“Pushteti i komandantëve e ka tejkaluar çdo cak”, analisti politik zbulon koalicionin e ardhshëm

Politika

“Pushteti i komandantëve e ka tejkaluar çdo cak”, analisti politik zbulon koalicionin e ardhshëm

Nga: N.H Më: 7 maj 2019 Në ora: 23:12
PAN

Analisti politik, Rexhep Shahu, duke e komentuar kërkesën e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se pasi janë provuar shumë formula të ndryshme, pse mos të provohet edhe një mes të LDK-së dhe VV-së.

“Kur janë provuar shumë formula bashkëpunimi pse të mos provohet edhe LDK me VV-në por nën drejtimin e LDK-së. Unë do të doja që të bashkohet kushdo dhe ta bjerrë fuqinë e PDK-së e të komandantëve, ta bjerrë fuqinë e atyre që thirren në luftë dhe në falsifikime, ta bjerrë fuqinë e komandantëve e haraçistave”, ka thënë Shahu.

Ai konsideron se një aleancë e mundshme e LDK-së me VV-në, por nën drejtimin e LDK-së do të ishte më e sigurt dhe më morale.

Image
Rexhep Shahu

“Një aleancë e mundshme e LDK-së me VV-në, por nën drejtimin e LDK-së do të ishte besoj më e sigurt dhe më morale për Kosovën, me qeverisje jo me partizanë, por me ekspertë. Ndërsa, një qeverisje e udhëhequr nga Vetëvendosje më duket se ende nuk e gjen vetën në Kosovë”, konsideron ai.

Në fund, ai ka potencuar se nuk e di se kush mund të jetë formula bashkëpunuese, por e di se pushteti i komandantëve e ka tejkaluar çdo cak në ushtrim pushteti dhe është bërë shumë tepër.

“Përvojat e kaluara nga LDK-ja në bashkëqeverisje me PDK-në nuk kanë lënë shije të ëmbël dhe rreziku i përsëritjes së uzurpimit të pushtetit nga segmente të VV-së nëse qeveris me LDK-në, rrezikojnë.  Nuk e di se kush mund të jetë formula bashkëpunuese, por di se pushteti i komandantëve e ka tejkaluar çdo cak në ushtrim pushteti dhe është bërë shumë tepër”, ka përfunduar analisti politik Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, i ka bërë thirrje LDK-së të thellojë bashkëpunimin e saj për të ndalë “PANhajninë”.

Sipas Pacollit bashkëpunimi i Albin Kurtit me Isa Mustafën ndalën idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim e ndryshim kufijsh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat