Klanet Pro-Ruse në Evropë drejt fundit, goditen propaganduesit e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë

Politika

Klanet Pro-Ruse në Evropë drejt fundit, goditen propaganduesit e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 21 maj 2019 Në ora: 07:40
Foto ilustrim: Bota sot

Qeveria e Austrisë, e cila ka pasur frymë pro-ruse, ka marrë një goditje të rëndë pas publikimit të një videoje, ku shihet tash i dorëhequri nga posti i zëvendës-kancelarit, Heinz-Christian Strache, në lidhje të fshehta me mbesën e një oligarku rus të lidhur ngushtë me Kremlinin.

Kjo dorëheqje do të ndikojë edhe më shumë në zbehjen e idesë për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Austria vazhdimisht dhe haptas e kishte përkrahur çdolloj marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Me këtë do të fitojë edhe Evropa, pasi klanet pro-ruse që veprojnë në Evropë me qëllim destabilizimi në rajon, po shkatërrohen dhe po e distancojnë Rusinë nga Evropa.

Hamiti: Fundi i Mogherini-t është i sigurt

Image
Muhamet Hamiti

Prof. Muhamet Hamiti, ish bashkëpunëtori i ngusht i presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe njohës i mirë i çështjve të brendshme dhe të jashtme politike, në një bisedë për “Bota sot“, ka folur rreth dorëheqjes së zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, për të cilin thotë se fryma politike e tij ka qenë e rrezikshme për Ballkanin.

Hamiti mendon se ky skandal do të jetë pozitiv në zgjedhjet e 23 majit të Parlamentit Evropian, pasi disa do të vetëdijësohen për t’i ikur këtyre tendencave joliberale.

“Dorëheqja e detyruar e zëvendëskancelarit austriak Heinz-Christian Strache dhe rënia e Qeverisë austriake mbas skandalit të korrupsionit, që u shfaq me video, dëshmon se një vend evropian, si Austria, anëtare e BE-së, po përpiqet të ballafaqohet me të keqen brenda shoqërisë së vet që paraqet esktremi i djathtë. Partia e Lirisë e Strache-s i takon këtij ekstremi të djathtë në Evropë, që, sikur edhe parti të tjera simotra, në Itali e në Francë, në radhë të parë, kanë afërsi me despotin rus, Putinin. E rrezikshme është edhe partia e esktremit të djathtë në Gjermani. E mira e zbulimit të këtij skandali tani, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, më 23 maj, është që zgjedhësit të mobilizohen për të sprapsur trendin në rritje të këtyre tendencave joliberale. Sa do të ketë kjo efekt do të shihet mbas zgjedhjeve. Mësimi që jep skandali i udhëheqësve të Partisë së Lirisë të Strache-s në Austri është rreziku kur forca të tilla politike vijnë në pushtet. Një tjetër mësim është përkushtimi i forcave të tjera politike, por edhe i shoqërisë, për të refuzuar politika të tilla. Ndoshta mësimi më i fortë është se një shoqëri demokratike nuk pranon të bëjë kompromis me të keqen“, thekson Hamiti.

Mirëpo, ai mendon se është herët të themi se klani pro-rus po zhduket nga Evropa, pasi sipas tij, kërkohet kundërshtim i madh, mobilizim shoqëror për të kundërshtuar aleatët rusë brenda shoqërive evropiane.

“Herët është të thuhet se po bjen klani pro-rus në Evropë. Kërkohet kundërshtim i madh, mobilizim shoqëror për të kundërshtuar aleatët rusë brenda shoqërive evropiane, para se të ndodhë kjo. Rusia ia ka dalë të ndërhyjë edhe në zgjedhjet amerikane, më 2016, siç po dëshmohet qartë“, potencon ai.

Sipas Hamitit, ideja për korrigjim kufijsh ka marrë fund, e sidomos fundi i Mogherinit.

“A po u vjen fundi zyrtarëve që përmendi ju? Fundi i Mogherini-t është i sigurtë. Ajo nuk do të jetë në këtë detyrë nga nëntori i këtij viti. Për udhëheqësit shqiptarë është më zor të thuhet. Pse? Në të dyja vendet tona, në Kosovë e në Shqipëri, duhet ndodhur ndryshime demokratike, që s’bëhen shpejt, për t’u sjellë fundin e pushtetit Thaçit e Ramës, ta zëmë. Këta janë zgjedhur me votë, por nuk janë udhëheqës demokratikë.Ideja për ndryshim kufijsh e Serbisë, që Thaçi dhe Rama u duk se e pranuan, por e kundërshtuan të gjithë shqiptarët e tjerë, ka humbur shumë nga forca që u duk se e kishte në turrin e parë të afirmuesve të saj. Do ende punë për ta kundërshtuar”, thotë Hamiti për “Bota sot”.

Hamiti: Dorëheqja e Straches-s shembull për politikanët e Kosovës

Ai tutje thekson që të merret shembull kjo dorëheqjenga politikanët e Kosovës, pasi këta të fundit kanë shumë skandale dhe nuk kemi parë asnjë dorëheqje.

“Dorëheqja e Straches-s, të cilën unë e shoh efektivisht shkarkim të tij prej Kancelarit austriak Sebastian Kurz, ka rëndësi më shumë për mësimin që mund të nxjerrë vendi ynë për të kthyer njëfarë moraliteti në veprimin politik në Kosovë. Ka skandale në Kosovë (kujto Pronto-n) që kanë dëshmuar pa asnjë dyshim korrupsionin zyrtar të krerëve të PDK-së, prej Thaçit e tutje. (Në të tjera skandale, sidomos të kleptokracisë e nepotizmit, janë përfshirë edhe partitë e tjera të koalicionit PAN). Ato për çka flasin ata (dhe dëgohen të regjistruara me zë te Pronto) janë realizuar. Në qeveri të Kosovës ka njerëz me aktaktuza që s’lëvizin vendit. Kjo, siç po shihet nuk është e pranueshme në Austri. Asgjë nga ajo për të cilën flitet në skandalin e austriakëve me rusët nuk është realizuar. Megjithatë, vetë biseda për diçka të tillë është sanksionuar me përjashtim të kryeprotagonistit nga Qeveria. Këtë mësim, nëse nuk e merr establishmenti ynë politik, siç nuk po e merr, duhet t’ia japë atij populli me votë. T’i çojë në shtëpi: të mos i zgjedhë më kurrë”, theksoi ai.

Bytyçi: Strache u mbështet fuqishëm nga lobi i fuqishëm serb në Austri

Image
Enver Bytyçi

Këtë dorëheqje, për “Bota sot” e ka komentuar profesori dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, duke thënë se koalicioni i Strache me SebastianKurz, kishte frymë antishqiptare dhe favorizim të Serbisë në koordinim miqësor me Rusinë.

“Zv. Kancelari austriak Strache dha dorëheqjen pas një skandali për lidhje të fshehta me mbesën e një oligarku rus të lidhur ngushtë me Kremlinin. Partia e Strache ishte bë koalicion me partinë Popullore të zotit SebastianKurz dhe kishte nën kontroll ministritë më të rëndësishme të Republikës së Austrisë, atë të Jashtme, të Brendshme dhe të Mbrojtjes. Kontrolli i partisë së ekstremit të djathtë në këto ministri ishte kthyer në një shqetësim serioz për aleatët evropianë të Austrisë si dhe për Aleancën e Atlantikut, me të cilën Austria është e lidhur në Partneritet për Paqen. Por koalicioni qeverisës dha efekte negative për Ballkanin dhe shqiptarët, jo vetëm për lidhjet e Strache dhe partisë së tij me rusët dhe serbët, por edhe për bllokimin e politikave tradicionale të Austrisë për Ballkanin, Shqipërinë, Kosovës dhe vendet e tjera. Strache i kishte kërkuar zotit Kurz që ta tërheq njohjen e Kosovës. Ai u mbështet fuqishëm nga lobi i fuqishëm serb në Austri. Madje udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, javëve të fundit është angazhuar fort në përkrahje të kandidatëve të partisë ekstremiste të Strache për në Parlamentin Europian. E sponsorizuar nga kjo parti dhe ministrja e Jashtme e Austrisë, e cila kishte të ftuar në dasmën e saj presidentin rus, Vladimir Putin, loboi fuqishëm për idenë serbe dhe ruse për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe ndarjen e saj në favor të Serbisë”, është shprehur Bytyçi.

“Një goditje për propagandistët e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”

Profesori përmend disa detaje të takimeve Thaçi-Vuçiq, ndërsa veçon atë në Alpach të Austrisë.

“Në Vjenë dhe vende të tjera janë takuar hapur dhe fshehtas disa herë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndonjëherë me praninë e Edi Ramës, ku janë bërë pazare të pista kundër integritetit territorial të Kosovës. Televizionet austriake çuditërisht u vunë në dispozicion të këtyre rrënuesve të pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Mjafton të kujtojmë debatin televiziv në Alpach të Austrisë, ku publikisht Vuçiq i kërkonte Thaçit ‘të mos i thotë të gjitha’ dhe ky i fundit thoshte ‘Jo, jo, unë do ta them hapur, ne do të punojmë për korrigjimin e kufijve të Kosovës, me qëllim që t’i japim fund konfliktit mes nesh’. I gjithë spektakli ishte organizuar nga ministrja e Jashtme si përfaqësuese e partisë së ekstremit të djathtë, e cila ka dëshmuar dhe ajo afrimitet dhe miqësi të ngushtë me Rusinë dhe Serbinë, njësoj si edhe Strache”, ka thënë tutje Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai mendon se dorëheqja e zv. Kancelarit austriak, është një goditje e madhe për Thaçin, Ramën dhe Baton Haxhiun, duke shpresuar se fshehta me mbesën e një oligarku rus të lidhur ngushtë me Kremlinin.

“Dorëheqja e kreut të partisë së ekstremit të djathtë në Austri është pa dyshim një goditje për propagandistët e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, pra për Thaçin, Ramën, Vuçiqin dhe Baton Stanishiqin. Në Berlin u vunë themelet e ndërtimit të një projekti të ti, të pranueshëm në dialogun e Prishtinës me Beogradin. Duhet shpresuar se tashmë Austria do t’i bashkohet iniciativës dhe projektit të Berlinit. Unë besoj shumë se qëndrimet pro ndryshimit të kufijve në Ballkan të Kancelarit Kurz, të shprehura në Beograd dhe në takimin e tij me presidentin amerikan, Trump, kanë qenë pasojë e presionit të Strache. Austro-Hungaria e perandorit Franz Joseph, ato të ministrit të jashtëm të tij, Bertochld, dhe në vazhdimësi Austria e deri kohëve të sotme ka ndjekur një politikë dhe diplomaci të ndryshme nga kjo e fundit me Strachen në koalicionin qeveritar. Projekti Austro-Hungarez i realizuar sot në Ballkan është projekti i perandorisë Austro-Hungareze të para Luftës së Parë Botërore. Për shkak të refuzimit të këtij projekti filloi në Sarajevë Lufta e Parë Botërore. Strache, për shkak të lidhjeve me Serbinë dhe Rusinë iu kundërvu projektit tradicional austriak, duke predikuar Serbinë e Madhe. Këtë politikë antishqiptare e proserbe e përkrahën fuqishëm Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Stanishiqi i Kosovës”, potencon ai.

Thaçi i izoluar në idenë e tij

Prof. Bytyçi mendon se presidenti Thaçi është izoluar pothuajse plotësisht në idenë e tij serbo-ruse të ndryshimit të kufijve.

“Madje këta përkrahjen e ekstremit të djathtë në Europë e shpallën si mbështetje për projektin serbo-rus të ndryshimit të kufijve. Besoj shqiptarët kujtojnë se sa krenar shfaqej presidenti Thaçi, kur na thoshte se projekti i tij i ndryshimit të kufijve ka përkrahje ndërkombëtare. Tani ai çdo herë po izolohet dhe do të izolohet plotësisht. Në kushtet e këtij izolimi mos u çudisni kur të mohojë se paska patur një projekt të tillë. Madje ka filluar të shfaqet patriot i madh në opinionin e Kosovës, ndërkohë që nuk le rast pa shfrytëzuar që të përqafohet, flasë dhe intrigojë me AleksandëVuçiq dhe me Edi Ramën”, ka përfunduar Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat