“Me Mogherinin si ndërmjetësuese të dialogut, rrezik që të zbatohej plani për ndarjen e Kosovës”

Politika

“Me Mogherinin si ndërmjetësuese të dialogut, rrezik që të zbatohej plani për ndarjen e Kosovës”

Nga: N.H Më: 15 maj 2019 Në ora: 15:00
Federica Mogherini

Thomas Ossowski, diplomat nga Gjermania, ka qëndruar dje për një vizitë në Serbi, ndërsa raportohet se atje është takuar me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.

Nga ky qëndrim në Beograd, Ossowski në një intervistë, ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Samitin e Berlinit dhe atë që pritet të mbahet në Paris me 1 korrik të këtij viti.

Teksa ka folur për Samitin e Parisit që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti, Ossowski ka thënë se ai takim do të jetë një mundësi e mirë për të rinisur bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar dhe që sipas tij kjo bllokadë paraqet rrezik.

“Stagnimi i dialogut për normalizimin e raporteve bart rreziqe të caktuara. Prandaj në fillim të korrikut në Paris do të mbahet një takim, që do të jetë përsëri një përpjekje për të rinisur dialogun e Brukselit, me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme, afatgjate dhe që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Gjermania dhe Franca e mbështesin formatin ekzistues të dialogut”, ka thënë Thomas Ossowski.

Lidhur më këtë, se a është rrezikshëm ngecja e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është deklaruar edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi.

Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk ka rrezik për Kosovën që ky dialog ka ngecur, sepse, sipas tij, me një ndërmjetësuese si Mogherini, do të ishte rrezik që të zbatohej plani për ndarjen e Kosovës.

“Dialogu me Serbinë ka ngecur, por në njërën anë është mirë qw ka ngecur. Nuk ka asnjë rrezik për Kosovën që ky dialog ka ngecur, sepse me një ndërmjetësuese si Mogherini, do të ishte rrezik që të zbatohej plani për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka thënë se dialogu pas zgjedhjeve të brendshme në Bashkimin Evropian do të rifilloj, ndërsa një gjë e tillë do të ndodhë pa Mogherinin dhe Hahn.

“Pas zgjedhjeve të brendshme në Bashkimin Evropian që pritet të mbahen brenda këtyre 10-12 ditëve, dialogu me Serbinë do të vazhdojë. Por, do të vazhdojë me një udhëheqje të re të Bashkimit Evropian, pa Mogherinin dhe Hahn. Që do të thotë se çdo gjë do të jetë në favorin tonë”, ka përfunduar Krasniqi.

Ndryshe, në Samitin e Parisit do të marrin pjesë vetëm përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e kancelares Merkel dhe presidentit Emanuel Macron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat