Të inkriminuarve në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex do t`u ndalohet hyrja në SHBA - Bota Sot
Të inkriminuarve në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex do t`u ndalohet hyrja në SHBA

Politika

Të inkriminuarve në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex do t`u ndalohet hyrja në SHBA

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 maj 2019 Në ora: 20:46
Ilustrim

Korrupsioni në shtetin e Kosovës po vazhdon të jetë një ndër “njollat” jo të lehta për t`u larguar.

Gati se çdo ditë ka premtime nga zyrtarët e lartë të shtetit, si dhe nga drejtuesit e institucioneve të rendit dhe të ligjit që korrupsioni të luftohet, por si duket një gjë e tillë nuk po ndodh. Për këtë, edhe  Ambasada e Shteteve të Bashkuar të Amerikës ka ndërmarrë një veprim që të merret seriozisht luftimi i kësaj dukurie.

Gjatë javës së kaluar, Ambasada e ShBA-së ka njoftuar se është duke ndërmarrë hapa që personat të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm.

Po ashtu, në këtë njoftim për media të ambasadës amerikanë  thuhet se “ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashëm”.

Më njoftimin e kësaj komunikate në të cilën përmenden aferat më të mëdha të korrupsionit më së shumti preken zyrtarët dhe udhëheqës të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, si Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti etj.

Kurse, vendimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës konsiderohet i qëlluar dhe sipas tyre,  këtë shembull do të duhet të ndjekin edhe ambasadat dhe shtet tjera.

Zogiani: Duhet çrrënjosur këtë politike të korruptuar

Avni Zogiani, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për “Bota sot” se, ka tashmë dy dekada që qytetarët e Kosovës janë të izoluar dhe se duhet çrrënjosur këtë politike të korruptuar.

Image
Avni Zogiani

“Ka dy dekada që Kosova vuan izolimin për shkak se liderët e saj janë të izoluar. Kosova ka vuajtur shume nga ky lloj lideri. Është koha që Kosova ta tregojë një fytyre tjetër para botës. Prandaj duhet çrrënjosur këtë politike të korruptuar. Ata po patën veç pak konsiderate për vendin e tyre, duhet t'i hiqen vetë qafesh. Përndryshe duhet t'i shporrim populli nga pushteti njëherë e për tërë historinë”, ka theksuar ai.

Murati: Çdo person që ka lidhje me afera korruptive e krim të organizuar duhet të ndëshkohet

Kurse, nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se një vendim sikurse i ambasadës së ShBA-së, duhet të merret  edhe ambasadat e shteteve të tjera, pasi që në këtë mënyrë do të penalizoheshin zyrtarët shtetëror të korruptuar.

Image
Artan Murati

“Vendimi i Ambasadës Amerikane është më se i qëlluar, dhe i njëjti duhet të ndërmerret edhe nga ambasadat e shteteve tjera. Secili person që ka lidhje me afera korruptive e krim të organizuar duhet të ndëshkohet, e meqenëse drejtësia nuk po e kryen punën e vet, më e pakta që mund të bëjnë ambasadat e huaja është të penalizojnë në këtë mënyrë zyrtarët shtetëror të korruptuar”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, në një prononcim për “Bota sot”,  e ka cilësuar të drejtë këtë vendim të Ambasadës amerikane, që individët  të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për të udhëtuar në këtë shtet.

Image
Haki Abazi

“Pas përndjekjes se prokurorit Blakaj është bërë e ditur që drejtësia nuk është duke funksionuar dhe as që ka shpresë që njerëzit që janë vendosur nga politika në sistemin gjyqësorë do të fillojnë të zbatojnë drejtësinë. Si rrjedhojë vendimi i SHBA është shumë i drejtë që të mos lejohen njerëzit e përfshirë në krim apo ata që janë të dyshuar të mos lejohen të hyjnë në ShBA”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Mbulesa e sanksionit

Ndryshe, pak orë para se të publikohej kjo komunikatë për media, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Borvina në hollin e Kuvendit të Kosovës, publikoi një fotografi ku shihej një grua shqiptare që po dhunohej nga forcat serbe. Mirëpo, fotografia e publikuar doli të jetë imazh i marrë nga filmat për të rritur.

A u bë kjo me qëllim që të mbulohet  vendimi i ambasadës amerikane, njohës të çështjeve politike në vend, thonë se kjo mund të jetë në vazhdën e tentimit të mbulimit të ngjarjeve të vërteta dhe të tërhiqet vëmendje diku tjetër. Por, ka nga ata që thonë se nuk mund të ketë ndërlidhje.

Artan Murati nga KDI nuk e beson se akti i fotografisë ka ndërlidhje me Ambasadën, ndërsa thotë se do të ketë tentativa nga Serbia për t`i mohuar krimet e bëra në Kosovë.

“Sa i përket fotografisë, nuk besoj që ndërlidhet me këtë vendim. Ajo çfarë ndodhi me fotografi është një fiasko e cila mund ta dëmtojë rëndë Kosovën dhe luftën e Kosovës përballë Serbisë, sepse tanimë do të ketë tentativa nga ana serbe për të mohuar krimet që kanë bërë në Kosovë. Ai veprim ka qenë i panevojshëm, i ngutshëm dhe mbi të gjitha i dëmshëm, sepse ka rrezikuar dhe stigmatizuar edhe viktimat e dhunës seksuale, e që dihet se janë të konsiderueshme nga lufta e fundit në vend”, ka potencuar Murati për “Bota sot”.

Në anën tjetër, analisti Haki Abazi thekson se kjo është në vazhdën e tentimit që të mbulohen ngjarjet e vërteta dhe të tërhiqet vëmendje diku tjetër.

“Gjithmonë sa herë që ka pasë veprime goditëse, janë menduar skandale të llojit të fotografisë, por unë mendoj që kjo është në vazhdën e tentimit të mbulohet ngjarjet e vërteta dhe të manipulohet me publikun dhe të tërhiqet vëmendje diku tjetër”, ka përfunduar Abazi për “Bota sot”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...