Lufta Thaçi-Vuçiq për jetësimin e idesë së Qubrilloviqit për ndarjen e Kosovës

Politika

Lufta Thaçi-Vuçiq për jetësimin e idesë së Qubrilloviqit për ndarjen e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 maj 2019 Në ora: 18:36
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

“Pra në rrezikojmë që të bëjmë edhe një hapje të tërësisë territoriale të Kosovës dhe si gjithmonë mundësia është shumë e madhe që Thaçi të na kthehet në fund e të na thotë, ‘se as kjo nuk funksionojë dhe duhet një tjetër raund bisedimesh’. Me fjalë tjera, historia tregon se Thaçi është i rrezikshëm në këtë proces”, është shprehur Avni Zogiani.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiq po luftojnë për idenë e ndryshimit të kufijve.

Madje, Vuçiq thotë se kjo ide ka qenë e tij, ndërsa nga ana tjetër Thaçi insiston se kjo ide ishte e tij.

Thaçi ditë më parë ka thënë se ideja e korrigjimi të kufijve është e tij dhe ai është angazhuar edhe në Samitin e Berlinit për këtë.

Kurse Vuçiq është deklaruar se ndryshimi i kufijve ishte plani i tij dhe se ky plan i ka dështuar në Berlin.

Salihaj: Thaçi është më militant i madh se sa vetë serbët për Serbinë e Madhe

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se ndryshimi i kufirit nënkupton ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës dhe bashkëngjitjen e tij Serbisë.

Sipas tij, ky është plan i vjetër serb, i përkrahur nga Rusia, për fuqizimin e shtetit serb dhe për dominimin serbo-rus në Ballkan.

Image
Adem Salihaj

“Për t'i mashtruar shqiptarët, Vuçiqi fillimisht e porositi Thaçin që ta përhap sa më shumë këtë ide, në mënyrë që të mos dihet se kjo është ide serbe. Duke marrë parasysh se unë dhe shumë të tjerë ia çorrëm maskën Thaçit, atëherë Vuçiqi doli hapur me planin e tij, që të dihej se ai ishte plani serb për krijimin e Serbisë së Madhe. Tashmë të gjithë e dinë se ky është plan i vjetër serb, i përkrahur nga Rusia, të cilin mundohet ta realizojë Thaçi. Thaçi është më militant i madh se sa vetë serbët për realizimin e planit për Serbinë e Madhe. Mendoj se ka më shumë se një arsye për këtë. Unë besoj fuqishëm se Thaçi qysh gjatë luftës, në mos edhe më herët, është bërë argat i Serbisë. Tash, përveç tjerash, Serbia e kërcënon me burg për krimet e kryera gjatë luftës. Por, nëse Thaçi arrin t'ia japë Serbisë një copë të madhe të Kosovës, atëherë Serbia tërhiqet nga akuzat e Dik Martit dhe Thaçi shpëton nga burgu. Mendoj se kjo nuk është e tëra. Ka edhe diçka që fshehët këtu. Besoj se gradualisht do të dalin ne shesh të gjitha tradhtitë e Thaçit”, ka thënë ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Millaku: Ideja e Qubriloviqit

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë se kjo ide nuk është as e Thaçit as e Vuçiqit por e Qubriloviqit.

Image
Drita Millaku

“Thaçi dhe Vuçiqi vetëm janë marrë vesh që kjo ide të jetësohet. Dhe gjithë kjo po bëhet nga dy persona që po tentoj që nëpërmes të ideve të tilla të qëndrojnë në politik edhe për një kohë”, ka thënë Millaku.

Zogiani: Thaçi është i rrezikshëm në këtë proces

Ndërsa, Avni Zogiani nga VV-ka thënë për “ Bota sot” se nuk është edhe aq e rëndësishme se kush e dha këtë ide, sa është e rëndësishme fakti, se çfarë pasojash mund të sjell ajo, pasi sipas tij, kjo ide kërcënon vetë ekzistencën e Kosovës si shtet.

Image
Avni Zogiani

“Qëndrueshmëria e Kosovës ka qenë e vënë në pikëpyetje pikërisht për shkak të proceseve që janë bartur nga Thaçi. Që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidenti dhe ish-ministri e kryeministri Thaçi ka siguruar popullin e Kosovës se dialogu me Serbinë është duke çuar drejt njohjes së shtetit të Kosovës. Në fund të këtyre negociatave ai tha se duhet filluar një raund tjetër bisedimesh, ose Kosova do të kthehet në një lloj Palestine”, ka thënë Zogiani.

Ai ka pohuar se, edhe në lidhje me ndryshimin e kufijve Thaçi ka thënë se Serbia nuk e ka për obligim ta njohë Kosovën që në fillim të procesit.

“Pra në rrezikojmë që të bëjmë edhe një hapje të tërësisë territoriale të Kosovës dhe si gjithmonë mundësia është shumë e madhe që Thaçi të na kthehet në fund e të na thotë, ‘se as kjo nuk funksionojë dhe duhet një tjetër raund bisedimesh’. Me fjalë tjera, historia tregon se Thaçi është i rrezikshëm në këtë proces”, është shprehur Avni Zogiani.

Kjo ide ka rënë në Berlin

Ndërkaq analisti politik Faton Mehmeti ka pohuar se insistimi i Thaçit që kjo ide është e tija nënkupton që mos të njolloset që po punon për Serbinë, për çka është akuzuar së fundi.

Sipas tij, kjo si ide është ide e vjetër serbe, por që po merr autorësi nga Hashim Thaçi dhe të disa shqiptarë të tjerë.

Image
Faton Mehmeti

“Kjo si pasojë që Thaçi ka bërë pazare në dëm të interesave të Kosovës dhe në favor të tij, e që faktikisht tani duhet të mbrohet pas tezave se gjoja një gjë e tillë qenka në të mirë të Kosovës. Megjithatë kjo ide ka ra në Berlin, dhe tashme për këtë ide mund të flasim vetëm në kohën e kryer, pasi nuk ka shanse që të ardhmen një gjë e tillë të realizohet, pasi Gjermania është kundër dhe e cila e ka fjalën kryesore për Ballkanin”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Kurse politologu Faik Krasniqi ka thënë se çështja e korrigjimit të kufijve është çështje e mbyllur. Kjo për faktin se në Samitin e Berlinit, kjo ide u varros njëherë e përgjithmonë, pasi Gjermania tha “jo”.

Sipas tij, arsyet mund të jenë të ndryshme që po bëhet gjithë kjo luftë për lëvizje të kufijve.

Image
Faik Krasniqi

“Besoj që mbrapa saj qëndron Rusia, e cila dëshiron që përmes lëvizjes të kufijve në Ballkan, një gjë të tillë ta shfrytëzojë edhe në rastin e Krimesë, dhe ligjërisht atë pjesë të Ukrainës ta bëjë pjesë të territorit të saj. Por kjo temë ka mbaruar, sepse me lëvizjen e kufijve mes dy shteteve hapet Kutia e Pandorës, dhe kjo ndikon në gjithë botën”, është shprehur politologu Faik Krasniqi.

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani ka thënë se kjo ishte ide e koordinuar e Thaçit, dhe e Ramës dhe e disa njerëzve sporadik që merren me politik në Kosovë.

Sipas tij, disa njerëz të involvuar në këtë çështje, sepse kjo çështje e korrigjimit të kufijve është negociuar me Vuçiqin dhe BE-në.

Image
Blerim Burjani

“Jo rastësisht Thaçi ka hapur këtë temë apo ka hap Kutin e Pandorës dhe si zgjidhje përfundimtare është problemi i Kosovës me Serbinë rreth problemit të kufirit. Kosova i ka kufijtë e vitit 1974 që duhet të mbetën në fuqi pa asnjë ndryshim”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat