“Skandali i radhës që protagonistët e raportit të Dick Martyt, e prodhojnë nga presioni i Gjykatës Speciale”

Politika

“Skandali i radhës që protagonistët e raportit të Dick Martyt, e prodhojnë nga presioni i Gjykatës Speciale”

Nga: N.H Më: 17 maj 2019 Në ora: 23:01
Dick Marty

Një fotografi e publikuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, tronditi opinionin në Kosovë e më gjerë.

Deputetja e PDK-së prezantoi atë që e cilësoi dëshmi fotografike të përdhunimit të një gruaje nga Kosova në kohë të luftës, nga ushtarët serbë, në sytë e familjes së saj.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar publikimin e fotografive nga deputetja Flora Brovina për të cilat dyshohet të mos jenë të vërteta.

Tali ka thënë se ky është skandali i radhës që protagonistët e raportit të Dick Martyt, e prodhojnë nga presioni i Gjykatës Speciale.

Image
Driton Tali

“Është skandali i radhës që protagonistët e raportit të Dick Martyt, e prodhojnë nga presioni i Gjykatës Speciale. Janë bërë të gërditshëm”, është shprehur Tali, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Talit, përveç dorëheqjes së deputetes Brovina, një gjë të tillë duhet ta bëjnë të gjithë ata që përmenden në atë raport, e për të cilët pritet që së shpejti t'ju fillojnë procedurat.

Në fund, Tali ka theksuar se “matrapazllëqet” e tilla po e dëmtojnë edhe më shumë Kosovën.

“Jo vetëm dorëheqje e Brovinës, por dorëheqje e të gjithë atyre që përmenden në atë raport e për të cilët pritet që së shpejti t'ju fillojnë procedurat. Andaj ata nuk duhet t’i presin thirrjet, por për hir të Kosovës të shkojnë vullnetarisht dhe të ballafaqohen me ato akuza. E, jo të merren me kësi far matrapazllëqe të cilat e dëmtojnë edhe më shumë Republikën tonë. Mjaftë e dëmtuan Republikën!”, ka përfunduar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, u ka kërkuar falje të gjitha grave të dhunuara në luftë për nxjerrjen e fotografisë së djeshme.

“Ju kërkoj falje grave të dhunuara dhe familjarëve të tyre për shqetësimin që kam sjell me këtë fotografi. Deklaroj se organet e shtetit – në të cilat besoj – janë duke u marrë me këtë çështje. Konstatoj se është një dokument ndoshta i falsifikuar dhe i keqpërdorur shumë kohë më parë – qysh nga viti 2003”, ka deklaruar Brovina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat