LDK pret përkrahje nga VV dhe PSD për rrëzimin e Qeverisë

Politika

LDK pret përkrahje nga VV dhe PSD për rrëzimin e Qeverisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 maj 2019 Në ora: 18:15
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka një kohë të gjatë që e përmendë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Përkundër mungesës së numrave, partia më e madhe opozitare deklaron se tashmë e ka seriozisht rrëzimin e Ramush Haradinajt.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë ka thënë se janë në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe ka kontakte edhe me Partinë Socialdemokrate, në mënyrë që të ngritët mocioni për rrëzimin e qeverisë.

I pari i LDK-së deklaroi se qeveria e tanishme është e padobishme dhe janë gati të japin nënshkrimet që sot në mënyrë që qeveria të bie.

“Ne do të ftojmë edhe Lëvizjen Vetëvendosje do të ftojmë edhe Partinë Socialdemokrate që t’i bëjmë bashkërisht nënshkrimet, ta bëjmë bashkërisht tekstin e mocionit dhe do të presim dhe do të mundohemi ta përfitojmë edhe dikë nga partitë e koalicionit që kjo qeveri të bie sa më shpejtë. Ne jemi në biseda me Vetëvendosjen, në një formë ka edhe kontakte me Partinë Socialdemokrate që kjo punë të bëhet dhe si LDK ne jemi në gjendje prej sot me i dhënë nënshkrimet tona e do t’i japim për aq deputetë sa jemi në Kuvend.… Duhet sa më shpejtë që t’ia thyejmë këmbët kësaj qeverisje sepse është e padobishme për Kosovën”, deklaroi Mustafa.

Nga kjo parti për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se janë të gatshëm për rrëzimin e qeverisë aktuale, derisa kanë bërë me dije se janë në pritje të përkrahjes së pjesës tjetër të opozitës dhe ndonjë votë nga pozita.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se është krijuar edhe një momentum negativë për Qeverinë Haradinaj edhe vet brenda partnerëve të koalicionit si rezultat i një mosdakordance për shumë çështje. Andaj, sipas tyre, opozita do të duhet sa më shpejtë që ta shfrytëzojë brishtësinë e koalicionit PAN.

“LDK është gati”

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se skandalet e shumta të Qeverisë Haradinaj kanë bërë që me këtë gjendje nuk mund të vazhdohet. Andaj, subjekti i tyre shprehet i gatshëm për rrëzimin e këtij ekzekutivi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti në opozitë vazhdimisht ka shprehur kritikat e saj për Qeverinë Haradinaj. Skandalet e saj tanimë janë bërë normale për këtë qeveri, por të dëmshme skajshmërisht për vendin. Andaj, ne tashme jemi bindur se kjo qeveri nuk mundet të vazhdojë në asnjë mënyrë”, është shprehur Bunjaku-Rexhepi për gazetën “Bota sot”.

Bunjaku-Rexhepi me tej thekson se presin përkrahjen edhe të partive tjera opozitare.

“LDK është e gatshme për rrëzimin e saj me mocion mosbesimi dhe ne presim përkrahjen e partive tjera opozitare dhe përveç tyre mendoj se do të dal edhe ndonjë deputet i ndërgjegjshëm duke na u bashkuar për të mirën e vendit. Jam shumë optimiste se do të ketë të tillë në parlament që do të na bashkëngjitet dhe kjo qeveri më në fund do të bjerë, sepse edhe kur u bë ishte artificiale”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Në fund, deputetja e opozitës ka nënvizuar se partia e saj shumë shpejtë do të marrin këtë iniciativë dhe do ta kthejnë vendin në rrugë të drejtë dhe t’i hapin “perspektivë dhe shpresë këtij populli të lodhur”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës çdo veprim të saj do ta bëjë me maturi sepse është parti lidere në vend dhe kemi obligim të veprojmë mençur. Ne shumë shpejtë do të marrim këtë iniciativë dhe do ta kthejmë vendin në rrugë të drejte dhe t’i hapim perspektive dhe shprese këtij populli te lodhur e te shtypur nëpër etapa të ndryshme...”, ka përfunduar Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Një momentum negativ për Qeverinë Haradinaj

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, në një linjë me deputeten Bunjaku-Rexhepi, është edhe analisti politik, Nexhat Haziri. Ai ka thënë se tashmë është krijuar edhe një momentum negativë për Qeverinë Haradinaj.

Sipas tij, krejt kjo gjendje e tanishme është krijuar, për shkak të mungesës së një qasje profesioniste dhe skandaleve të shumta që prodhoi vet qeverisja e PAN-it.

“Mendoj se është krijuar edhe një momentum negativ për Qeverinë Haradinaj edhe vet brenda partnerëve të koalicionit si rezultat i një mosdakordance për shumë çështje, por edhe për vet degradimin e qeverisjes Haradinaj, për shkak mungesës së një qasje profesioniste, mungesë programi qeveritar, pa vizion dhe skandalet e shumta që prodhoi qeverisja e PAN-it”, ka thënë ai.

Analisti politik për gazetën “Bota sot”, ka shtuar se opozita duhet sa më shpejtë që ta shfrytëzojë brishtësinë e koalicionit PAN, duke e dërguar në votëbesim.

“Andaj, kjo situatë nëpër të cilën po kalon Qeveria Haradinaj natyrisht se iu ka dhënë sinjal të qartë opozitës e cila do të duhet sa më shpejtë që ta shfrytëzojë brishtësinë e koalicionit PAN, duke e dërguar në votëbesim dhe në këtë mënyre do t’ia ndalonte pasojat e mëdha dhe të pariparueshme që mund të prodhoi vazhdimi i qeverisjes së vendi nga kryeministri Haradinaj dhe koalicioni PAN”, shtoi ai.

Mes tjerash, Haziri ka theksuar se qeveria aktuale është dashur të ik kohë më parë në mënyrë që vendi mos të degradon në një situatë të tillë në të cilën ndodhet.

“Natyrisht se LDK-së i takon që si partia më e madhe në opozitë të koordinohet edhe me pjesën tjetër të opozitës për ta materializuat procesin e rrëzimit të kësaj qeverie dhe dërgimin e vendit drejtë zgjedhjeve të parakohshme. Kjo qeveri, më e dobëta dhe më me njerëz joprofesional, të padenjët dhe të paaftë që ka pasur Kosova që nga shpallja e pavarësisë, është dashur të ik kohë më parë në mënyrë që vendi mos të degradon në një situatë të tillë në të cilën është”, ka thënë Haziri.

Kadriaj: Ka shumë arsye për rrëzimin e kësaj qeverie

Image
Mustafë Kadriaj

Ndërkaq, njohësi i ekonomisë,  Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ka shumë arsye për rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Duke marrë parasysh gjendjen jo të mirë ekonomike dhe politike, ka plotë arsye që të ketë mocion mosbesimi, por zëri opozitar në parlament ka hendikepin e bajraktarizmit që LDK, dhe VV nuk dëshirojnë që të marrin poenë politik tjerë, kështu që kjo i zgjat mandatin kryeministrit Haradinaj dhe ky vazhdim çdo ditë do e rëndon jetën në Kosovë”, ka thënë Kadriaj.

Mes tjerash ai shton se edhe partnerët e koalicionet nuk janë të kënaqur me qeverisjen e kryeministrit Haradinaj.

“Ashtu edhe partnerët e koalicionet nuk janë të kënaqur me qeverisjen e kryeministrit Haradinaj, mirëpo ju prishen matematikat politike, sepse PDK dhe NISMA janë në teren për konsolidim me elektorat”, ka thënë në fund ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat