Komandantët zhvatës sfidojnë durimin e Amerikës

Politika

Komandantët zhvatës sfidojnë durimin e Amerikës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 maj 2019 Në ora: 08:18
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

E shqetësuar dhe me kritika ndaj veprimeve të Qeverisë për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta dhe personave të dënuar për krime lufte, është shprehur Ambasada Amerikane në Kosovë të martën.

Përmes një komunikate për media, Ambasada ka shprehur shqetësimin serioz, duke thënë se veprime të tilla minojnë besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privojnë vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe mëse të kualifikuar për të kryer punën në Qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve.

“Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Lidhur me këtë, nga Qeveria janë përgjigjur shkurt se nuk është komentuar asgjë për komunikatën e ambasadës.

“Nuk kanë komentuar asgjë këta”, ka thënë për “Bota sot” Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë.

Zemaj: Kjo qeveri ka devijuar plotësisht

Image
Armend Zemaj

Ndërsa, deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është detyrim ligjor që të kemi qeverisje me duar të pastra, por që kjo qeveri ka devijuar nga këto parime.

“Kjo është detyrim edhe ligjor edhe i përcaktimit tonë për një qeverisje të mirë dhe me duar të pastra. Fatkeqësisht kjo qeveri ka devijuar plotësisht nga këto parime, jo vetëm duke pasur njerëz të emëruar me aktakuza dhe të dënuar por ka shkuar edhe përtej kësaj duke zgjedhur dhe njëherësh edhe duke vazhduar me emërime të njerëzve të cilët kanë bërë shkelje të ligjit në Kosovë”, është shprehur ai.

Zemaj thotë se vërejtjet e SHBA-së janë tregues i një shqetësimi real që po e dëmton Kosovën dhe të ardhmen e saj.

“Edhe vërejtjet që vijnë nga miqtë ndërkombëtarë e sidomos nga SHBA dhe shtetet mike Evropiane është tregues i një shqetësimi real i cili është duke e dëmtuar Kosovën dhe të ardhmen e saj euroatlantike”, ka deklaruar deputeti Zemaj për “Bota sot”.

Millaku: Qeveria nuk mund të shkëputen nga krimi për shkak se këta jetojnë nga krimi

Image
Drita Millaku

Kurse, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kodi i etikës nuk e lejon emërimin e njerëzve me akuza për vepra penale në pozita të larta shtetërore por kjo nuk është standard për Qeverinë.

“Kodi i etikës nuk e lejon emërimin e njerëzve me akuza për vepra penale në pozita të larta shtetërore por për qeverinë e kriminalizuar kjo nuk është standard prandaj nuk besoj se qeveria jonë mund të shkëputet nga krimi dhe kriminelët. Qeveria nuk do t’i marrë parasysh vërejtjet e Amerikës. Dhe nuk mund të shkëputen nga krimi për shkak se këta jetojnë nga krimi, dhe janë të kriminalizuar deri në palcë”, ka vlerësuar ajo.

Sipas Millakut, për një qeveri të përgjegjshme, nuk do të kishte nevojë që gjëra të tilla të përkujtohen.

“Për një qeveri të përgjegjshme nuk do të ishte e nevojshme që gjëra të tilla elementare të na përkujtohen nga askush e veçanërisht nga ambasadat e vendeve mike por kjo do të duhej të ishte detyrë dhe obligim qeveritar,biles obligim themelor”, ka deklaruar deputetja Millaku për gazetën “Bota sot”.

Paradite në bankën e të akuzuarve, pasdite pazare me buxhetin e shtetit

Image
Haki Abazi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se situata është e rëndë në të gjithë sektorët dhe mungesa e papërgjegjësisë dhe llogaridhënies kanë bërë që në pozita të larta të vijnë njerëz të pakualifikuar dhe me të kaluar kriminale.

“Me kohën është duke ndodhur një bashkërendim i të gjitha forcave që ja duan të mirën Kosovës dhe shteti e mirëqenies së qytetarëve për të kundërshtuar praktikat e dëmshme dhe të rrezikshme. Situata e rëndë në të gjithë sektorët, mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në nivelet e larta institucionale kanë bërë që njerëz të papërgjegjshëm dhe të pakualifikuar e me të kaluar kriminale të jenë pjesë e pozitave të rëndësishme publike. Nuk mundet që paradite të jetë njeriu i ulur në bankën e të akuzuarve me vepër penale dhe pasdite të bëjë pazare me buxhetine shtetit”, ka theksuar Abazi.

Ai ka përmendur raste të shumta që janë grupi Pronto e shumë të tjerë, që e konsiderojnë shtetin si pronë private, derisa shton kjo nuk është brengosje momentale por situata është alarmante dhe sistemi është i kapur.

“Këso raste kemi të shumta, janë grupi PRONTO, është ministri Beqaj, kemi një varg figurash nga parti të ndryshme që kanë vazhduar ta konsiderojnë shtetin dhe buxhetin si pronë private dhe në mënyrë të pamëshirshme janë duke e vjedhur dhe shkatërruar thelbin e funksionimit të brishtë te shteti të ri. Këto sinjale dhe mesazhe që po ju vijnë në vazhdimësinë nga njerëz të mediave, shoqërisë civile dhe intelektuale e dashamirë të shtetit tani kanë filluar për çdo ditë e më shumë te vijnë edhe nga ambasadorët e shtetet mike. Kjo nuk është vetëm brengosje momentale por situata është alarmante sa i përket gjendjes në vend dhe të gjitha arsyet e largimit të popullatës tanimë janë të qarta. Sistemi është i kapur dhe jofunksional pikërisht nga hiper popullimi i administratës shtetërore me njerëz familjarë dhe të pakualifikuar”, ka deklaruar HakiAbazi për gazetën “Bota sot”.

Shahu: Kapot e veshur me pushtet i bëjnë karshillëk edhe Amerikës

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është lajm special nëse ndodh përkrahja e qartë amerikane, pasi bota shqiptare ka vuajtur nga emërimet e kriminelëve në pushtet.

“Është lajm special nëse ndodh kjo përkrahje e qartë amerikane. Fatkeqësisht bota shqiptare ka vuajtur dhe po vuan rëndë nga emërimet e kriminelëve në pushtet, në poste, nga emërimet e hajnave, kopukëve, dallkaukëve, oligarkëve, haraçistëve. Bota shqiptare ka vuajtur atë që vuajti Shqipëria pas luftës së dyte botërore kur analfabetët morën pushtetin dhe i bënë gjëmën Shqipërisë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, komandantët në Kosovë zhvatën pasurinë e saj dhe rrëmbyen pushtetin dhe kur të shpëtojë Kosova nga njerëz me akuza për krime, atëherë do të ketë qetësi.

“Edhe Kosovës i ndodhi kjo kur komandantët përveç zhvatjes së pasurive të Kosovës rrëmbyen gjithë pushtetet në Kosovë dhe kjo erdhi si mallkim. Kur të shpëtojë Kosova nga pushtetarët, njerëzit me akuza për krime, atëherë do të ketë qetësi”, ka vlerësuar Shahu.

Ndërsa, sa i përket asaj se sa do të mund të merren parasysh këto kritika nga qeveria, ai thotë se nuk dihet, pasi kapot në pushtet i bëjnë karshillëk edhe Amerikës.

“Por sa do merren parasysh këto vërejtje amerikane, nuk e di, sepse kapot e veshur me pushtet i bëjnë karshillëk edhe Amerikës”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat