Vuçiq në Shqipëri, Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Kosovës?

Politika

Vuçiq në Shqipëri, Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Kosovës?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 maj 2019 Në ora: 07:43
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq me 8 maj udhëton për në Tiranë për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lart të BE-së, Federica Mogherini në kuadër të procesit ‘Brdo-Brioni’ i cili mbahet në kryeqytetin shqiptar që zgjat dy ditë.

Temë diskutimi e këtij takimi ku nikoqir është kryeministri shqiptar Edi Rama, do të jetë Kosova.

Megjithatë, është për tu çuditur se përse duhet të diskutohet për Kosovën me Edi Ramën në Tiranë, kur Rama kritikohet për idetë e rrezikshme të tij së bashku me presidentin Thaçi, përkatësisht për idenë e “korrigjimit të kufirit” që nënkupton, ndarjen e Kosovës.

Rugova: Edi Rama është njeriu i fundit që duhet të flas për dhe rreth Kosovës

Naser Rugova, Deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike, ka thënë për “Bota sot” se Procesi Brdo-Brione po vazhdon me temat e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti në rajon nën një mbikëqyrje të BE-së.

Image
Naser Rugova

“Megjithatë unë vlerësoj se pas Samitit të Berlinit dhe atmosferës që mbizotëroj atje sa ju takon marrëdhënieve Kosovë-Serbi, zbehjes së rolit të BE-së në këtë proces e në veçanti e zonjës Mogerini, konsideroj se nuk është as vendi, e as koha e duhur që në këtë forum të hapet kjo çështje senzitive për rajonin dhe proceset integruese rajonale. Për shumë arsye Edi Rama është njeriu i fundit që duhet të flas për dhe rreth Kosovës, sepse atij nuk i takon. Nuk i takon dialogut me Serbinë, ai dhe partnerët e tij në Kosovë kanë rënë në provim për këtë çështje. Të tillët na kanë dëmtuar mjaft dhe ndihma e tyre më e madhe është vetëm të heshtin. Nuk kanë asnjë fije kredibiliteti të flasin në emër të shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka thënë deputeti Naser Rugova.

Makolli: Takimi i Berlinit i ka vënë gjërat në binarë

Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli ka thënë se Samiti i vendeve të procesit "Berdo - Brioni" është një takim vjetor i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka për qëllim integrimin Evropian të rajonit, përmes forcimit të bashkëpunimit fqinjësor.

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, ky takim një vit më parë është mbajtur në Shkup e sivjet nikoqir është Tirana.

“Kësaj radhe është rastësi që ky takim mbahet fill mbas takimit të Berlinit, dhe sigurisht që pjesëmarrësit e sidomos përfaqësuesit serb, shqiptar, e të Kosovës dhe përfaqësuesit e BE-së do ta kenë në agjendë edhe çështjen e Kosovës gjegjësisht zgjedhjen e problemit shqiptaro-serb. Arritja e një marrëveshje dhe zgjidhjen e kësaj vatre të krizës fatmirësisht për ne shqiptarët ka hy në agjendën e fuqive të mëdha e sidomos SHBA- dhe BE. Andaj takimet tjera si ky takimi që mbahet javën tjetër në Tirane, nuk janë të nivelit që mund të vendosin apo të ndikojnë qenësisht”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se takimi i Berlinit në masë të madhe i ka vënë gjërat në binarë, jashtë të cilave nuk do të ketë "manovrime".

“Definitivisht në Berlin është thënë jo ndryshimit të kufijve dhe frika që me arsye ka mbretëruar në opinionin e gjerë në Kosovë nuk duhet të na preokupojë. Takimi i Berlinit i ka vu në lëvizje edhe Diplomacinë Amerikane, pasi që pritet që përfaqësuesi i presidentit Tramp të takohet me Kancelarën Merkel. Nyja e Kosovës është një problem më madhor të cilin nuk mund ta zgjedhin niveli i Samitit që mbahet në Tiranë dhe as që mund të ndikojnë në masë të madhe. Andaj ne nuk duhet të na brengosë fakti që aty do të bisedohet edhe për Kosovën. Formula e arritjes së marrëveshjes shqiptaro-serbe, gjendet në Kancelaritë e Uashingtonit dhe të BE-së. Andaj ne duhet të jemi sy qel dhe unik në qëndrimet tona ndaj faktorit relevant ndërkombëtar për të arritur synimin tonë shekullor, njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe ulëses së dytë shqiptare në OKB”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli.

Shahu: Kush i ka dhënë mandat Edi Ramës kur Kosova ka figurat e veta

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se në kushte normale Vuçiqi ishte dashur të pritet me protesta të forta në Tiranë ose nuk do të duhej lënë të hynte fare në Tiranë.

“Natyrisht se Vuçiqi nuk ishte dashur të hynte në Tiranë nëse nuk kërkon së paku ndjesë për krimet serbe në Kosovë, ose edhe për 54 Hasjanët, Tropojanët e Kuksianet e vdekur nga minat serbe në kufirin Shqipëri – Kosovë. Për 257 invalidët e luftës që i bënë minat serbe që i vunë në territorin e Shqipërisë në 1.400 hektarë. Dhe nëse besojmë se të gjithë shqiptarët vërtetë jemi vëllezër, atëherë kjo nuk do duhet të ndodhë dhe njerëzit duhet të reagojnë. Vuçiqi dhe Rama duhen kallë sepse të dy sulmojnë Kosovën. Ky veprim është anti-Kosovë, më duket kurth ndaj Kosovës. Kush i ka dhënë mandat Edi Ramës kur Kosova ka figurat e veta. Ai mund të bëjë hartime dashurie për Kosovën, mund t`i vëj taksa poshtëruese në Kalimash, por nuk mund të vendosë si me Vuçiqin për fatin e saj”, ka thënë Shahu.

Sipas tij, nëse bëhet ky shou sa për t’ia rritur bursën në opinionin e brendshëm Ramës, prapë është shëmtim, sepse nuk do të bëhet më Pazar, me Kosovën në Tiranë, e as në Beograd.

“Ky është gjest i shëmtuar nga Rama e Vuçici, sepse Kosova ka Zot shtëpie. Kosova ka shtetin e vet udhëheqësit e vet dhe kurrë Tirana apo Edi Rama nuk duhen lejuar që të flasin për Kosovën para Prishtinës. Edhe mjaltë me nxjerrë nga goja për Kosovën Edi Rama apo kushdo tjetër i Tiranës nuk mund të flasë askush për Kosovën sepse ky është një krim ndaj Kosovës, është mohim i Kosovës”, ka thënë Shahu.

Sipas tij, patriotizmi folklorik se jemi vëllezër, nuk i jep të drejtë askujt t’ia ngulë thikën Kosovës pas shpine, sepse jemi vëllezër secili Zot në shtëpinë e vet.

“Nëse jemi vëllezër nuk duhet lejuar të fyhet e të poshtërohet vëllai. Edi Rama nuk e ka të ndaluar të flasë për Kosovën, por ai dhe cilido tjetër i Shqipërisë apo i Kinës, e ka të ndaluar të vendosë, firmosë të këshillojë apo sugjerojë për Kosovën. Kosova ka derdhë gjak një shekull për të vendosë vetë për veten. Dhe shkurt nëse drejtuesit politikë të Kosovës e lejojnë ti poshtërojë Edi Rama, atëherë ata duhet ta lëshojnë Kosovën. Edhe nëse Mogherini e Vuçiqi e bashkojnë Kosovën e Shqipërinë, nuk janë Rama e Hashimi krushqit e bashkimit”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Krasniqi: Edi Rama është duke punuar për interesat e Serbisë

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se kryeministri Edi Rama, po del hapur që është duke punuar për interesat e Serbisë.

Ai ka thënë se është e turpshme për lidershipin e Shqipërisë amë, që të shkel Kosovën për hir të Serbisë.

“Shqipëria do të duhej ishte gardian i Kosovës dhe shqiptarëve kudo që ata jetojnë dhe jo të synojnë ndarjen e saj dhe atë pjesë ta merr Serbia. Por, tani lind pyetja se çfarë do diskutohet në këtë takim, ku do jetë prezentë edhe komunistja Mogherini? Vazhdimi i dialogut Kosovë - Serbi, dhe korrigjimi i kufijve apo çfarë?! Por një gjë duhet ta dinë Edi Rama, Thaçi dhe Vuçiqi, sepse e kanë të kotë, pasi Gjermania veç ju tregoi që nuk ka lëvizje të kufijve. Megjithatë, në njërën anë po më bëhet qejfi që Edi Rama po e tregon fytyrën e tij të vërtetë, se shumë shqiptarë e Kosovës ekzaltoheshin me spektaklin e tij në Beograd. Dhe e gjitha kjo ka qenë vetëm një Shou, për të fituar zemrat e shqiptarëve të Kosovës” është shprehur politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat