Fotografitë e përdhunimeve të luftës ishte dashur të nxirren në tavolinën e bisedimeve

Politika

Fotografitë e përdhunimeve të luftës ishte dashur të nxirren në tavolinën e bisedimeve

Nga: K.M Më: 16 maj 2019 Në ora: 17:27
Analisti Fadil Lepaja

Deputetja e PDK-së Flora Brovina ka tronditur gjithë opinionin e gjerë, me një foto që vendosi ta publikojë, ku shihet një grua e gjakosur tek sa përdhunohej nga tre ushtarë kriminelë serb, para syve të familjarëve të viktimës.

 Ndonëse kjo foto është dashur të publikohet shumë kohë më herët për mbarë opinionin, megjithatë njohës të çështjeve juridike thonë se kjo fotografi ka vendin në prokurori e jo në Kuvend.

Analisti Fadil Lepaja konsideron se ky është veprim i gabuar, dhe jo human, pasi sipas tij, këto fotografi është dashur të dërgohen që nga paslufta, në adresa të duhura për të drejtat e njeriut.

 Ai ka thënë për “ Bota sot” se këtë fotografi ishte dashur të nxirren në tavolinë të bisedimeve, për të treguar fytyrën e vërtetë të shtetit serb, të cilën e kanë ruajtur me sukses pala jonë në bisedime, duke pranuar të bisedojnë me Serbinë, madje as pa kërkuar falje institucionale për krimet e luftës në Kosovë.

“Fotografit e tilla të cilat i paskan pasur politikanët, i bëjnë përgjegjës ata, jo vetëm moralisht por edhe penalisht, nëse me qëllim i kanë mbajtur në sirtar, e nuk i kanë dokumentuar me to krimet ndaj popullatës civile në Kosovë. Publikimi i tyre në mediume, është i parakohshëm dhe i dizajnuem për me mbërri efekte të brendshme, dhe jo me dokumentue krimin te ata që duhet dokumentuar. Në vend të kësaj, fushate për të luftuar dyshimet për krime ndaj popullsisë serbe, me dokumente për krimet ndaj popullsisë civile shqiptare, është dashur që në fillim të insistohet në mos diskriminimin e viktimave mbi baza nacionale, por të krijohet Tribunali për të hetuar krimet e luftës, pavarësisht nga nacionaliteti i viktimave apo krimineleve të dyshuar”, ka thënë Lepaja.

 Sipas tij, atëherë kur është dashur, kreu politik kishte heshtur dhe kishte ulur kokën, edhe pse opinioni kritik kishte kërkuar që të pranohej gjykata vetëm pa diskriminim mbi baza nacionale.

 “Në fund, kur bisedimet e fshehta, u dekonspiruan për faqe të zezë, dhe Serbia tregoi se jo vetëm se nuk e ka ndërruar aspak politikën ndaj shqiptarëve dhe nuk ka hequr dorë nga pretendimet teritoriale ndaj shqiptarëve, por ka synuar dhe ka arritur të ndërroi opinionin botëror për atë se kush ishte viktimë dhe kush kriminel në luftën e Kosovës. E keqja më e madhe doli të jetë fakti se qoftë me padije qoftë me qëllim, pjesëmarrja e Kosovës në dialog i ka kontribuar pikërisht synimeve serbe. Më e pakta që mund të bëhet, është që të rishikohet plotësisht formati dhe përbërja e përfaqësuesve zyrtar të Kosovës në dialog, dhe të mos pranohet asnjë bisedë për dialog derisa Serbia të mos kërkoj falje institucionale për krimet e formacioneve serbe në Kosovë”, është shprehur Lepaja.

Ai konsideron se kryeministri, duhet të thërras ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe tu ofroj këtë dosje me fotografi, dhe jo e njëjta të publikohet nëpër media, ku mund të shihet edhe nga qytetarët, dhe më e keqja mund të identifikohen. “Një dosje të tillë, Brovina duhet të ja jepte edhe Presidentit , për informim të zonjës Mogherini, dhe gjithë ndërmjetësuesve tjerë në dijalog, dhe jo të i nxjerr në media për efekte të brendshme, sepse populli i Kosovës nuk ka nevojë për fotografi të cilat ende i ka të gjalla nga jeta reale, por ka nevojë për me pa një angazhim serioz, e dinjitoz të udhëheqësve institucional të këtij vendi”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, analisti Fadil Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat