Flora Brovina, instrument i Kadri Veselit

Politika

Flora Brovina, instrument i Kadri Veselit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 maj 2019 Në ora: 10:28
Kadri Veseli dhe Flora Brovina

Deputetja e PDK-së Flora Brovina ka tronditur gjithë opinionin e gjerë, me një foto që vendosi ta publikojë, ku shihet një grua e gjakosur tek sa përdhunohej nga tre ushtarë kriminelë serb, para syve të familjarëve të saj.

Fotografia dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë. Dhunimi sipas saj, ka ndodhur në sy të familjes.

Këtë fotografi dhe dëshmi të tjera, Brovina tha se i kanë paraqitur edhe herëve të tjera, por që sipas saj, asnjëherë prokuroria speciale, qoftë edhe EULEX-i, nuk kanë marrë masa ndaj askujt.

Deputetja Brovina ka deklaruar se gruaja që është në fotografi është ende gjallë dhe është e gatshme të dëshmojë për këtë rast, derisa ka potencuar se i njeh ata që e kanë dhunuar.

Brovina: Një fotografi që është gjetur në aparatin e një ushtari serb që kanë dhunuar gruan

“Unë këtë rast nuk po e paraqesë për herë të parë, por tani më sikur jemi adaptuar si institucione që të jemi më të guximshëm. Sepse edhe herëve të tjera në konferenca ndërkombëtare që janë mbajtur këtu në Prishtinë kam treguar faktikisht realitetin qoftë për dhunimet, qoftë për elementet gjenocidiale që janë bërë ndaj popullit shqiptar nga forcat militare, paramilitare serbe. Me një fjalë unë akuzoj shtetin serb. Rasti në fjalë është një fotografi që është gjetur në aparatin e një ushtari serb është gjetur kjo foto që dëshmon dhunën ose aktin, mënyrën se si i kanë dhunuar gratë. Kjo është vetëm njëra nga mënyrat kur i kanë detyruar familjarët që ta shohin aktin e dhunës seksuale. Ndërsa, shumë raste kemi kur ato janë mbledhur shumë në numër gra dhe sistematikisht i kanë dhunuar ushtarët serb, duke iu shkaktuar jo vetëm shqetësim shpirtëror, do të thotë trauma shpirtërore por edhe fizike, sepse shumë nga to ende vuajnë nga pasojat shëndetësore që i kanë pësuar gjatë dhunimit", tha ajo.

Brovina ka shtuar se askush deri më tani nga Prokuroria Speciale nuk i ka intervistuar këto viktima të dhunës seksuale.

Sipas saj, tek tani është zgjuar vetëdijesimi i institucioneve të Kosovës që për viktimat e dhunës seksuale duhet që përveç se të flitet, të punohet edhe për të ngritur akuza.

Brovina: Për këto viktima duhet të ngrisim akuza konkrete

"Gruaja është 50 vjeçare, kur ka ndodhur e kanë detyruar të afërmit e vet që ta shohin dhunimin e ushtarëve serb ndaj gruas që atëherë ka qenë 35 vjeçare... Realisht tani është zgjuar vetëdijesimi institucional që për këto viktima jo vetëm të flasim për to, por edhe të ngrisim akuza konkrete ndaj shtetit serb kujtoj unë, sepse shteti ka qenë gjithë strumbullari i këtyre të këqijave. Individët gjithashtu kanë faj individual, por gjenocidin e ka bërë shteti, sepse nuk mund ta bësh një akt seksual të dhunshëm pa dëshirën e vet personit, prandaj ata edhe individualisht kanë faj, por kanë faj edhe si shtet”, tha jo.

Fotografia e publikuar në Kuvendin e Kosovës nga deputeteja Flora Brovina, ka nxitur reagime të shumta. Për një pjesë të opinionit kjo fotografi ishte dashur të publikohej më herët për t`i treguar botës për krimet e tmerrshme që ka kryer ushtria serbe në Kosovë.

Kurse, ana tjetër e opinionit e kanë gjykuar deputeten Brovina për publikimin e kësaj fotoje, duke thënë se me të njëjten është dashur të merren organet e drejtësisë.

Ndër të parat që kanë reaguar lidhur me publikimin e fotografisë, ka qenë Vasfije Krasniqi Goodman, femra e parë që publikisht e pranoi se ka qenë viktimë e përdhunimit nga kriminelët serb.

“Unë kam aq shumë për të thënë, por unë nuk mund të them asgjë ? #20years”, ka shkruar Goodman në profilin e saj në Facebook.

Kajtazi: Kjo formë e tillë e publikimit nuk është në rregull për hir të viktimave

Image
Lirie Kajtazi

Ndërsa, deputetja e LDK-së Lirie Kajtazi, për gazetën “Bota sot” ka thënë se, me këto foto është dashur të merret drejtësia vendore e ndërkombëtare.

Sipas saj kjo formë e tillë e publikimit nuk është në rregull për hir të viktimave. Të gjithë kanë mundur të bëjnë më shumë...Kriminelëve s'duhet t’ia falim në asnjë kohë, përfundon deputetja Kajtazi.

“Për qytetarët viktima është dashur të veprohet që nga herë. Nuk po dua të besoj se politikanët e kanë lënë të flasin kur ju duhet atyre, e jo kur i është dashur të veprojnë për drejtësinë e viktimave të krimit”, është shprehur Kajtazi.

Avokati Besnik Berisha, ka pohuar se ky është një veprim që nuk i shërben drejtësisë për viktimat e tilla, përkundrazi i ri viktimizon, kjo për faktin se ato foto duhet të dorëzohen në Prokurori, e jo të shfaqen në media.

“Drejtësia do të duhej të vjen nga Gjykata e Prokuroria, e tek pastaj të dëgjohet përmes mediave”, ka thënë avokati Besnik Berisha.

Gashi: Kjo foto duhet të jetë në lëndë penale

Image
Tomë Gashi

Kurse, avokati Tomë Gashi ka thënë se, nuk është aspak normale që të publikohen fotografi të tilla të dhunimit të femrave shqiptare në media sociale apo në çfarëdo lloj mediash në Kosovë.

Ai ka theksuar se fotoja në fjalë ka pamje të rënda dhe fare lehtë mund të keqpërdoret nga faktor të ndryshëm dhe nga individ të ndryshëm.

“Në këtë foto edhe nëse askush nuk e identifikon viktimën e dhunimit, vet viktima mund fare lehtë që ta identifikojë vetveten si viktimë e dhunimit seksual dhe kjo sjell dhimbje të pa imagjinueshme për viktimën dhe për familjarët e saj. Brovina duhet urgjentisht që ta tërheq këtë foto, dhe ti lut mediat që ti tërheqin të gjitha fotot kudo që janë publikuar, sepse viktima është duke dhunuar për së dyti herë me këtë foto. Kjo foto duhet të jetë në lëndë penale dhe në aktakuzën kundër policëve serb, e në asnjë mënyrë nuk guxon të publikohet”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka thënë se kjo e dëshmon edhe një herë së ne bëjmë gjithçka dhe asgjë për viktimat.

“Gjithçka kinse duke i publikuar fotot e tilla, që më shumë sjellin dëme viktimave se sa ndjekje të dhunuesve. Dhe vetëm për përdorim brenda Kosovës dhe asgjë, sepse kjo foto duhet të tregohet të bëhet pjesë e akuzës së serbëve dhunuese kur publikohen kësi foto, lëndët penale si krime të luftës nuk mund na të përdoren dhe shkojnë në favor të dhunuesve serb. Sepse do të diskresotohen viktimat duke u identifikuar në media dhe shumë vështirë do të dëshmojnë për dhunimin e ndodhur, andaj kjo foto e ka vendin në Gjykatë dhe jo në media”, është shprehur avokati Tomë Gashi.

Lepaja: Një dosje të tillë, Brovina duhet të ja jepte edhe Presidentit

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, analisti Fadil Lepaja, konsideron se ky është veprim i gabuar dhe jo human, pasi sipas tij, këto fotografi është dashur të dërgohen që nga paslufta, në adresa të duhura për të drejtat e njeriut.

“Këto fotografi ishte dashur të nxirren në tavolinë të bisedimeve, për të treguar fytyrën e vërtetë të shtetit serb, të cilën e kanë ruajtur me sukses pala jonë në bisedime, duke pranuar të bisedojnë me Serbinë, madje as pa kërkuar falje institucionale për krimet e luftës në Kosovë. Këto fotografi, të cilat i paskan pasur politikanët, i bëjnë përgjegjës ata, jo vetëm moralisht por edhe penalisht, nëse me qëllim i kanë mbajtur në sirtar, e nuk i kanë dokumentuar me to krimet ndaj popullatës civile në Kosovë. Publikimi i tyre në mediume, është i parakohshëm dhe i dizajnuar për me mbërri efekte të brendshme, dhe jo me dokumente krimin te ata që duhet dokumentuar. Në vend të kësaj, fushate për të luftuar dyshimet për krime ndaj popullsisë serbe, me dokumente për krimet ndaj popullsisë civile shqiptare, është dashur që në fillim të insistohet në mos diskriminimin e viktimave mbi baza nacionale, por të krijohet Tribunali për të hetuar krimet e luftës, pavarësisht nga nacionaliteti i viktimave apo krimineleve të dyshuar”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, atëherë kur është dashur, kreu politik kishte heshtur dhe kishte ulur kokën, edhe pse opinioni kritik kishte kërkuar që të pranohej gjykata vetëm pa diskriminim mbi baza nacionale.

“Në fund, kur bisedimet e fshehta, u dekonspiruan për faqe të zezë, dhe Serbia tregoi se jo vetëm se nuk e ka ndërruar aspak politikën ndaj shqiptarëve dhe nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj shqiptarëve, por ka synuar dhe ka arritur të ndërroi opinionin botëror për atë se kush ishte viktimë dhe kush kriminel në luftën e Kosovës. “E keqja më e madhe doli të jetë fakti se qoftë me padije qoftë me qëllim, pjesëmarrja e Kosovës në dialog i ka kontribuar pikërisht synimeve serbe. Më e pakta që mund të bëhet, është që të rishikohet plotësisht formati dhe përbërja e përfaqësuesve zyrtar të Kosovës në dialog, dhe të mos pranohet asnjë bisedë për dialog derisa Serbia të mos kërkoj falje institucionale për krimet e formacioneve serbe në Kosovë”, është shprehur Lepaja.

Ai konsideron se kryeministri, duhet të thërras ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe tu ofroj këtë dosje me fotografi, dhe jo e njëjta të publikohet nëpër media, ku mund të shihet edhe nga qytetarët, dhe më e keqja mund të identifikohen.

“Një dosje të tillë, Brovina duhet të ja jepte edhe Presidentit, për informim të zonjës Mogherini, dhe gjithë ndërmjetësuesve tjerë në dialog, dhe jo të i nxjerr në media për efekte të brendshme, sepse populli i Kosovës nuk ka nevojë për fotografi të cilat ende i ka të gjalla nga jeta reale, por ka nevojë për me pa një angazhim serioz, e dinjitoz të udhëheqësve institucional të këtij vendi”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, analisti Fadil Lepaja.

Krasniqi: Për dy dekada ishin të zënë duke e vjedhur shtetin

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi ka pohuar se diplomacia e Serbisë, arriti ta bindë Bashkësinë Ndërkombëtare, që për Kosovën të krijojë Gjykatë Speciale, gjoja për krimet shqiptare ndaj serbëve.

Ai ka thënë se kurrë nuk ka ndodhur që për viktimën të krijohet Gjykatë për krime lufte, kurse agresori të amnistohet, madje kjo tregon edhe aftësinë e politikës serbe, dhe pa aftësinë e politikës tonë.

“Pas dy dekadave këtyre politikanëve tanë iu ra ndërmend që Serbia paska kryer masakra dhe gjenocid ndaj civilëve shqiptare. Për dy dekada ishin të zënë duke e vjedhur shtetin. Këto dëshmi është dashur të prezantohen ditë e natë nëpër instancat më të larta Evropiane dhe botërore, dhe jo të flenë gjumë. Më duket se jemi vonuar tepër shumë, dhe duke e parë që Evropa është përkrah Serbisë, nuk beson që do të krijojnë për serbët Gjykatë Ndërkombëtare për krime lufte. Sikur shqiptarët të kishin qenë agresori dhe Serbia viktima, Bashkimi Evropian do të na kishte mbyllur në kafazet e majmuneve. Historia nuk njeh rast kur viktima i lutet agresorit e dhunuesit të pajtohemi. Fatkeqësisht, qe dy dekada po ja kërkojmë Serbisë. Jemi të mjerë e pa dinjitet”, është shprehur politologu Faik Krasniqi.

Autenticiteti i fotos në dyshim?

Por, fotografia identike e publikuar nga Brovina, gjendet në Google, e publikuar në Irak. Nga ai vend i ngjarjes, ku shihet një grua duke u dhunuar dhe disa ushtarë rreth saj. Express ka provuar ta marrë në telefon Brovinën oër ta pyetur deputeten mirëpo deputetja s’ka qenë e qasshme. Feride Rushiti, themeluese e qendrës se rehabilitimit të viktimave seksuale , ka thënë për Express, se gruaja për të cilën foli sot në Kuvend deputetja e PDK’së, nuk është e regjistruar në qendrën e tyre dhe as nuk e dinë për kë bëhet fjalë. “Nuk është kliente e jona. Ajo [Flora Brovina] nuk na ka treguar se cfarë fakte ka, vetëm na ka thënë se ka fakte, por nuk na ka treguar ato”, ka thënë Rushiti.

Abaz: Po manipulohet me Flora Brovinën

Image
Haki Abazi

Analisti politik Haki Abazi ka komentuar pas zbulimit se fotografia që të cilën e publikoi sot deputetja e PDK-së Vlora Brovina, ku aludonte se ishte një femër shqiptare duke u dhunuar nga forcat serbe, në fakt nuk është bërë në Kosovë.

Fotografia e njëjtë me vite të tëra qarkullon në media botërore dhe në sajte pornorgrafike. Bëhet fjalë saktësisht për një fotografi, të cilët e kanë përdorët irakianët më herët për propagandë kundër ushtarëve amerikanë.

E duke komentuar këtë, analisti Haki Abazi ka thënë në T7 se Brovina po përdoret si instrument dhe mburojë për kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ai ka thënë se publikimi i kësaj fotoje, është bërë për shkak të hetimeve nga Komisioni Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq dhe për shkak të Gjykatës Speciale, përcjell Bota sot.

 “E kanë vendosur Flora Brovinën, si instrument për ta ndihmuar Kadri Veselin. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në bllokadën para disa viteve në parlament. Ajo ka manipuluar ndjenjat e publikut dhe duhet të marrë përgjegjësi ajo, madje edhe Partia Demokratike e Kosovës”, ka theksuar Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat