Thika e grushte në shkollat e Kosovës, qeverisjet e këqija po e degradojnë shoqërinë

Politika

Thika e grushte në shkollat e Kosovës, qeverisjet e këqija po e degradojnë shoqërinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 maj 2019 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Rasti i mësueses Vlora Paci, e cila u ther me thikë javën e kaluar në prani të nxënësve të saj, në shkollën “7 marsi”, në Prishtinë, ka nxitur reagime të shumta.

Po javën e kaluar, tre nxënës të shkollës së mesme të agrobiznesit dhe teknologjisë “Abdyl Frashëri”, në Prishtinë, janë therur më thikë. Edhe kjo ngjarje, sikurse rasti i mësueses, ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës.

Dhuna në shkolla, përherë ka qenë një fenomen shqetësues në shoqërinë e Kosovës.

Qehaja: Kërkohet vëmendje institucionale

Lidhur me këtë, njohësi për çështje të arsimit, Rinor Qehaja, për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, këto raste janë shumë shqetësuese dhe dëshmojnë për mungesën e sigurisë në shkolla.

Image
Rinor Qehaja

“Dhuna fizike në shkollë shumë herë ka burim probleme socio- psikologjike të individëve, andaj pikësëpari problemi duhet të trajnohet me identifikim dhe përkrahje emocionale nga psikologët dhe komuniteti, në këtë rast edhe situatat si kjo eventualisht mund të parashikohen dhe parandalohen. Ky rast përkundër që morri më shumë vëmendje, na rikujton edhe për shumë incidentet të natyrës së njëjtë mes nxënësve dhe atë në intervale më të shpeshta. Andaj edhe zgjidhja e problemit kërkon më shumë vëmendje institucionale dhe përkushtim për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e sigurisë në shkolla” përfundoi Qehaja.

Kamberi: Akoma jemi në një fazë tranzicioni

Kurse, sociologu Ferdi Kamberi, për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, dhuna si fenomen konsiderohet si dukuri negative shoqërore e cila buron prej shoqërisë dhe e përcjellë atë në vazhdimësi.

Image
Ferdi Kamberi

Sipas tij, rastet kur prindërit kanë pasur ndonjë konflikt fizik me pedagogët e shkollës pothuajse kanë qenë të rralla.

“Rasti i fundit i cili ndodhi në një shkollë në Prishtinë tregon se megjithatë si shoqëri jemi goxha tolerantë ndaj dhunës. Nga këndvështrimi sociologjik mund të themi se shoqëria shqiptare kohës së fundit është bërë mjaftë tolerante ndaj dhunës dhe raste të tilla pasqyrojnë një pasiguri sociale si për nxënësit po ashtu edhe për vetë pedagogët. Kjo tregon se si shoqëri akoma jemi në një fazë tranzicioni, i cili si duket po shpërfaq një mori fenomenesh shoqërore të cilat nuk akceptohen lehtë nga shoqëria, shpërfaq një krizë të vlerave me të cilën po ballafaqohemi dhe si e tillë atakon identitetin tonë kolektiv. Sociologu Edëin H. Sutherland, thekson se sjelljet devijante dhe kriminaliteti në përgjithësi bëhet duke mësuar kriminalitetin nga kriminelët tjerë, i cili në të vërtetë është i afërt me konceptin psikologjik të mësimit. Ndërsa, teoria e dezorganizimit social pohon se dezorganizimi social ka të bëjë me çarjet, prishjen e ekuilibrit në unitetin e qëllimeve të shoqërisë dhe sjell deri te një gjendje e pa balancuar e shoqërisë, kjo pastaj shpërfaq një konflikt”, ka thënë socilologu Kamberi.

Ai konsideron se në këtë rast dezorientimet në shoqëri shpërfaqen atëherë me rastet e ndryshimit të kushteve të jetesës dhe shfaqjes së papërshtatshmërisë në kushtet e reja.

“Kjo do të thotë se mos ambientimi me rrethin dhe kushtet e reja të jetesës dhe mungesa e integrimit shoqëror prodhon një dukuri kriminale ose patogjene siç është dhuna. Gjithashtu, problemet dhe sfidat janë edhe në kuadër të bullizmit në shkolla për të cilin si fenomen flitet shumë pak në shoqëri, pavarësisht faktit që një pjesë e madhe e shkollave në Prishtinë kanë të instaluar kamerat e sigurisë, mirëpo në qytetet tjera këto raste janë goxha sfiduese dhe paraqesin rrezik dhe pasoja si për nxënësit po ashtu edhe për pedagogët”, është shprehur sociologu Kamberi ndër të tjera.

Kajtazi: Degradimi si pasojë e politikës

Image
Fadil Kajtazi

Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi për “Bota Sot“, ka thënë se, veprimet e shtuara të dhunës dhe përdorimi i armëve në këto akte janë manifestimi i një krize të përgjithshme shoqërore në Kosovë.

“Si rezultat i qeverisjeve të këqija, në institucionet tona janë vendosur njerëz të cilët strukturat shtetërore i kanë dobësuar dhe rruga e vetme që qytetarëve ju ka mbetur është marrja në dorë të ligjit. Si rezultat i ndërhyrjes politike në sistemin e arsimit, që 20 vite janë prodhuar mësues të dobët, gjykatës, polic, politikan dhe prindër të dobët. Kjo ka reaksionet e veta të cilat kanë filluar të ndikojnë, kanë filluar të kenë efekte duke filluar që nga Presidenti i vendit i cili vetëm para disa ditëve përformoi nivelin e dobët dhe qytetarët patën rastin të shohin se nga kush udhëhiqet ky vend, pastaj Kuvendi i Kosovës si organ më i lart i cili përdore fjalorin më banal e kështu me radhë. Prandaj kjo që ndodhi në shkollën “7 Marsi“ në Prishtinë është një akt i cili pasqyron masën e degradimit shoqëror si shkak i politikaneve të papërgjegjshëm që janë në krye të vendit“ ka thënë Kajtazi .

Tërnava: Rastet e përdorimit të armëve nga politikanët, shembull i keq

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, rasti i ndodhur, në pika të shkurtra na e përshkruan gjendjen në tërësi të shoqërisë tonë në Kosovë.

“Edhe ky rast në miniaturë, e konfirmon situatën totale të shoqërisë tonë, se si po zhvillohen gjërat në këtë shoqëri. Me këtë vërtetohet se krimi ka depërtuar në të gjitha poret e jetës, dhe tani nuk janë vetëm funksionarët (Kryeministri, Ministrat, zv/ Ministrat e të tjerë) që bartin armët pa leje dhe i përdorin vend e pa vend. Tani armë të ngjashme (thika) po i përdorin edhe prindërit ndaj mësueseve sipas vlerësimeve të tyre, sepse nëse të mëdhenjtë e shtetit i përdorin armët e zjarrta vend e pa vend, dhe i arsyetojnë ato, tani edhe prindër po dinë të tregohen si të fortë, duke i mbrojtur me pretekst fëmijët e tyre, duke tentuar që ata ti bëjnë ligjet në këtë shkollë. Me këto sjellje këta po e tregojnë veten se këta ecin një hap me qeveritarët, të cilët para ca muajve apelonin se “so burr ai i cili nuk e bane armën pa leje dhe qe si përdorë sipas adeteve”, sikur që e dëshmuan në odën e Limajt kur i shkrepen gjitha ato armë, dhe në fund të gjithë para gjyqit e argumentuan se ato ishin armë gasi dhe me këto të thëna i “binden” edhe gjyqtarët të cilët iu shqiptuan dënime me kushte, vepër kryesve. Sa e hidhur tani është kjo provojë e cila po jep efekte negative dhe po i shqetëson pa masë nxënësit dhe prindërit që i vijojnë mësimet, si në rastin e tanishëm kur nana e ther me thikë mësuesen e cila asaj ia mëson fëmijën”, ka thënë tërnava.

Sipas tij, sikur të luftohej rreptë shpërndarja e drogës nëpër shkolla, dhe të dënoheshin rreptë shpërndarësit e saj, edhe ky rast i therjes ndoshta nuk do të ndodhte.

Shala: Duhet vendosja e kamerave në shkolla

Image
Drizan Shala

Ndërsa, Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se, sa i përket sigurisë duhet të trajtohet në dy drejtime siguria brenda hapsires shkollore dhe siguria jasht hapsires shkollore.

“Deri para disa viteve konflikte ishin prezent vetem në nivelin e shkollave të mesme por duke parë këtë trend të vazhdueshem që veprimet kriminale po ndodhin edhe në nivel fillor kjo tregon që ministria dhe drejtoritë komunale së bashku me ato të shkollave dhe këshillin e prindërve të hartojnë një dokument në aspekt që të përcaktohen procedurat e veprimit të sigurisë ku bëjnë pjesë akteret siç janë: Mësuesi, prindi dhe nxënësi brenda hapsirës shkollore. Një ndër masat që duhen marrë është edhe paisja e klasave të shkollës me kamera ku përmes kësaj mase mund të parandalohen dhe të vërtetohet edhe veprimi qoftë i njërës apo pjesës tjetër të aktereve.", ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat