Pasi dështoi në Berlin, Thaçi shpreson në përkrahjen e SHBA-së për korrigjimin

Politika

Pasi dështoi në Berlin, Thaçi shpreson në përkrahjen e SHBA-së për korrigjimin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 maj 2019 Në ora: 20:38
Hashim Thaçi

“Unë besoj se SHBA-të do të jenë të kujdesshme që çfarëdo involvimi i mëtejshëm i tyre mos të tërheqë edhe përzierjen e Rusisë në proces, e që do të ishte tej mase e dëmshme për tërë procesin e dialogut”, thotë ai.

Ende nuk ka diçka zyrtare nga Samiti i Berlinit, por u përfol shumë ҫka që mund të ketë ndodhur në atë takim. U përmend që në aty është folur edhe për idenë për korrigjim kufijsh, por që kjo ide iu ishte dhënë si ‘shuplakë syve’ përfaqësuesve të Kosovës, nga përfaqësuesit më të lartë evropian. Përfaqësuesit e Kosovës ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Presidenti Hashim Thaҫi dhe gazetari Baton Haxhiu.

Ndonëse, dialogu me Serbinë ka stagnuar si shkak i taksës ndaj shtetit serb, Presidenti Thaçi e ka përmendur si mundësi të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto bisedime.

“Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së”, ka deklaruar Presidenti Thaçi pas Samitit të Berlinit.

Millaku: Thaçi po shpreson të gjej përkrahje te Amerika

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka deklaruar për “Bota sot” se pasi Presidenti Thaçi mori goditjen e fundit nga Samiti i Berlinit, shpreson se përkrahjen do të gjej te Amerika.

Image
Drita Millaku

“Presidenti Thaçi e ka humbur toruan, nga presioni i madh i Serbisë për ndarje të Kosovës duke e shantazhuar me Gjykatën Speciale. Ky i mjerë tanimë i dezorientuar nga Samiti i Berlinit ku kjo ide mori goditjen e fundit shpreson se do të gjejë përkrahje tek Amerika”, thekson deputetja Millaku.

Ajo thotë më tutje se Amerika nuk e përkrah një ide të tillë sepse kjo nuk shkon as në interesin e Amerikës as të Kosovës e as të stabilitetit në rajon e më gjerë.

“Prandaj Hashim Thaçi po mbetet pa oksigjen dhe tashmë është i dënuar me vdekje politike duke qenë personi me i urryer në qarqe kombëtare e ndërkombëtare. Megjithatë duhet të kemi shumë kujdes nga trinomi Thaçi-Vuҫiҫ-Rama të koordinuar nga Baton Haxhiu”, thekson ajo.

Përzierja e Rusisë do të ishte e dëmshme

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se prezenca dhe involvimi i SHBA-ve në të gjitha proceset e rëndësishme për dhe rreth Kosovës ka qenë në të kaluarën dhe do të mbetet në vazhdimësi i domosdoshëm.

Image
Bajram Gecaj

“SHBA-të kanë qenë të përfshira në dialog që nga fillimi dhe unë besoi se kjo do të vazhdoi edhe në të ardhmen. Nuk do të jenë të involvuara SHBA-të vetëm për hir të thirrjes së Presidentit, por për shkak të marrëdhënies së jashtëzakonshme të shteteve dhe popujve të dy vendeve dhe investimeve të deritashme të tyre në këtë projekt tonin të përbashkët”, vlerëson Gecaj për “Bota sot”.

Gecaj thotë se SHBA-të do të jenë të kujdesshme që Rusia të mos përfshihet në këtë proces.

“Unë besoj se SHBA-të do të jenë të kujdesshme që çfarëdo involvimi i mëtejshëm i tyre mos të tërheqë edhe përzierjen e Rusisë në proces, e që do të ishte tej mase e dëmshme për tërë procesin e dialogut”, thotë ai.

Zeqiraj: Hashim Thaçi ka ndjekur me vëmendje boshtin Rusi-Turqi-Serbi

Lidhur me kërkesën e Presidentit Thaçi për përfshirjen e SHBA-së në dialog dhe rrugën e tij politike që ai ka ndjekur tash e sa vite ka folur edhe publicisti Idriz Zeqiraj. Ai në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se sjelljet dhe veprimet e Thaçit si president janë të dëmshme dhe skandaloze për Kosovën.

Image
Idriz Zeqiraj

“Është shkruar e thënë aq shumë për batakçillëqet e Hashim Thaçit, sa është vështirë të thuhet diç të re. Por, nuk është vepruar fare, jo vetëm nga opozita, por, as nga populli i Kosovës. Sepse sjelljet e tij, në cilësinë e presidentit të vendit, janë aq të dëmshme e skandaloze për Kosovën, sa që kjo nuk mund të kufizohet vetëm me papërgjegjësinë e opozitës, për ta ndaluar revanshin e tij, por, është përgjegjësi dhe detyrë e popullit të Kosovës. Në partinë e tij ka afruar rreth vetës lakej si Hajdar Beqa me shokë. Horrakë e banditër janë edhe krerët e partive-banda, në koalicionin PAN, të cilët i kanë bashkuar krimet monstrume, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Portretizimin e Hashim Thaçit e ka bërë, në sintezë, Komandanti i Luftës së Kosharës, deputeti i tanishëm, Anton Quni." hajn, profiter, kriminel", thekson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se Presidenti Thaçi brenda kësaj kohe ka ndjekur me vëmendje boshtin Rusi-Turqi-Serbi, për të arritur afrimin me të parin e këtij boshti.

“Zakonisht, Demokratët amerikanë, kanë qenë më të butë karshi Rusisë, komunizmit. Dërgimi Apaçëve, nga Administrata e Klintonit kundër Serbisë, për ta stopuar gjenocidin e mëtejmë ndaj shqiptarëve të Kosovës, i prishi raportet, madje, me fund, me Demokratët amerikanë. Republikanët, me Trump president, e anashkaluan traditën. Befasi, u zbutën karshi Rusisë. Është përfolur për preferencën ruse për Trump, në përballje me Hillari Klinton, në garimin për president, siç është quajtur "ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale më 2016. "Një aleancë SHBA-Rusi, bota mund të jetë më e mirë dhe më e sigurtë",- dërgon mesazhe përafrimi Presidenti Trump. Ai është në favor të kësaj ideje kur thotë se "ka potenciale shumë të mëdha, për marrëdhënie shumë të mira me Rusinë". Ndërkohë, Hashim Thaçi ka ndjekur me vëmendje boshtin Rusi-Turqi-Serbi, përkatësisht, Putin, Edogan, Vuçiq. Ai ndër vite ka kokëtuar me dy të fundit, për ta arritur edhe afrimin me të parin e bushtit”, thekson ai.

Letra e Trumpit dhe qëndrimi i Boltonit

Sipas tij, ideja për "shkëmbim të territoreve" apo "korrigjimin e kufijve", është synim i hershëm i serbëve. E përsëritën, tani, Vuçiqi me bandën e tij, sepse e gjetën njeriun e duhur, Thaçin, me dosjen voluminoze që ka Serbia për atë.

“Letra e Presidentit Trump, dërguar presidentëve Vuçiq dhe Thaçi, ishte sa urdhëruese, aq edhe domethënëse. Me kompromisin dhe kënaqjen e palëve në konflikt, e lënë krejt të hapur mundësinë e ndryshimit të kufijve, nëse palët dakordohen. Edhe më i zellshëm është John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump. Ai është fort i angazhuar me rrjedhën e dialogut, në mes Kosovës dhe Serbisë. Një cytje shtesë është fëmijëria e tij e kaluar në Beograd, madje një motër e lindur aty, kur babai ishte ambasador në Jugosllavi. Ajo letër e ledhaton dhe e trimëron Hashimin, për të ngulmuar në realizimin e planit serb, për ndarjen e Kosovës, në këmbim të favoreve, që do të kishte për vete nga Serbia: Së pari, heshtjen e krimeve të Thaçit, kundër kundërshtarëve politikë shqiptarë të Kosovës, kryesisht, veprimtarë të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Së dyti, premtimi që u bëri Mongherini, për t`u akorduar - Çmimin Nobel -, për arritjen e paqes, presidentëve Vuçiq dhe Thaçi. Dhe, ky çmim do t`i jepte njëfarë shansi, për t`u mëshiruar nga Gjykata Speciale, kur dihet se ajo ka liruar kriminelë faktik serbë dhe shqiptarë”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se ngulmimi i Hashim presidentit, për përfshirjen e SHBA-së dhe rolin vendimtar të tyre në dialog, është frika e tij personale, sepse ai është i shantazhuar me dosje, është peng i Serbisë dhe për të shpëtuar nga Specialja, mbështetët tek më i forti, siç janë SHBA-së.

“Pa asnjë hamendje, është jetike miqësia jonë me Amerikën, si forcë parësore në çlirimin e Kosovës. Por, në rastin konkret, Administrata aktuale, ka një qasje, paksa të dyshimtë. Sikur kërkon edhe kënaqjen e Serbisë, ani pse në kurriz të Kosovës. Andaj, kjo qasje, të paktën, në dukje, është shumë shqetësuese për popullin e Kosovës”, thekson Zeqiraj për “Bota sot”.

Maxharraj: Thaçi ka mbetur vetëm

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi po e ushtron këtë rol të cilin e uzurpuar me presione dhe shantazhe tek partitë politike.

Image
Binak Maxharraj

“Realisht Hashim Thaçi nuk është President i Kosovës,a i veç po e luan këtë rol të cilin e uzurpoj me zor duke bërë presione dhe shantazhe tek partitë politike dhe veçmas të deputetët. Ky njeri është aq konfuzë sa që është vështirë me i ra në fije. Ky njeri tjetër gjë folë, tjetër gjë vepron, ky njeri ndër sy të mashtron, të rrenë, është manipulues dhe krejt puna e tij ”shtetërore” lidhet më interesat e tij personale e jo me ato shtetërore. Është në gjendje që për interesat e tij ta shkelë edhe Kushtetutën”, thotë Maxharraj.

Ai thotë më tutje se gjatë gjithë procesit të dialogut Serbia ka luajtur si ka deshtë me Hashim Thaçin, e ka sjellë në atë gjendje gjoja se Kosova është agresore e jo Serbia. Serbia nuk i zbaton marrëveshjet me Kosovën, e pengon Kosovën ne arenën dhe mekanizmat ndërkombëtar, bile edha ja heq njohjet.

“Ky njeri shkoi aq larg në lojën e djallit me Serbinë sa i hyri edhe punës për cenimin e sovranitetit të Kosovës, përmes diagolimit edhe për korrigjimin e kufijve, të cilët janë me Kushtetutë të pacenueshme. Për këtë ai u futë në agjenturat sekrete proserbe dhe pro ruse, që së bashku me grekofilin Edi Rama dhe rrugaҫin Baton Haxhiun e nisën projektin e djallit për ndarjen e Kosovës. Për këtë bëri lidhje me dreqin dhe të birin, që ky projekt të kaloj. Bile Hashim Thaҫi vete nëpër qendra të ndryshme të vendosjes ndërkombëtare lobonte për ndarjen e Kosovës duke i dhënë si shkak botës se me ne diçka nuk është në rregull. Kjo i pati edhe efektet e veta sepse që tri vite u ndalën njohjet e reja, duke u habit se çka po ndodhë me këtë shtet, kështu që relacionet ndërkombëtare nisen të ftohen me Kosovën dhe ky njeri i çartur mentalisht të injorohet dhe të izolohet nga marrëdhëniet ndërkombëtare”, thekson profesor Maxharraj.

“Kjo u pa edhe në Samitin e Berlinit i cili sikur u bë me qëllim që ky njeri të ndalohet në copëtimin e shtetit të vetë. Për idenë e tij ai në Berlin nuk gjeti kurrfarë përkrahje, u izolua, aty nuk i ndihmoi as Vuçiqi e as Mogherini e cila në Samit shkoi si e paftuar, sepse ishte bashkëmendimtar dhe shtytëse e projektin për copëtimin e Kosovës. Por Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel e ngriti zërin lartë duke ju thanë të gjithëve se nuk ka ndarje të Kosovës, duke theksuar se Kosovën nuk e çliruam për ta ndarë, për ta copëtuar. Në këtë Samit pra askush nuk ishte me Thaçin, ai mbeti si qyqe i vetmuar, i përjashtuar nga të gjithë u “leçitë” tërësisht nga katundi siç thotë populli”, vlerëson Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat