Shteti i Kosovës po rrëshqet drejt falimentimit 

Politika

Shteti i Kosovës po rrëshqet drejt falimentimit 

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 maj 2019 Në ora: 15:57
Qeveria e Kosovës

Ende pa u bë dy vite të Qeverisë së Ramush Haradinajt, borxhi i Kosovës ka shkuar në 1.5 miliardë euro. Kështu Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar disa të dhëna për rritjen e borxhit të Kosovës. Por, ende nuk dihet se ku shkuan ato para, pasi nuk është vërejtur diçka pozitive nga kjo Qeveri, duke marrë për bazë ankesat për mungesën e vendeve të punës.

“Borxhi mund të jetë një mjet për të ndihmuar zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë së Kosovës, nëse përdoret me përgjegjësi dhe mençuri. Por një qeveri skajshmërisht e korruptuar, merr para borxh në emër të Kosovës, dhe i keqpërdor ato. Një borxh i cili nuk përdoret për ta zhvilluar ekonominë, rrezikon ta shkatërrojë atë. PANqeveria po merr borxh për të paguar borxhe të tjera, po merr borxh për asfalt sepse aty mund të vjedhë shpejt e shumë, dhe po merr borxh për të paguar pagat e atyre që janë punësuar me nepotizëm dhe pa meritë në sektorin publik. Ka ardhur koha që PANqeveria të largohet dhe PANhajnia të ndalet. Kosovën e fituam me luftë e sakrifica, nuk do të lejojmë ta humbim me borxhe e kamata”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Rugova: Kjo logjikë qeverisëse dita-ditës po e vret shpresën

Image
Naser Rugova

Lidhur me këtë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova ka thënë për “Bota sot”, se si LDK i kanë ngritur disa herë shqetësimet për keq menaxhim dhe abuzim drastik të parasë publike nga kjo qeveri që sipas tij, konsiderohet më skandalozja pas çlirimit të vendit.

“Ky mentalitet feudal që shpenzon paranë publike si të ishin oligarkë dhe buxhet i tyre privat, nuk ka ndjesi dhe as përgjegjësi publike, 1,5 miliard borxh publik dhe nuk mund të shohësh asnjë projekt konkret që zhvillon ekonominë zbutë papunësinë dhe përmirëson jetën e qytetarit tregon se nëse kjo qeveri vazhdon edhe për pak kohë do ta falimentoj shtetin. Kjo logjikë qeverisëse dita-ditës po e vret shpresën, dhe po e rritë depresionin kolektiv dhe njerëzit me të madhe po ikin nga vendi”, ka thënë deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Haziri: Qeveria Hardinaj nuk i ka sjell vendit asgjë pozitive

Image
Ismet Haziri

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Ismet Haziri, ka thënë se kjo Qeveri si edhe qeveritë tjera nuk e kanë fituar detyrën, në bazë të një programi të cilën e ka votuar elektorati si rezultat besimi.

“Qeveria Haradinaj ka zhytur vendin në varfëri dhe borxh të panevojshëm, vetëm sa për pasuruar xhepat e oligarkëve dhe të zyrtarëve të saj. Në veçanti marrja e huave nga qeveria nga bankat e ndryshme nuk i ka kthyer në rendiment për qytetarët, përveç në tenderë të rrugëve që i kanë marr njerëzit e saj, dhe shtim të luksit për të blerë makina të reja, telefona të shtrenjtë dhe udhëtime të klasit të lartë. Faktikisht Qeveria Hardinaj nuk i ka sjell vendit asgjë pozitive, përveç se ka shuar shpresën e tyre se edhe këtu mund të jetësohet ndershëm. Duhet thënë gjithashtu, se nga këto mjete kinse janë ndarë subvencione që janë vetëm false, pasi bujqit nuk i kanë marr apo subvencione ose i kanë marr me çmim të përgjysmuar se sa që qeveria i ka dërguar bankave gjoja për të ndihmuar ekonominë e vendit. Nga gjithë kjo fshihet një skemë kriminale korruptive”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Burjani: Administrata, shpenzues i tmerrshëm i parasë

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike e juridike, Blerim Burjani, ka thënë se borxhi publik është rritur, përderisa rreth 35% të buxhetit të shtetit shkojnë për paga dhe mëditje.

Sipas tij, administrata e shtetit dhe shteti si punëdhënës, është shpenzues i tmerrshëm i parasë publike dhe kur t`i shtohet punësimi familjar e partiak gjithnjë në rritje njëherë do të falimentojnë ndërmarrjet publike, e pastaj edhe shtet me vizion të plaçkës publike të parave të popullit.

“Pa dyshim mund të them se shteti në udhëheqje të PAN-it është drejt bankrotit, dhe nëse nuk ndryshojnë esencialisht shpenzimet publike, e keqja është se në këtë vit edhe rezervat shtetërore janë zhvat deri në palcë. Pastaj kontrolli i AKP, PTK dhe Vala shumë më mirë është të bankrotojnë se sa kështu si janë. E them këtë sepse kaherë është dashur të ndodhë privatizimi i plotë ,pasi këtë është çerdhe e nepotizmi dhe çerdhe politike zhvatëse. Mendoj se shumë më shëndetshëm duhet të ishte privatizimi i menjëhershëm së bashku me procesin hetues të prokurorisë, sepse brenga më e madhe e shtetit, është PAN, të cilët i dallon vetëm lideri i ndryshëm dhe asgjë tjetër”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, shuarja e veprimtarisë së PAN-it apo pezullimi i veprimtarisë politike do t`i bënte mirë këtyre njerëzve që po pengojnë shumë shtetin.

“Andaj reformimi i menjëhershëm i tyre duhet të ndodhë ose të largohen fare nga politika, kjo për faktin se rreth 40 % të buxhetit përfundon nëpër xhepa të shtetit punëdhënës, rreth 18 % shkojnë në korrupsion, dhe rreth 35 % shkojnë në ndërtim asfalti. Kurse, pjesa tjetër paguhet kreditoreve ndërkombëtare, pra paguhen borxhet, duke na bërë të ditur ne se situatë e pa qartë po ndodhë me qeverisjen financiare. Dhe krejt për fund mund të them se keq menaxhim i buxhetit dhe plaçka, janë të pandalshme”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani.

Kadriaj: Migrimi po mbetet zgjedhidhja e vetme

Image
Mustafë B. Kadriaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë B. Kadriaj, ka thënë se Kosova është një vend paradoksal ku një popull duhet të sakrifikohet, vetëm përse dikujt iu ka tekur që të bëhet ,dhe me çdo çmim ëndrrat ti plotësohen.

“Pra duhet të shkatërrohen ëndrrat e 2 milion qytetarëve, vetëm që të realizohet ëndrra e një personi, dhe kjo traditë mjerisht po vazhdon që nga pas lufta dhe si rezultat ja ku jemi. Kryeministri aktual Ramush Haradinaj erdhi në pushtet në emër të kauzës për korrigjim të kufirit me Malin e Zi, dhe me tu ulur në karrigen e kryeministrit, ai sikur harroi se çdo gjë dhe nga një kundërshtues u kthye në iniciator për realizmin e marrëveshjes me një raport që përveç përmasave të mëdha si dokument, bëri që të habitet edhe vet kryeministri. Po ashtu kryeministri aktual hyri, me një moto që është njeri i vendimeve të mëdha nga një logjikë e shëndosh. Por në një vend siç është Kosova edhe po të ketë njerëz me ide të mëdha nuk është e lehtë për shkak të influencës ndërkombëtare, por që për vite dëshmoi që është një njeri jo i vendimeve por i gabimeve të mëdha”, ka thënë Kadriaj.

Sipas tij, Kryeministri Haradinaj, për interesa të karrierës së tij politike ndaj perspektives së qytetareve dhe Kosovës si shtet dhe për çdo mendim ndryshe kërcënon ose ofendon të gjithë zërin opozitar.

“Kryeministri aktual Haradinaj u mundua të dëshmojë që është profili më i pastër i një kryeministri populist, që me çdo çmim të sigurojë edhe një mandat. Mjafton të ketë një kërkesë dhe të hap arkën e shtetit pa marrë parasysh kundërshtimin edhe nga vet ministri i financave më të vetmin qëllim, që të shuaj si kërkesë dhe njëherësh duke siguruar mbështetjen nga ai grup apo komunitet i caktuar. Dhe natyrisht që Kosova vije në një pikë ku preket edhe rezerva shtetërorë, madje duke hyrë hyr edhe në borxhe. E mbas dy viteve qeverisje nga kryeministri aktual, sot rrezikojmë me stabilitet financiar dhe njëherësh qytetari i Kosovës si asnjëherë më parë nuk sheh perspektivë në këtë vend, duke tentuar që të largohen për shkak të keqqeverisjes në vend. Po ashtu kryeministri aktual Haradinaj, jo që ta prek ndërgjegjja, por ju uron qytetarëve punë në vendet ku po migrojnë, në vend që kryeministri aktual të ju ofroj kushte qytetarëve të vet, në mënyrë që të shohin të ardhme në Kosovë. Por jo nuk ndodh kjo, pasi edhe mbas 20 vite çlirimi dhe mbi dhjetë vite Pavarësi qytetari të vetmen mundësi për të jetuar e ka mundësin e valixhes së mërgimit”, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë B. Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat