosova duhet të krenohet me të.

Veseli tha edhe që “taska është bërë bajat”, e ky qëndrim i tij nuk u mbajt as 24 orë, kur doli me një deklaratë kundërthënëse.

Krejt këto gënjeshtra dhe manipulim me popullin, kanë sjellë Kosovën në një gjendje kur qindra të rinjë ikin çdo ditë nga Kosova, duke mos parë asnjë perspektivë në këtë vend.

E keqja është që këta të tre i kanë humbur të gjitha kredibilitetet me gënjeshtrat e tyre. Madje, edhe kur të ndodh një premtim i tyre, duhet ta “ndjejmë” pak që të besojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat