Shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale, garanton zbardhjen e vrasjeve politike

Politika

Shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale, garanton zbardhjen e vrasjeve politike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 maj 2019 Në ora: 07:53
Disa nga viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Shumë zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë vrarë e autorët e vrasjeve të tyre nuk janë zbuluar.

Së fundmi, ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se duhet të zbardhen vrasjet e 200 zyrtarëve të LDK-së dhe gazetarëve e anëtarëve të thjeshtë.

Berisha ka deklaruar se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duhet të shkojë në Hagë dhe të pastrohet.

“Raporti i DickMartyt është i bazuar në dosje te prokurorit të Beogradit. Por të them dhe tjetrën, janë 200 anëtarë dhe drejtues të LDK-së të ekzekutuar pas lufte. E them dhe këtë unë. Janë 200, jo një, duke filluar prej drejtueseve kryesor, gazetar e anëtarë të thjesht. Ky është numri i saktë që po iu them unë, nëse se dini. Ky duhet të shkojë atje, të pastrohet, unë nuk di të këtë kryer ndonjë krim, për asnjeri s’di, por Gjykata u ngrit për raportin e Dick Martyt”, ka thënë Berisha.

Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është përgjigjur për gazetën, në lidhje me akuzat e ish Kryeministrit Sali Berisha. 

Hajdaraj: Kemi nevojë për drejtësi humane e njerëzore dhe jo drejtësi politike

Image
Shpëtim Hajdaraj

Lidhur me këtë, Shpëtim Hajdaraj, djali i ish veprimtarit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Berisha është dashur t’i përmend vrasjet sa ka qenë kryeministër, por edhe pse vonë, duhet të thuhet e vërteta.

“Ish Kryeministri?! O sa mirë do ishte dhe do ja kisha ditur për nderë po t’i thoshte këto sa ishte Kryeministër dhe atë për dy mandate (8vite). S'ka asgjë të re këto vitet e fundit që t’i ketë mësuar ky ndërkohë, sepse vrasjet janë që nga lufta e disa vite pas lufte. Besoj që i ka ditur edhe më parë. Por sado vonë, ma mirë vonë se kurrë të thuhet e vërteta”, është shprehur ai.

Hajdaraj thotë se kur Berisha ishte kryeministër, e ka kundërshtuar raportin e Dick Marty-t, derisa shton se në intervista duket konfuz, pasi dëshiron zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, e në anën tjetër thotë se Gjykata Speciale është formuar sipas raportit të Marty-t.

“Nuk e di a e ka lexuar ish kryeministri raportin e hetuesit special Clint Ëilliamson, ku ndër të tjera në raport ceken edhe vrasjet e kundërshtarëve politikë? Në kohën sa ishte kryeministër e di që shumë e ka kundërshtuar e etiketuar raportin e Dick Marty-t (ndoshta me të drejtë?!), por edhe në këtë intervistë po duket konfuz, në njërën anë dëshiron ndoshta të zbardhen vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, e në anën tjetër thotë se Gjykata Speciale është formuar në bazë të raportit të Marty-t. Gjykata speciale është formuar me ligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shpëtim Hajdaraj.

Sipas tij, për të kontribuar në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, e mjaftueshme nga ana e tij do të ishte që të nxitë drejtësinë ta zbardhjen vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Për të kontribuar në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, do të mjaftonte nga ana e tij që të kërkonte dhe ta nxiste drejtësinë në zbardhjen e vrasjes së Ministrit të Mbrojtje kolonel Ahmet Krasniqit. Ne kemi nevojë për drejtësi humane e njerëzore dhe jo drejtësi politike. Uroj ta ketë sinqerisht”, ka thënë Hajdaraj për “Bota sot”.

Vrasjet politike, njollë e zezë e drejtësisë në Kosovë

Image
Naser Rugova

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se moszbardhja e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, vazhdon të jetë njollë e zezë për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare.

“Konsideroj që moszbardhja e vrasjeve politike të veprimtarëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe komandantëve të shquar që ishin të afërt me LDK-në, vazhdon të jetë njollë e zezë e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, shoqëria e Kosovës nuk do të qetësohet pa u zbardhur këto krime.

“Pa zbardhjen e këtyre krimeve, nuk do të qetësohet shoqëria kosovare, uroj dhe besoj fuqishëm që shpata e drejtësisë ta godasë këtë fare të keqe, kushdo qofshin ata”, ka deklaruar deputeti Rugova për gazetën “Bota sot”.

Hije dyshimi mbi Thaçin, pse?

Në anën tjetër, profesori universitar, Enver Bytyçi përmend hartimin e raportit të DickMarty-t për krimet gjoja të UÇK-së, që u adresuan ndaj Hashim Thaçit, për çka ky i fundit paralajmëroi ballafaqim në gjyq, por që nuk ndodhi.

“Në vitin 2010 Dick Marty hartoi raportin e tij të sajuar në Beograd për të ashtuquajturën krime të UÇK-së në Kosovë. Madje në atë raport senatori zviceran raportoi në Këshillin e Evropës për ekzistencën e një shtëpie të verdhë në Gurbadh të Matit, ku na qenkëshin bërë transplanto organesh të serbëve të masakruar gjoja prej UÇK-së. Fantazia e Dick Marty-it e tejkalonte në fakt mitologjinë serbe të luftërave dhe përpjekjeve për krijimin e Serbisë së Madhe. Akuzat kryesore u adresuan aso kohe personalisht kundër ish shefit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi. Ky, nga ana e tij, u revoltua dhe u betua se do të ballafaqohej në gjyq ndërkombëtar ose zviceran me senatorin Dick Marty. Por kjo nuk ndodhi kurrë, çka hedh hije dyshimi për Hashim Thaçin”, ka thënë Bytyçi.

Më pas, profesori tregon se si kryeministri Berisha u bë gati të shkonte në Strasburg për ta mbrojtur UÇK-në dhe Thaçin, por nuk mundi të shkonte për shkak të ngjarjeve të 21 janarit.

“Më 24 janar 2011 u bë debati për këtë raport në Këshillin e Evropës, organizëm ky autoritativ në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Kryeministri Berisha ishte përgatitur të shkonte vetë në Strasburg atë ditë me qëllim që ta mbronte Hashim Thaçin dhe UÇK-në nga kjo akuzë e rëndë zyrtare e KE-së. U morën asokohe ekspertë të fushës në Tiranë për të përgatitur të gjithë argumentet kundër akuzave të Dick Marty-it. Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe jo vetëm e UÇK-së ishte objektivi kryesor i Sali Berishës. Por ndodhën ngjarjet e 21 janarit dhe kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë nuk mundi të shkojë në Strasburg. Sido që të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në KE e bëri punën e tij në mbrojtje të UÇK-së dhe kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi”, është shprehur ai.

Sa i përket Thaçit, Bytyçi thotë se ai nuk shkoi as të mbrohet e as të paraqitet në sallat evropiane dhe kjo pasi ishin 70 mijë faqe dosje kundër tij dhe Beogradi tentoi dhe ta ndalonte atë përmes Interpolit, e për shkak të trysnisë së madhe ndaj tij, Bytyçi thotë se ai harroi çfarë kishin bërë serbët në Kosovë.

“Ndërkohë që ky i fundit nuk mundi as të mbrohet, as të vetëmbrohet, as të shfaqet në gjyqe, as në sallat evropiane. Gati sa nuk u struk si struci. Pse ndodhi kjo? Sepse Beogradi kishte ngritur akuzat, të cilat Dick Marty i mori dhe i përhapi në institucionet evropiane. Jo pak, por 70 mijë faqe kishte në dosjen e tij prokurori special i Serbisë. Shumica kundër Hashim Thaçit. Madje Beogradi tentoi që ta ndalojë kryeministrin e Kosovës disa herë përmes Interpolit në aeroportet evropiane. I bënë presion të paparë numrit një të Kosovës, derisa e futën në thes për t’i shërbyer krijimit të Serbisë së Madhe. Aq e madhe u bë trysnia serbe, sa Hashimi harroi që Serbia kishte masakruar mbi dhjetë mijë shqiptarë të pafajshëm në tre muaj dhe harroi se ajo kishte përdhunuar 20 mijë gra e vajza të Kosovës. Harroi edhe shkatërrimin e krejt Kosovës e djegien e saj. U mor vetëm me b*... e vet”, është shprehur më tej profesori.

Bytyçi: Ai erdhi në pushtet përmes konfliktit dhe përgjakjes së Kosovës

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ai flet më pas për formimin e Gjykatës Speciale për shkak të presionit dhe më pas tentativës për ta zhbërë atë, kur Thaçi ra në ujdi me Vuçiqin e Ramën.

“U vu nën presion dhe pranoi ngritjen e gjykatës speciale në Hagë. Kur ra në ujdi me Vuçiqin e Edi Ramën për ndarjen e Kosovës, tentoi ta bindë parlamentin që ta revokojë vendimin e tij për Gjykatën Speciale. Ishte garantuar nga Beogradi dhe nga Moska se në këmbim të mbështetjes për ndryshimin e kufijve, nuk do të kishte ndonjë intervenim të Serbisë dhe Rusisë për tu ankuar për revokimin e Gjykatës Speciale. Por nuk mundi t’ia arrinte kësaj. Ndërhynë ndërkombëtarët e sidomos amerikanët. Nuk e lejuan Thaçin ta realizojë zhbërjen e Gjykatës Speciale”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai vlerëson se ngritja e speciales evidentoi implikimin e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij në eliminimin e kundërshtarëve politikë shumica dërmuese personalitete të spikatura të Lidhjes Demokratike të Rugovës.

“Por ngritja e kësaj gjykate evidentoi diçka interesante. Implikimin e Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij në eliminimin e kundërshtarëve politikë shumica dërmuese personalitete të spikatura të Lidhjes Demokratike të Rugovës, por edhe gazetarë dhe njerëz të tjerë të vullnetit të mirë, të cilët shiheshin si pengesë për pushtetin e Hashim Thaçit. Ai erdhi në pushtet përmes konfliktit dhe përgjakjes së Kosovës. Pikërisht kjo pjesë e krimeve që Hashim Thaçit mund të ketë bërë e le atë pa gjumë”, ka thënë profesori.

Thaçi duhet të pastrohet nga akuzat kundër tij

Bytyçi pajtohet me ish kryeministrin Berisha që presidenti Thaçi të shkojë në Hagë dhe të pastrohet, e më pas të kthehet e të ribëhet president.

“Me Serbinë ka rënë në ujdi dhe prokurori special i Beogradit nuk do ta çojë dosjen në gjykatën speciale sa kohë që Thaçi do të punojë për krijimin e Serbisë së Madhe. Krimet kundër asaj kategorie njerëzish në Kosovë, të cilat i përmend Prof. Dr. Sali Berisha janë dëshmia më e dukshme e veprimtarisë antiligjore të presidentit të sotëm të vendit, Hashim Thaçi. Kështu që ai duhet të shkojë në Hagë, vullnetarisht, duke heq dorë nga posti i Presidentit, me qëllim që të pastrohet nga akuzat e ngritura kundër tij. Pas kësaj le të vijë në Kosovë dhe të ribëhet president a kryeministër, pra të merret me politikë. Duke u vetë pastruar me shkuarjen në Hagë Hashim Thaçi i bën një shërbim të jashtëzakonshëm Kosovës dhe vetes së tij, por edhe Partisë Demokratike të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Bytyçi thotë se si shembull e ka Ramush Haradinajn, që u largua nga detyra, shkoi në Hagë dhe u pastrua nga akuzat e tij, e nëse kështu nuk bën dhe Thaçi, Bytyçi thotë se më së shumti dëmtohet Kosova.

“Shembullin konkret e gjen te Ramush Haradinaj, i cili guxoi të largohet nga detyra e kryeministrit e të shkojë në Hagë, jo njëherë, por dy herë, duke e pastruar veten e tij nga akuzat e tmerrshme që ia kishte përgatitur Beogradi bashkë me prokurorët e Gjyqit Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi. Nëse Thaçi nuk do ta bëjë këtë, por do të zvarritet në modelin serb të mohimit absurd të krimeve, atëherë do të dëmtohet më së shumti Kosova dhe shtetësia e saj. Shkuarja e Thaçit në gjyqin special të Hagës është një garanci për zbulimin e vrasjeve të pasluftës, sepse ato vrasje nuk janë kryer nga serbët, por nga shqiptarët dhe për arsye politike. Nëse nisemi se kush ishte i interesuar për kryerjen e atyre vrasjeve, del përgjigjja e thjeshtë se të interesuar ishin Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët mendonin se pushteti i takon atyre që bënë luftën. Ndërkohë qytetarët e Kosovës votuan për Lidhjen Demokratike dhe Ibrahim Rugovën. Pamundësia për ta mundur Rugovën me vota, i çoi ata të përdorin vrasjet”, ka përfunduar profesori universitar, Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat