I refuzuar nga Qeveria Mustafa, zbulohen takimet e fshehta të Haradinajt me ‘kokën e krimit’ serb në Kosovë

Politika

I refuzuar nga Qeveria Mustafa, zbulohen takimet e fshehta të Haradinajt me ‘kokën e krimit’ serb në Kosovë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 22 maj 2019 Në ora: 10:36
Milan Radoiçiq, Ramush Haradinaj

Pak ditë më parë, Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë për media ka thënë se krerët institucionalë kanë marrë vendime jo të mira për Kosovën, në një takim sekret në shtëpinë e Milan Radoiçiqit. Madje Presidenti Thaçi ka treguar se prezentë kanë qenë edhe përfaqësues të institucioneve të Serbisë.

E këto deklarata kryeministri Ramush Haradinaj nuk i ka mohuar, duke thënë se në çdo vend merr vendime dhe se është i hapur me të gjithë qytetarët e Kosovës.

Gecaj: Organizmat e inteligjencës na sugjeruan të mos takoheshim me Radoiçiçin

Image
Bajram Gecaj

Lidhur me këtë, Bajram Gecaj, ish këshilltar në qeverinë Mustafa në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se në kohën kur ishte në qeverisje kryeministrit Isa Mustafa, i ishte sugjeruar Milan Radojiçiç. Mirëpo, pas konsultimeve me organizma të inteligjencës, Gecaj thotë se iu ishte thënë se ky person është ‘koka e krimit’ serb në Kosovë.

“Gjatë kohës sa ishim ne në qeveri na u kishte sugjeru gjithashtu të takoheshim me Millan Radojciqin, me pretekstin se ai është personi që “kryen punë” në Kosovë në lidhje me dhe për serbët-kosovarë. Pas konsultimeve që kishim bërë me organizma të intelegjencës, na ishte thënë se ky person ishte koka e krimit serb në Kosovë dhe mbledhësi kryesore i fondeve të “zeza” për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq”, thekson Gecaj.

Ai thotë se prandaj nga Qeveria Mustafa nuk ishte takuar askush me këtë person.

“Pra, jo që nuk ishte konsideruar një takim i tillë me Kryeministrin Mustafa, por askush nga rrethi i tij nuk e kishte konsideruar një takim të tillë”, thotë ai.

Gecaj thotë më tutje se kryeministri Haradinaj ishte takuar me të njëjtin person edhe para se të bëhej kryeministër.

“Nëse mbani mend, Kryeministri Haradinaj ishte takuar me këtë individ në restorantin Tiffany edhe pak para se të bëhej Kryeminister”, thotë zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Ai thotë më tutje se kohëve të fundit marrim vesh që ky person është edhe i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Tani Presidenti na thotë se Kryeministri i paska shkuar këtij krimineli edhe në shtëpi, e Kryeministri se qenka takuar Presidenti me te në zyrat e tij. “Kape njërin e mëshoj tjetrit” thotë populli. Takimet e tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Megjithatë, populli e ka edhe një shprehje të përshtatshme për situata të tilla: “harrni për thes”, vlerëson Gecaj.

Kajtazi: Spiunazhi modern, zhvillohet përmes kësaj taktike ku ndërmjetësit janë të veshur me petkun e biznismenit të stilit Radojiçiç.

Image
Fadil Kajtazi

Këto takime përveç se të papranueshme dhe ofenduese, konsiderohen edhe si joligjore. Kështu vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi.

“Takimet e zyrtarëve të shtetit me persona me shtetësi të huaj, qofshin ata zyrtarë apo persona privat, duhet të realizohen sipas protokoleve strikte. Ajo që është e rëndësishme, duhet të shmangen takimet sy me sy”, vlerëson Kajtazi.

Ai thotë më tutje se çfarë niveli të dëmeve mund t’i shkaktojnë shtetit takimet e paautorizuara dhe jashtë protokoleve, shembull i freskët është takimi i zëvendeskancelarit austriak me oligark rus, gjë që ndikoj në rënien e qeverisë austriake.

“Zakonisht, spiunazhi modern, zhvillohet përmes kësaj taktike ku ndërmjetësit janë të veshur me petkun e biznismenit të stilit Radojiçiç. Nëse ky stil i takimeve ka arritur të dergj administratën e Presidentit Trump, përmasat e dëmeve ndaj Kosovës janë katastrofike”, vlerëson ai.

Kajtazi thotë më tutje se Presidenti Hashim Thaçi thotë se me Radioqiqin “ka pasur takime të pa autorizuara dhe jo transparente”, gjithnjë sipas Presidentit, në këto takime “ka pasur edhe njerëz të pushtetit serb”.

“Në shtetet normale takimet e paautorizuara dhe jotransparente me persona të këtij niveli, si Radoiqiq dhe në prezencë të zyrtarëve të një shteti armiqësor siç është Serbia, konsiderohen spiunazh, gjë të cilën e rregullon edhe kodi i procedurës penale të Kosovës. Po ashtu, është shqetësuese, se si Presidenti e disponon këtë informacion dhe nuk e ka kanalizuar në rrugë institucionale për të filluar ndjekje penale. Edhe më shqetësues është fakti se Presidenti pohon se disponon informacion se zyrtar qeveritar e kanë informuar Radoiqiqin të largohet nga shtëpia në rastin kur Policia e Kosovës ka dashur ta arrestoj si i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ky mosveprim i institucioneve të vendit, është vepër penale pasi ka legalizuar aktivitete spiunimi në favor të Serbisë si shtet armiqësor i Kosovës”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi.

Miftari: Politikanëve në Kosovë iu intereson vetëm pushteti

Image
Naim Miftari

Nga ana tjetër, ish pjesëtari i SHIK-ut dhe eprori i lartë në UÇK-TMK, Naim Miftari thotë se takimet e tilla të Presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj me kriminelët serbë mafias të veriut, si Radojiçiç dhe Veselonoviç, tregon se politikanët tanë kanë mungesë të moralit që vetëm fatkeqësia e luftës I ka sjellë në pushtet, pasi ndryshe nuk do të mundeshin të punonin as nënpunës të thjeshtë civil.

“Kjo tregon qartë se këtyre politikanëve të sotëm pos ju intereson pushteti asgjë tjetër dhe pushtetin e mbajnë edhe me serbë vrasës, me dhunues, me kriminelë të luftës dhe të pasluftës. Kjo tregon qartë se janë në gjendje me pagu çfarëdo çmimi vetëm me mbetë në pushtet, kjo vlen sidomos për presidentin Thaçi, i cili duke dashur pushtet të palimituar dhe të përhershëm, duke dashur t’i ikë përgjegjësisë personale por edhe përgjegjësisë politike e klanore që e ka mbi veti ku ka dështuar shtetin e Kosovës ka dështuar arsimin, diplomacinë, ekonominë, sigurinë, sot edhe kërkon ndarjen e Kosovës me Serbinë, vetëm që të mos dënohet apo përgjigjet për dështimet shtetërore për krimet e luftës dhe krimet e pasluftës nga vrasjet deri te vjedhja e pasurisë të shtetit të Kosovës”, thekson Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat