Korrupsioni galopant i pushtetarëve

Politika

Korrupsioni galopant i pushtetarëve

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 5 maj 2019 Në ora: 17:34
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Gënjeshtra zyrtare, në raport me gënjeshtrën private, dallojnë në peshë. Dhe, kur gënjeshtra zyrtare është korale, pra, pjesë e saj bëhen, pothuaj se, të gjithë krerët politikë të Kosovës, marrëzia është skajore.

Presidenti Hashim Thaçi, më 30 prill 2019, përsëritë gënjeshtrën e madhe, sa bjeshka:

"I kemi plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret e nevojshme, për liberalizimin e vizave. Nëse nuk do të ndodhë, do të jetë një inskenim i madh!"

Kjo shprehje është bërë moto, slogan, që përsëritet, të paktën, që nga viti 2016 e këtej. Dhe, këtë slogan e llomotisin, pa fije turpi, veç pozitës, edhe opozita, madje, edhe krerët e LDK-së, duke i amnistuar kriminelët për vrasjet politike, në taborrin e saj!

Kulmon turpi i Presidentit Thaçi, ish-kryeministrit Mustafa, e pason Ramush Haradinaj, pas tij Pacolli dhe llumhanja tjetër: "Të zbatohet kontrata, siç ka qenë kontrata, kushti i demarkimit të kufirit me Malin e Zi".

Vetëm ta mendosh këtë poshtërsi, të japësh mijëra hektarë tokë, në këmbim të realizimit të vizave, sikur shqiptarët e Kosovës të ishin "me bythë në prush", dëshmon për nulitetin kombëtar, të krerëve politikë të Kosovës. E gjithë kjo është bërë për karrierizmin e ndyrë. Vetëm Vetëvendosja nuk e ka votuar Demarkacionin.

Njëra nga shprehjet e përbashkëta, të Hashimit dhe të Isës, është: "Me vijën e demarkimit aktual me Malin e Zi, Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë!" Kjo rëndon edhe më shumë, kur dihet se as njëri dhe as tjetri, kurrë nuk e kishin shkelur këtë kufi. Dhe, megjithatë, flisnin serbes!!

Duke qenë në cilësinë e Presidentit dhe të Kryeministrit, ishte i mjaftueshëm betimi i tyre, që po thoshin "të vërtetën", për Qendrat e Vendosjes Botërore, të cilat, pastaj, ngulmuan në zyrtarizimin, nënshkrimin e Marrëveshjes me Malin e Zi dhe miratimin edhe në Parlamentet e të dy shteteve.

Shtrohet pyetja: A janë plotësuar, vërtet, të gjitha standardet dhe kriteret e nevojshme, për liberalizimin e vizave nga shteti i Kosovës?

Gënjeshtrën korale të krerëve politikë të Kosovës, e demantojnë, madje, bindshëm, faktet, shifrat. Rezulton se nuk janë plotësuar, as për së afërmi, dy kushtet bazë, që kërkon Bashkimi Evropian për vizat "Shengen":

1) Lufta kundër krimit të organizuar

Sistemi i drejtësisë është bllokuar i tëri nga partitë-banda, të koalicionit PAN. Janë 320.000 dosje stoqe, si lëndë penale të pazgjidhura! Janë 1.820 vrasje të kundërshtarëve politikë, kryesisht, kuadro e veprimtarë të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Ndërkohë, familjarët dhe populli i Kosovës, për krimet makabre, para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, akuzon, pikërisht, krerët e partive PDK-e, AAK-a dhe Nisma, me bandat e tyre vrastare.

Prokurori Elez Beqir Blakaj, nga Llukavci i Istogut, në hetimin që u bëri listave të veteranëve, gjeti 19.000 "veteranë" të rrejshëm. Dhe, ngriti aktakuzë penale për Komisionin Verifikues të Listave të Veteranëve", të cilët ishin vetëm nga torishta e majtë e koalicionit PAN, disa syrësh "komandantë", të akuzuar edhe më parë, për krime të rënda.

Këtë shifër e konfirmoi, si të saktë, edhe Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Por, çfarë ndodhi, ndërkohë?

Pushtetarët që kishin porositur shitjen, falsifikimin e "Dëshmisë të Veteranit" ia "ngehën veshin" Lumezit! Dhe, ai, së bashku me pushtetarët u sulën, deri me kërcënim me jetë, kundër prokurorit Elez Blakaj, i cili u detyrua, madje, familjarisht, të kërkojë strehë në Amerikë.

Kryeprokurori Lumezi, në vend që ta mbështeste vartësin e tij Blakaj, për t`i evidentuar edhe 14.300 "veteranë" të rrejshëm të tjerë, për t`ia shtuar listës prej 19.000 të evidentuarish fillestarë, duke e kompletuar shifrën emërore prej 33.300 "veteranëve" të rrejshëm, ai bëri djallin, të kundërtën! Për këtë shifër dakordohet edhe shefi i SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, komandantët e tjerë qendrorë si dhe komandantët e Zonave Operative. Përjashtim bëjnë "komandantët e Zonës Operative të Dukagjinit, të mbështetur nga shefi i tyre, njëherësh, mjerisht, edhe kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, prej nga listohen edhe numri masiv i "veteranëve" të rrejshëm.

Drejtësia e kapur, nga eksponentë të krimit të organizuar, kanë bllokuar hetimin dhe gjykimin e të akuzuarve, në Komisionin Verifikues të Listave të Veteranëve. Ka kaluar një vit nga kjo bllokadë totale e kësaj lënde kriminale. Dhe, duke qenë PANI kriminal në pushtet, nuk ka shpresë zhbllokimi.

Edhe pse për pagesën e "veteranëve" të rrejshëm, reagoi ambasadori i Zvizrës, Lebet dhe u solidarizuan me atë edhe kori diplomatik evropian në Prishtinë, pushtetarët kriminelë e hajna zyrtarë të Kosovës heshtin. Dhe, kjo është një heshtje që flet shumë: Krimi është kryer me porosi të pushtetarëve, duke u bërë profiterë material, nga shitjet e "Dëshmisë të Veteranit" dhe sigurimi i votës elektorale të përhershme.

Ja, pra, sa është përmbushur njëri nga kushtet bazë, për liberalizimin e vizave?!

Korrupsioni galopant i pushtetarëve

2) Korrupsioni i përmasave industriale, që ka asfiksua, ngulfatur shoqërinë, jetën në Kosovë. Dhe, për rrjedhojë, shqiptarët e Kosovës kanë humbur shpresën, duke e marrë arratinë legale dhe ilegale, për në vendet e Bashkimit Evropian dhe gjetkë nëpër botë. Humbja e shpresës, përkatësisht, perspektivës për jetë normale të qytetarëve të Kosovës, më 2015-ën, kur ish-kryeministri Isa Mustafa bëri pazaret e pista konspirative, pa e konsultuar as strukturat e partisë dhe as anëtarësinë e LDK-së. Që këtej, "u nda torta", Hashimi president, Isa kryeministër.

Qytetarët e Kosovës këtë pisllëk, të Hashimit dhe të Isës, e lexuan qartë, se "vazhdon statusquoja e sundimit kriminal e korruptiv të PDK-së, me bishtin e saj logjistikë LDK-në, gjegjësisht, klanin e Isa Mustafës. Andaj, edhe morën arratinë në mënyrë masive. E njëjta gjë po përsëritet sot, me sundimin e qeverisë sa kriminale, vrastare, po aq edhe korruptive e hajnore, duke shtuar edhe elementin e blerjes masive të votave, për të krijuar një klientelë të përhershme elektorale, duke shfrytëzuar "Dëshmitë e Veteranit". Këtë abuzim, vjedhje zyrtare, nuk e mohon as vet kryeministri Haradinaj, i cili, tashmë, është dëshmuar si i pangopshëm në zhvatjen e buxhetit shtetëror.

Agjencia kundër korrupsionit ka evidentuar 189 milionë euro të vjedhura, në pjesën më të madhe, nga krerët politikë në shtet dhe pushtet. Dhe, kjo shifër është e minimizuar, zvogëluar. Sepse ajo është shumëfish më e madhe. Prej tyre, deri më tani, janë sekuestruar, shtetëzuar vetëm 4 (katër) milionë euro. Me ritmin aktual, do të duhej një shekull, për ta kthyer pasurinë e vjedhur nga pushtetarët!

"Komandantët" kriminelë në pushtet, dje ishin bythëlaskuriqë, pa asnjë trashëgimi pasurie të mirëfilltë. Ndërsa, sot janë milionerë! Ata, me bandat e tyre, gjithnjë, aktive, kanë shfrytëzuar pushtetin:

a) tenderimet e pista;

b) privatizimet e pasurive shtetërore, blej me vezë e shit me lopë metrin e trojeve, tokës;

c) vjeljen e haraçit me dajak e plumb;

d) kanë ndërtuar pallate, të cilët i japin me qira shtetit dhe ndërkombëtarëve dhe pisllëqe të tjera.

Këta hajna zyrtarë, ndër vite, i kanë fshehur pasuritë e tyre të grabitura, duke i regjistruar në emër të familjarëve, miqve dhe jaranëve, pjesë e bandave.

Korit të sulmeve kundër Evropës, u janë bashkuar edhe neokomunistët shqiptarë, të prirë nga kryeministri mostër, i njohur për fjalorin e tij të ndotur e rrugaçëror. Mosrealizimin e vizave për Kosovën, ai e quan "turp të Evropës!" Një akuzë kjo, sa paushalle, aq edhe e poshtër, e bërë për hatër të miqve të tij stalinistë, në koalicionin PAN.

Pushtetarët kriminelë e korruptivë të Kosovës, me mendësi të bandave të errësirës, të nëntokës, lëshojnë akuza në etër, pa fije mbulese, karshi ndërkombëtarëve, çlirimtarë faktik të Kosovës, si: mashtrim, pabesi, diskriminim, racizëm fetar e broçkulla të tjera të turpshme. Madje, edhe kërcënojnë me durimin e tepërt të popullit, me zhgënjimin e tyre nga sjellja mospërfillëse e injoruese e Evropës.

Populli i Kosovës, ditë e natë, përsërisin ofshamat: "Na e nxinë jetën këta hajna e kriminelë në pushtet"; "ja qitën faqen e zezë Kosovës, me poshtërsitë e tyre", "pacientët detyrohen të blejnë edhe dorëzat sterile për mjekët e tyre, ndërkohë që këta pushtetarë balosha, udhëtojnë, kotsekoti, me duzina nëpër botë", dhe të tjera akuza. Por, flasin e nuk veprojnë. Nuk denjojnë ta shoqërojnë as Albinin tonë në protestat e tij, të organizuara, pikërisht, për gjendjen zuzare të krijuar nga, siç thotë titulli i një kënge "Hajnat e Kosovës!"

Ndonëse takimi i 29 prillit, në Berlin, ishte fiasko dështuese e llaqomisë (zhargon për tufën e kuajve), enorme të pushtetarëve, Hashim presidenti shënoi një sukses: Ai "zbuloi" diçka të re se "kishte paqartësi për ecjen e këtij procesi" (të liberalizimit)! Uroj të ndodhë edhe liberalizimi i vizave, por, kurrë mos u beftë, nëse kostoja e tij është sa ajo e demarkimit të kufirit me Malin e Zi!

Habitë toleranca e shteteve Evropiane, ndaj abuzimeve kriminakle të krerëve politikë, përkatësisht, pushtetarëve aktual, të, cilët, krimet e përbashkëta, i bashkuan në koalicionin PAN!?

Por, një gjë dihet, madje, është e sigurt:

Serbia mbron krijesën e vet PAN, sepse, duke qenë ajo në pushtet, realizon, më lehtë, planet e saj diabolike. Ajo, pra, Serbia, imponon miqtë e saj ndërkombëtarë, t`i mbyllin sytë, për krimet politike dhe ekonomike të PAN-it, duke e lënë rahat, në pazaret e rrezikshme, deri në tjetërsim territori, ashtu siç bëri edhe me Demarkacionin me Malin e Zi.

Lexues të vëmendshëm, nga të dhënat faktike, në këtë shkrim modest, gjykoni vetë se sa është përmbushur edhe kushti i dytë, me parësi domethënëse, për progresin, ecjen para të një shteti, të cilin e kërkon Bashkimi Evropian, për liberalizimin e vizave, në Zonën Shengen?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat