Voca akuzon lidershipin se po marrin iniciative ku prekun popullin ku i dhemb më së shumti! - Bota Sot
Voca akuzon lidershipin se po marrin iniciative ku prekun popullin ku i dhemb më së shumti!

Politika

Voca akuzon lidershipin se po marrin iniciative ku prekun popullin ku i dhemb më së shumti!

Nga: D. B. Më: 15 maj 2019 Në ora: 18:20
Mirsad Voca

Bota e politikave të biznesit dhe konsumit në rritje në perëndim u manifestua me “tuxharllak politikë” në Ballkan e sidomos në Kosovë, jo më shumë. Kjo për faktin se qindra milion humbje nga afera e Telekomit, është vazhdë e krimeve ekonomike dhe politike në Kosovë.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike dhe njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se rrënjët e këtij problemi datojnë shumë vite më parë apo me fillimin e kapjes shtetit dhe çdo institucioni shtetëror.

Sipas tij, probleme sikur ky i Telekomit do të dalin në pah edhe më shumë sepse siç e thotë një proverb tek ne “çfarë të mbjellësh edhe do të korrësh”.

“Tani, Kosova ka më së shumti dhe urgjentisht nevojë të ndërtohet si Shtet funksional e jo si një organizatë që reflekton krim të organizuar, korrupsion masiv, nepotizëm të paparë, në krye të së cilës «hypin e zhdrypin» shefa të grupeve të ndryshme mafioze. Në Kosovë u krijuan grupe të tipit jo trimi por hajni i mirë me shokë shumë. Gjykata që krye parlamentari dhe shokët e tij e promovojnë në rrethana ku Shteti po bëhet edhe më pak funksional, është humbje energjie, kohe dhe parave, sepse dihet që në fillim se krimet serbe nuk do të trajtohen dhe gjykohen nga një iniciativë e tillë.

Jo rastësisht, kjo ndërmarrje po bëhet në rrethana kur vendi po vuan nga probleme të shumëfishuare. Duke filluar nga një Politikë anti-sovrane, sepse Presidenti nuk rresht së promovuari idenë ekskluzivë të tij për diçka që nuk do askush, ndryshim kufijsh. Askush nuk i kupton arsyet se pse një promovim i tillë përveçse potencialisht arsyeve të tija personale. E them prapë se këto pretendime për bashkëngjitje apo shkëputje territori bien ndesh me nenin 2 e 3 të Kushtetutës ku stimulohet se çdo pretendim për bashkëngjitje apo dhënie territori është kundër kushtetuese. Dhe hiq më pak se presidenti i Republikës së Kosovës po pretendon këtë gjë”, ka thënë Voca.

Sipas tij, një këmbim territori nuk do t’i sjellë Kosovës asgjë vetëm regres dhe për më tepër nuk ka asnjë garanci se Serbia do jap territor dhe Historia nuk e thotë se Serbisë i është marrë territor pa luftë.

“Krahas këtyre krimeve shtetërore ngritën iniciativa nga disa liderë për ndërtimin e një gjykate që do të dënonte krimet serbe në Kosovë. Kur ke probleme të brendshme dhe me vetveten, psikologjia e thotë se fillon një fazë e viktimizimit. Krimet serbe duhen patjetër dënuar mirëpo unë besoj në një qasje krejt tjetër ndaj Shtetit hegjemonist serb. Si pikë e parë ndaj Shtetit gjenocidial serb, Kosova do të ishte deshtë të përgjigjet me konsolidim të brendshëm në Drejtësi dhe Ekonomi. Sepse ne kërkuam për një shekull pavarësi dhe Shtet. Kjo nuk ka ndodh ende edhe 20 vite pas luftës. Për t’u realizuar një sistem i tillë, për të filluar punën, duhet të ndalen fillimisht politikat populliste e folklorike të cilat kanë për qëllim zakonisht devijimin e opinionit të brendshëm për qëllime të caktuara të një individi apo grupi të interesit e që më së paku janë në interes të popullit e funksionalizim të Shtetit, ani pse ato politika shihen në opinion si shtetërore apo në të mirë të shoqërisë. Pastaj të luhet edhe pas 20 viteve me ndjenjat e familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, është e paskrupulltë dhe e papranueshme nga çdo prizëm”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se një inicitaivë e tillë shihet më shumë si një mburojë ndaj krimeve ekonomike e politike në vend ndaj të cilave nuk ofrohet zgjidhje.

“Për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit të brendshëm dalin me iniciativa që prekin aty ku më së shumti i dhemb popullit të Kosovës, dhe punohet për tu lakuar opinioni i brendshëm në interes të grupeve mafioze dhe jo për funksionalizimin e Shtetit. Këto krime ekonomike e politike dhe kjo qasje e lidershipit në Kosovë po e vret ardhmërinë e rinisë së Kosovës e cila po ik masivisht nga vendi sidomos që nga viti 2015. Shifrat e atyre që e kanë braktisur vendin viteve të fundit janë mbi 200 mijë banorë. Kjo është tragjike dhe alarmuese. Po t ‘ishte e mundshme, edhe të rënët për këtë vend do të na falnin po t ‘arrinim ta ndërtojmë Shtetin e ta ndalojmë ikjen e ardhmërisë së vendit, Rinisë së saj. Çdo iniciativë tjetër është irelevante për këtë vend”, është shprehur Voca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...