Daku: Çdo pengesë për liberalizimin e vizave të tejkalohet

Politika

Daku: Çdo pengesë për liberalizimin e vizave të tejkalohet

Nga: G.B Më: 7 maj 2019 Në ora: 22:28
Selim Daku

Tërheqja e taksës në këmbim të liberalizimit të vizave është përmendur edhe më herët si mundësi.

Por, së fundmi diplomati gjerman Wolfgang Ischinger i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që ta heqin taksën, në mënyrë që të marrin liberalizimin e vizave.

Se a duhet të hiqet taksa, në mënyrë që të kemi liberalizim të vizave, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, ka thënë se propozimi i tij nuk është i veçantë dhe krahasimi i tij nuk ka ndonjë relevancë.

“Diplomati Ischinger nuk ka bërë ndonjë propozim të veçantë në raport me taksën dhe liberalizimin e vizave. Krahasimi që diplomati i njohur ka bërë, për mua nuk ka ndonjë relevancë. Taksa ndaj produkteve dhe mallrave të Serbisë është vënë për arsye tjera, ndërkaq liberalizimi i vizave nuk duhet të bëhet për të njëjtat arsye”, është shprehur ai.

Sipas Dakut, Kosova duhet ta fitojë liberalizimin e vizave si rezultat i kritereve të plotësuara dhe jo si rezultat i pazareve në kurriz të taksës.

“Kosova liberalizimin e vizave duhet të e fitojë si rezultat i kritereve të plotësuara, të cilat i ka konfirmuar edhe vetë Parlamenti Evropian dhe jo si rezultat i ndonjë pazari që mund të bëhet në kurriz të taksës ndaj produkteve serbe. Bile, taksa ndaj produkteve serbe është vendosur si rezultat i mos-reagimit të BE-së ndaj fushatës aspak korrekte dhe agresive të Serbisë ndaj sovranitetit të jashtëm të Kosovës”, ka vlerësuar Daku.

Ai thotë se taksa është vendosur për shkak të fushatës së Serbisë, që ka cenuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Serbia me fushatën e saj ka vazhduar të cenojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe ka detyruar këtë të fundit që të ndërmarrë një veprim minimal që sjellë pasoja simbolike për Serbinë”, ka thënë më tej ai.

Sipas Dakut, nëse hipotetikisht taksa mund të jetë pengesë për liberalizimin e vizave, duhet të largohet ajo dhe çdo gjë që nuk e cenon qetësinë e shtetit dhe e bën të mundur lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Nëse hipotetikisht, taksa mund të cilësohet si pengesë e radhës për liberalizimin e vizave, është më se e qartë se ajo duhet të largohet menjëherë. Çdo gjë që nuk cenon qenësinë e shtetit dhe bën të mundur lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen është e nevojshme për tu ndërmarrë”, ka deklaruar Selim Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat