Një shishe për Batonin!

Politika

Një shishe për Batonin!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 maj 2019 Në ora: 11:57
Baton Haxhiu dhe Mesila Doda

Një shishe për Baton Haxhiun. Jo në kokë. As të hapim ndonjë të tillë për të festuar. Më mirë të themi një shishe infuzioni për Baton Haxhiun, pasi ende ka dhimbje koke nga “shpartallimi” që i bëri ish deputetja Mesila Dodaj. Një e vërtetë e madhe e përplasur në fytyrën e Baton Haxhiut, ish bashkëpunëtorit të Stanishiqit, u përcoll me emocione nga shqiptarët (ne) që e duam Kosovën.

Ato që tash e sa vite po ia thonë Baton Haxhiut indirekt, ia tha Mesila në fytyrë, duke mos e lënë që ta fliste asnjë fjalë më tepër këtë njeri që është kthyer kundër popullit shqiptarë me përkrahjen dhe lobimin e tij të vazhdueshëm që Veriu i Kosovës të kalojë në Serbi, pasi siç thotë ai, Kosova nuk ka autoritet në atë pjesë. Këtu e ka gabim. Marko Gjuriq u arrestua në veriun e Mitrovicës vitin e kaluar, na njësit speciale të Policisë së Kosovës. Arrestimi u krye konform ligjeve të Kosovës që dëshmon se atje Kosova ka shtrirje dhe do të ketë gjithmonë. Mbi të gjitha, ajo pjesë është nën hartën e territorit të Republikës së Kosovës.

Por, pse po merremi me Baton Haxhiun?

Sigurisht se nuk do të merrej askush po të mos ishte një lloj zëdhënësi i shtetit të Kosovës, apo gazetar i Kosovës. Kjo për shkak se ka mbështetjen e vazhdueshme të presidentit Thaçi nga Kosova dhe kryeministrit Rama nga Shqipëria.

Kjo treshe, që secili ka një funksion, e Baton Haxhiu këtu e luan rolin e urës lidhëse mes Beogradit dhe Prishtinës. Sigurisht se ai ka miq të mirë në Beograd. Kjo u pa edhe në përqafimin “vëllazëror” me Vuçiqin në Samitin e Berlinit.

Çka është më e keqja, ai po lëshon deklarata me tendencë për të prishur marrëdhëniet me Gjermaninë, shtetin mik i Kosovës. Sigurisht se kuptohet pse. Gjermania ka dalë kategorisht kundër idesë për prekje kufijsh, që do të thotë kanë dalë edhe kundër Batonit, Thaçit, Vuçiqit dhe Ramës.

Përpjekja e Batonit për të ndryshuar deklaratat e tij, iu ndërpre në gjysmë nga Mesila Doda, e cila gozhdoi Batonin me fjalën gënjeshtër të përcjellur nga vendosshmëria e saj e brendshme dhe me qëllim mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Kur Mesila kapi shishen për ta goditur, Batoni u skuq dhe mbeti i shtangur, pasi asnjëherë nuk e kishte menduar se dikush do ta sulmonte, çoftë edhe me një laps. Kjo për shkak se ai është nën ombrellën e “çeliktë” të presidentit, i cili mbron njerëzit e vet nga çfarëdo kërcënimi.

Ndoshta, kjo përplasje e Mesilës me Batonin, do ta bëjë këtë të fundit që të qëndrojë indiferent nga çështjet të cilat nuk i takojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat