Kadriaj: Qeveria shpenzon rezervat shtetërore, qytetarët largohen nga Kosova

Politika

Kadriaj: Qeveria shpenzon rezervat shtetërore, qytetarët largohen nga Kosova

Nga: G.B Më: 18 maj 2019 Në ora: 13:55
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron se Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2018, ka shpenzuar 3.5 milionë euro të fondit të rezervave shtetërore në kundërshtim me ligjin në fuqi për financa publike. Krejt kjo sipas tyre është bërë në mënyrë jo të duhur, por at hok, pa planifikim dhe kryesisht për shlyerje të borxheve, individ dhe lobime të ndryshme.

“Keqpërdorimi i Financave Publike: Një këndvështrim mbi vendimmarrjen njëvjeçare të Qeverisë” është raporti i prezantuar nga përfaqësuesja e GLPS-së, Albana Rexha, e cila tha se nga 16 vendime që ka marrë Qeveria për rezervën shtetërore, ka shpenzuar rreth 73 për qind të fondit që e ka dëmtuar buxhetin për qeverisje.

“Qeveria me marrjen e 16 vendimeve gjatë vitit 2018 ka shpenzuar rreth 73 për qind të fondit rezervë të rezervës shtetërore në kundërshtim me nenin 29 të ligjit për menaxhimin e financave publike, apo më saktësisht rreth 3.5 milionë nga 4.8 në total, sa kanë qenë të parapara, apo sa janë alokuar me ligjin për buxhetin në rezervën shtetërore”, tha ajo.

Image
Mustafë Kadriaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kryeministri do të mbahet mend si kryeministri që ka shpenzuar më së shumti paranë publike, pavarësisht vërejtjeve të ministrit të financave se kjo është rrezik për rezervën shtetërore.

“Kryeministri aktual do të mbahet mend si kryeministri që më së shumti ka shpenzuar paranë publike pa plan duke shpenzuar ku t’i teket dhe më e rënda, duke mos përfillur vërejtjet edhe të vet ministrit të financave si njeri kyç në financat e shtetit dhe kjo për ekonominë e Kosovës tregon pasiguri dhe rrezikim të rezervës shtetëror në rast të fatkeqësive natyrore apo të ngjashme”, ka vlerësuar ai.

Kadriaj thotë se derisa kjo ndodhë, opozita mbanë konferenca ndërsa që qytetarët kanë marrë rrugën e mërgimit, duke shtuar se 2 milionë banorë po sakrifikohen për një kryeministër.

“Përderisa edhe partnerët e koalicionet po tregohen të pafuqishëm, ndërsa opozita vetëm mban disa konferenca për shtyp sa për t’i arsyetuar ato ulëse në parlament, qytetari i Kosovës i dorëzuar para keqqeverisjes ka mësyer rrugën e mërgimit në një kohë kur do të duhej të kishte pritje për stabilitet shtetëror për arsye sepse Kosova po hyn në dekadën e dytë si shtet por si rezultat i keqqeverisjes dhe zhvatjes së parasë publike Kosova nuk po reflekton siguri për qytetarët e aq më pak për investitorët e mundshëm. Pra jemi një vend ku dy milionë banorë të sakrifikohen për një kryeministër kjo gjendje mund të kujtojë kohën e mesjetës, kur qytetarët sakrifikoheshin për mbretin por më së paku kohën e qytetëruar siç është perëndimi”, ka deklaruar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat