“Ka ardhë koha t’u thuhet boll komandantëve, boll u ngitë!”

Politika

“Ka ardhë koha t’u thuhet boll komandantëve, boll u ngitë!”

Nga: G.B Më: 23 maj 2019 Në ora: 15:30
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Opozita prej kohësh ka paralajmëruar se do të dërgojë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

E së fundmi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kanë takime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe bisedime me PSD-në, për mocionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Lidhur me këtë, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se mund të ndodhë gjithçka, por që nuk do të donte që të përsëritej aleanca LDK-PDK.

Image
Rexhep Shahu

“Gjithçka mund të ndodhë, por nuk do të doja asnjëherë të përsëritej imoraliteti politik i aleancave mes LDK e PDK që shtuan me shpejtësi zbehjen e LDK-së. Nuk besoj në taktikat e pragmatizmat politike, aq sa besoj se autoritetet morale duhet të thirren në skenë dhe të mos e shohin në Kosovë politikën si në Shqipëri si dyqan domatesh apo parcelë droge”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, duhet tu thuhet boll komandantëve dhe çdo aleancë kundër kësaj qeverie duhet të jetë e tillë që të merr vendime të forta.

“Kosova ka autoritete morale të dëshmuara dhe duhet tu thuhet boll komandantëve, boll u ngite. Çdo aleancë kundër kësaj qeverie duhet ta dijë se mund të prodhojë qeveri më të qëndrueshme por qeveri që merr vendime të forta siç ka marrë Haradinaj, vështirë të krijohet”, ka vlerësuar Shahu.

Ai thotë se nuk dëshiron të besojë që mund të krijohet ndonjë koalicion që mund të tentojë të zbehë miqësinë me Amerikën.

“Dua ta besoj se nuk mund të krijohet asnjë lloj koalicioni që mund të tentojë të zbehë miqësinë e kërkuar me Amerikën. Në Kosovë nuk shikohet si tragjedi kombëtare rrëzimi i qeverisë apo zgjedhjet e reja siç shikohet në Tiranë si tragjedi planetare”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat