Kritikat e Ambasadës, Abazi: Paradite në bankën e të akuzuarve, pasdite pazare me buxhetin e shtetit

Politika

Kritikat e Ambasadës, Abazi: Paradite në bankën e të akuzuarve, pasdite pazare me buxhetin e shtetit

Nga: G.B Më: 16 maj 2019 Në ora: 07:53
Mbledhja Qeverisë, foto arkiv

E shqetësuar dhe me kritika ndaj veprimeve të Qeverisë për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta dhe personave të dënuar për krime lufte, është shprehur Ambasada Amerikane në Kosovë të martën.

Përmes një komunikate për media, Ambasada ka shprehur shqetësimin serioz, duke thënë se veprime të tilla minojnë besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privojnë vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe mëse të kualifikuar për të kryer punën në Qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve.

“Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Image
Haki Abazi

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se situata është e rëndë në të gjithë sektorët dhe mungesa e papërgjegjësisë dhe llogaridhënies kanë bërë që në pozita të larta të vijnë njerëz të pakualifikuar dhe me të kaluar kriminale.

“Me kohën është duke ndodhur një bashkërendim i të gjitha forcave që ja duan të mirën Kosovës dhe shteti e mirëqenies së qytetarëve për të kundërshtuar praktikat e dëmshme dhe të rrezikshme. Situata e rëndë në të gjithë sektorët, mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në nivelet e larta institucionale kanë bërë që njerëz të papërgjegjshëm dhe të pakualifikuar e me të kaluar kriminale të jenë pjesë e pozitave të rëndësishme publike. Nuk mundet që paradite të jetë njeriu i ulur në bankën e të akuzuarve me vepër penale dhe pasdite të bëjë pazare me buxhetine shtetit”, ka theksuar Abazi.

Ai ka përmendur raste të shumta që janë grupi Pronto e shumë të tjerë, që e konsiderojnë shtetin si pronë private, derisa shton kjo nuk është brengosje momentale por situata është alarmante dhe sistemi është i kapur.

“Këso raste kemi të shumta, janë grupi PRONTO, është ministri Beqaj, kemi një varg figurash nga parti të ndryshme që kanë vazhduar ta konsiderojnë shtetin dhe buxhetin si pronë private dhe në mënyrë të pamëshirshme janë duke e vjedhur dhe shkatërruar thelbin e funksionimit të brishtë te shteti të ri. Këto sinjale dhe mesazhe që po ju vijnë në vazhdimësinë nga njerëz të mediave, shoqërisë civile dhe intelektuale e dashamirë të shtetit tani kanë filluar për çdo ditë e më shumë te vijnë edhe nga ambasadorët e shtetet mike. Kjo nuk është vetëm brengosje momentale por situata është alarmante sa i përket gjendjes në vend dhe të gjitha arsyet e largimit të popullatës tanimë janë të qarta. Sistemi është i kapur dhe jofunksional pikërisht nga hiper popullimi i administratës shtetërore me njerëz familjarë dhe të pakualifikuar”, ka deklaruar HakiAbazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat