Një Gjykatë që e “dridhë” Serbinë, e vonuar por e merituar

Politika

Një Gjykatë që e “dridhë” Serbinë, e vonuar por e merituar

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 4 maj 2019 Në ora: 12:26
Krimet serbe në Kosovë, foto ilustrim

Në muajin e kaluar, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është krijuar komisioni ad-hoc, me qëllim për ta hartuar një rezolutë që dënon krimet e Serbisë në Kosovë. Ndryshe, të enjten  anëtarët e komisionit ad-hoc për hartimin e projekt-rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, janë pajtuar që rezolutës t’i bashkëngjitet edhe lista e masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Disa nga anëtarët e komisionit ad-hoc për hartimin e projekt-rezolutës për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë, patën kritika dhe vërejtje teknike, ku e cilësuan si të vonuara.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim përkujtimor, duke folur për mohimet e palës serbe për masakrat e kryera në Kosovë, tha se në këtë drejtim po gabon edhe bashkësia ndërkombëtare, përcjell “Bota sot”.

“Përderisa nuk do të dënohen njerëzit të cilët kanë kryer krime në Prekaz, Meje, Obri, Reçak, në Rezallë dhe gjithandej Kosovës, janë me qindra masakra, pushteti serb gjithmonë do t’i mohojë krimet serbe. Ky është gabimi i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është edhe përgjegjësia në të njëjtën kohë edhe e institucioneve tona.Unë, si kryetar i Kuvendit, pres përkrahje, po besoj që edhe bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë zërin e arsyes, që të iniciojë që të ketë Gjykatë Speciale për krimet, përkatësisht masakrat serbe të cilat i kanë kryer në vitet 1998, 1999 të cilat i ka kryer ushtria, policia dhe paramilitarët serbë. Ne nuk do të hakmerremi por edhe nuk do të harrojmë. Ne do të ecim përpara. Nuk ka fuqi, nuk ka forcë që mund të na ndalë përpara në shtetin tonë të pavarur dhe sovran, për lirinë tonë”, ka thënë Veseli në këtë tubim.

Jahjaga: Kemi nevojë për një gjykatë të duhur, e cila do të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat

Edhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Kongresin Amerikan, ka kërkuar një gjykatë për ata që dhunuan gjatë luftës në Kosovë.

 “…Viktimat kanë hezituar, por, tashmë, është krijuar një momentum i ri dhe ata duan të raportojnë. Ne duam drejtësi, duam të shohim autorët e këtyre krimeve se si përballen me drejtësinë. Disa viktima edhe kanë vdekur si pasojë e asaj që u ka ndodhur, nuk keni nevojë për më shumë dëshmi se sa rrëfimet e këtyre viktimave sepse u kishte ndodhur në prani të familjarëve ose të bashkëfshatarëve. Ajo që ne kemi nevojë është për një gjykatë të duhur, e cila do të sjellë drejtësi për të gjitha këto viktima”, ka thënë ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Latifi: Është e mundur dhe  është e domosdoshme

Image
Blerim Latifi

Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se është i mundur formimi i një Gjykate Speciale për  krimet e kryera nga shteti serb, ngase siç thotë ai, kjo duhet të bëhet e pashmangshme.

“Është e mundur dhe  është e domosdoshme. Ne duhet të punojmë që ta bëjmë të pashmangshme. Pajtimi për të ardhmen nuk është i qëndrueshëm nëse nuk bazohet mbi drejtësinë për të kaluaren”, ka thënë këshilltari i Veselit, Blerim Latifi.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përmendur të enjten prapë mundësinë për formimin e një Gjykate të tillë, ngase, sipas tij, kjo është domosdoshmëri.

Millaku: Institucionet  nuk i ka penguar askush deri tani që të bëjnë padi për gjenocid serb ndaj Kosovës

Image
Drita Millaku

Drita Millaku, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e VV-së, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se iniciativat e tilla veç janë të dështuara dhe janë të vonuara.

Ajo nuk mendon se do të realizohet një gjë e tillë.

“Këto janë vetëm propozime për konsum të brendshëm. Institucionet tona nuk i ka penguar askush deri tani që të bëjnë padi për gjenocidit të shtetit serb ndaj Kosovës”, tha ajo.

Sipas saj, një gjykatë e tillë ka qenë e mundur të bëhet edhe më herët, sidomos në momentin kur është formuar Gjykata Speciale në 2015-ën.

Krasniqi: Koha për të ndërtuar një Gjykatë Ndërkombëtare ka kaluar

Image
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, për “Bota sot”, tha se koha për të ndërtuar një Gjykatë Ndërkombëtare ka kaluar.

“Ishte një gjykatë e tillë, ajo është mbyllur(fjala është për Tribunalin e Hagës) . Pastaj kur u bë Gjykata Speciale për Kosovën, ajo do të duhej të merrej me të gjitha krimet e kryera në Kosovë, por ajo kohë shkoi. Nuk besoj që do të bëhet tani”, u shpreh Krasniqi.

Ai, po ashtu, tregoi se këtë çështje e ka trajtuar edhe në librin e tij të fundit, “Arti i bisedimeve”.

Ndërkaq, në promovimin e librit, Krasniqi ka folur edhe për këtë temë, ku ka thënë se është keq pas atyre bisedimeve të vështira që Kosova ka fituar shumë, në bisedimet e mëvonshme që kanë qenë shumë më të lehta, realisht, Kosova ka humbjet e veta.

“E kam fjalën për bisedimet që janë zhvilluar para se të miratohej Gjykata Speciale dhe e kam thënë dhe po e përsërisë këtu me qëllim nuk kam reaguar për fatet e njerëzve personale se edhe ato janë të dhimbshme, reagimet kanë qenë për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes sesa të shkuarës. Ky ka qenë reagimi pse kam reaguar e jo pse dikush padrejtësisht do të nëpërkëmbej siç zakonisht bëhet nga sistemi i drejtësisë te ne gjatë gjithë këtyre viteve. Më shumë ka pasur linçime publike sesa dënime të arsyeshme. Ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike janë skeptikë në lidhje me formimin e një Gjykate Speciale për krimet e luftës që i ka kryer Serbia në Kosovë.

Tahiri: Shteti i Kosovës duhet të kërkojë nga institucionet ndërkombëtare formimin e një gjykate të tillë

Image
Ramush Tahiri

Ramush Tahiri, analist i çështjeve politike tha se ish-presidentja Jahjaga në dëshminë në Kongresin e SHBA -së kërkoi një Gjykatë ndërkombëtare për dhunimet seksuale që u bënë gjatë luftës në Kosovë.

“Ish-presidentja Jahjaga, në dëshminë në Kongresin e SHBA –ve, kërkoi një Gjykatë ndërkombëtare për dhunimet seksuale që u bënë gjatë luftës në Kosovë ose siç kërkoi ajo që Gjykata për krimet e UÇK në Kosovë të zgjerohet në kompetenca edhe me krimet e përdhunimeve seksuale. A do të dëgjohet ky apel i saj mbetet të shihet”, u shpreh Tahiri.

Tutje, ai shtoi se ajo që sot mund të thuhet është një padrejtësi që është krijuar një Gjykatë ndërkombëtare, pra me prokurorë e gjyqtarë ndërkombëtarë, ndërsa me të akuzuar dhe me dëshmitarë nga Kosova për krimet e pretenduara të UÇK-së gjatë dhe pas luftës.

“Ndërsa nuk ka asnjë nismë për krijimin e një Gjykate speciale për të gjitha krimet e kryera në Kosovë e aq më pak nuk pati asnjë nismë zyrtare nga askush për krimet e luftës të kryera nga ushtria, policia paramilitarët dhe grupet e tjera serbe kundër civilëve në Kosovë, kur dihet se vrasjet, plagosjet, përdhunimet, dhunimet e rrahjet , mbajtja në burgje, kidnapimet, zhvarrosjet djegia në furra e viktimave, marrja e organeve nga të burgosurit dhe të kidnapuarit, bartja e kufomave në poligonet e ushtrisë dhe të policisë serbe brenda territorit të Serbisë..etj”, tha politologu Ramush Tahiri.

Tahiri përfundoi duke thënë se shteti i Kosovës duhet të kërkojë nga institucionet ndërkombëtare formimin e një gjykate të tillë.

Maloku: Bashkësia ndërkombëtare, është vonuar shumë me këtë denoncim publik të Serbisë

Image
Fadil Maloku

Ndryshe, profesori Fadil Maloku nuk beson se do të ketë Gjykata Speciale për Krime Lufte, për shumë arsye.

“Së pari bashkësia ndërkombëtare, është vonuar shumë me këtë denoncim publik të Serbisë, sepse kanë kaluar dy dekada të tëra dhe asgjë tani nuk mund të rikthehet prapa (anipse, gjurmët dhe faktet e gjenocidit serb, mund te identifikohen edhe sot), shkaku i fokusit që e ka faktori ndërkombëtar në tema tjera shumë më të rëndësishme (gjithnjë sipas gjykimit dhe sidomos interesave të tyre; gjeopolitike e diplomatike) dhe më dinamike, se sa kjo që neve na interesondhe kemi interes. S’dyti, klasa jonë politike e ka vonuar qëllimshëm për t’i hyrë ne qejf “faktorit ndërkombëtar”, i cili edhe ashtu nuk e ka pasur si imperativ vazhdimin e demonizinit të Serbisë, sepse caqet strategjike u arritën me intervenim ushtarak, kurse me ato diplomatike u mundua dhe ende po mundohet “në emër të vlerave civilizuese” ta rikthejë Serbinë kah”kibla”përendimore”- tha ai.

Tutje, Maloku thotë se konfigurimet gjeopolitike, gjeostrategjike e sidomos ato politike, nuk janë të njëjta me disponimet e interesat e fundshekullit.

Burjani: Gjykata për krime lufte e Serbisë, ende funksionon , gjasat për këtë çështje janë minimale

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi, Blerim Burjani, thotë se shumë pak duket të jetë e besueshme krijimi i një Gjykate ndërkombëtare të veçantë për krimet serbe në Kosovë.

“ Duke pasur parasysh se Tribunali i Hagës, gjykata për krime lufte e Serbisë, ende funksionon , pra gjasat për këtë çështje janë minimale a fare. Andaj, e vetmja rrugë e Kosovës mbetet të padisë Serbinë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut”, u shpreh juristi Blerim Burjani.

Ndërkaq, Gjykata për krimet në ish-Jugosllavi ka akuzuar ish-komandantë të UÇK-së , si Fatmir Limaj, Isak Musliu, Haradin Bala, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Prej tyre u dënua vetëm Haradin Bala.

Në një shqyrtim për gjykimet për krime lufte në Kosovë  nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, misioni në Kosovë , në shtator të vitit 2002, thuhet për gjenocidin,  se kusht me qëllim për të zhdukur tërësisht apo pjesërisht ndonjë grup nacional, etnik, racial apo fetar urdhëron që të bëhen vrasje apo plagosje të rënda ose dëmtim i rëndë i shëndetit fizik apo shpirtëror të personave të grupit apo bën shpërngulje të dhunshme të popullsisë etj, do të dënohet të paktën me pesë vjet burg ose me dënimin me vdekje. Mirëpo, deri më tani nuk kemi asnjë serb të dënuar për krimet dhe dhunimet që janë bërë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat