Ramush Tahiri flet për emërimet e personave me të kaluar kriminale në institucione

Politika

Ramush Tahiri flet për emërimet e personave me të kaluar kriminale në institucione

Nga: G.B Më: 16 maj 2019 Në ora: 15:10
Ramush Tahiri

Pavarësisht të kaluar apo kualifikimeve, shumë njerëz kanë pozita të larta shtetërore. E së fundmi ambasada amerikane në Kosovë ka reaguar ndaj veprimeve të qeverisë për emërimin e personave të pakualifikuar dhe me aktakuza për krime, në pozita të larta shtetërore, duke u shprehur kundër kësaj dukurie.

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se parimi ligjor është i qartë dhe duhet të respektohet, nëse Kosova dëshiron të jetë shtet ligjor me rend dhe sundim të ligjit.

“Kryeministri Haradinaj tha se gjatë punës edhe mund të bëhen gabime dhe se vërejtjet në letrën e Ambasadës së SHBA do të merren parasysh e do të shqyrtohen dhe do të reflektohen. Parimi ligjor është i qartë dhe duhet të respektohet nëse Kosova dëshiron të jetë shtet ligjor me rend dhe sundim të ligjit”, është shprehur ai.

Tahiri thotë se parim demokratik është prezumimi i pafajësisë deri në një vendim plotfuqishëm gjykate, ndërsa çështja e moralit individual por edhe i shoqërisë është se a duhet të japë dorëheqje nëse i ngritët aktakuza.

“Parim civilizues e demokratik është prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të plotfuqishëm gjykate. Nëse ngritët një aktakuzë dhe bëhet një hetim ndaj personin ai konsiderohet i pafajshëm derisa me vendim gjyqi të shkallës së fundit, të shpallet i fajshëm. Çështja e moralit individual por edhe të shoqërisë se a duhet të dorëhiqet nëse i hapet hetimi dhe i ngritët aktakuza. Pra a është krejtësisht i pafajshëm dhe a është i njëjtë si me aktakuzë si pa aktakuzë, dhe a mund të kihet ndikim në proces nëse personi është ministër, kryeministër apo zyrtar tjetër shteti apo lider partie, pra a ndikon në dëshmitarë, a ndikon në fakte a ndikon në prova etj. Secili shtet këto i rregullon sipas specifikave të veta dhe çka dëshiron dhe synon të arrijë”, ka vlerësuar ai.

Megjithatë, politologu thotë se nuk është standard demokratik që të emërohet në një funksion të lartë, dikush që më herët ka qenë i dënuar për kryerje të veprës penale.

“Është mekanizëm ligjor që hetimet bëhen në liri në arrest shtëpiak apo shkon në paraburgim. Gjithashtu Gjykata me vendim së bashku me dënim në kohëzgjatje jep edhe masën e ndalesës së ushtrimin të funksionit publik alo edhe të profesionit.. Megjithatë nuk është standard i lartë demokratik nëse dikush zgjidhet në një funksion ose emërohet a më herët ka qenë i dënuar për kryerje të veprës penale”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat