Loja e PDK-së me Gjykatën për krimet serbe, Veseli po i bie shtigjeve të mbyllura

Politika

Loja e PDK-së me Gjykatën për krimet serbe, Veseli po i bie shtigjeve të mbyllura

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 maj 2019 Në ora: 07:53
Kadri Veseli

Një tribunal për krimet serbe të bëra në Kosovë gjatë luftës së fundit është propozuar së fundmi nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Reagime pro e kundër pati për këtë iniciativë, disa duke e quajtur edhe të vonuar.

Ndërsa, zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq, ka thënë se Bashkimi Evropian është kundër kësaj iniciative të Kuvendit të Kosovës.

"Duam të sqarojmë se Bashkimi Evropian nuk është i kyçur në iniciativën e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës së re", ka thënë Kocijançiq.

Por, a duhet të vazhdohet iniciativa për formimin e kësaj gjykate, pavarësisht kundërshtimit të BE-së dhe a po dëshmon BE që është përkrahëse e Serbisë, derisa për krimet e serbëve po kundërshton gjykatën, ndërsa që Kosova ka Gjykatën Speciale për luftën e UÇK-së?

Deputetët dhe analistët kanë mendimet e tyre për këtë çështje.

Selimi: Nëse BE-së i "dhemb" gjykata, edhe neve po na "dhemb" gjykata kundër UÇK-së

Image
Rexhep Selimi

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se në vend se të harxhojmë mund duke kërkuar një gjykatë të tillë, duhet ta bëjmë një gjykatë vendore që t’i ulim në bankën e të akuzuarve këtu.

“Në vend që të bëjmë përpjekje për të synuar gati të pa mundshmen, ne duhet që të veprojmë për të mundshmen. Pra, në vend se të harxhojmë mund duke kërkuar gjykatë ndërkombëtare për krimet serbe, le ta bëjmë një gjykate vendore që kriminelet t’i ulim në bankën e të akuzuarve këtu”, është shprehur ai.

Selimi thotë se nëse BE-së i “dhemb” kjo gjykatë, edhe neve po na “dhemb” gjykata kundër UÇK-së.

“E, nëse BE-së i "dhemb" kjo gjykatë, atëherë edhe neve po na "dhemb" gjykata kundër UÇK-së. Nëse për ata, një gjykatë kundër kriminelëve është e pa pranueshme, edhe për në gjykata kundër çlirimtarëve është e pa pranueshme”, ka vlerësuar deputeti i VV-së.

Sipas Selimit, Veseli ka gabuar duke u futur shtigjeve të mbyllura, duke shtuar se as BE dhe as PDK nuk janë të gatshëm për më shumë se sa një lojë kur flitet për krimet serbe.

“Veseli ka gabuar që po kërkon t'i bie shtigjeve të mbyllura duke u përpjekur për një gjykatë ndërkombëtare duke e pasur shtegun e hapur për gjykatë vendore. Edhe BE edhe PDK nuk janë të gatshëm të bëjnë diçka më shumë sesa një lojë fjalësh kur flasin për krimet serbe”, ka deklaruar Rexhep Selimi për “Bota sot”.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, vlerëson se BE nuk është kundër Kosovës, pasi shtete të saj e kanë bombarduar Serbinë si aleat të NATO-s në krye me SHBA-në.

Image
Tomë Gashi

“BE nuk është kundër Kosovës në asnjë variant sepse BE respektivisht shtete në kuadër të BE e kanë bombarduar Serbinë si aleat të NATO-s në krye me SHBA-në gjatë vitit 1999 dhe përveç bombardimit të Serbisë gjatë luftës BE e ka ndihmuar Kosovën në çdo aspekt për 20 vite duke shpenzuar rreth 3 miliardë euro. Dhe përpos kësaj BE ka ndihmuar edhe në shumë aspekte të cilat nuk janë vetëm të natyrës ushtarake dhe financiare në zhvillimin e Kosovës”, ka vlerësuar Gashi.

“Askush s’e ka ndaluar Kosovën të akuzojë ushtarët dhe policët serb që kanë kryer krime”

Ai thotë se BE nuk ka faj që ne po na bien në mend  për krimet e Serbisë, 20 vite pas përfundimit të luftës.

“Por BE nuk ka faj që ne na bie në mend paksa më seriozisht pas 20 vite të përfundimit të luftës për krimet e Serbisë që i ka bërën Kosovë gjatë 1998 dhe 1999. Askush nuk e ka ndaluar Kosovën që të hetojë dhe të akuzojë ushtarët dhe policët serb që kanë kryer krime në Kosovë gjatë luftës. Dhe po qe se dikush thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe kinse ka pas pengesa nga UNMIK-u dhe EULEX-i, ua përkujtoj se kjo fare nuk është e vërtetë dhe se Kosova është e pavarur mbi 11 vite”, është shprehur ai.

Avokati Gashi thotë se viti 2015 ka qenë treni i fundit që të formohet gjykata ndërkombëtare për krimet e Serbisë, por që deputetët e votuan vetëm Gjykatën Speciale.

“Treni i fundit që të formohet një gjykatë ndërkombëtare për të gjykuar krimet e Serbisë ka qenë kur është themeluar Gjykata Speciale në vitin 2015. Por deputetët e Kosovës votuan ligj vetëm kundër shqiptarëve dhe formuan një gjykatë kundër vetvetes. Tani këto janë vetëm tentime të vonuara për një gjykatë tjetër ndërkombëtare për krimet e serbëve”, ka vazhduar më tej Gashi.

Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë pasi ka kaluar koha e gjykatave dhe Kosova nuk e ka fuqinë për një gjykatë të tillë.

“Kjo nuk do të ndodhë sa do që do të ishte mirë, sepse koha e gjykatave ndërkombëtare ka kaluar dhe Kosova nuk e ka fuqinë që të bëjë një gjykatë të tillë pasi që fuqitë apo thënë më mirë shtetet e mëdha dhe të forta vendosin për çështje ndërkombëtare, e ku Kosova është thuajse e pa vërejtshme në arenën ndërkombëtare. Kjo iniciativë është tepër e vonuar”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

“BE nuk është kundërshtare e Kosovës”

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Fadil Lepaja, ka thënë se BE nuk është kundërshtare e Kosovës, por vendimmarrja është e tillë në BE.

“BE nuk është kundërshtare e Kosovës. Shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Por vendimmarrja në BE është e tillë, që luan rol edhe fakti se 5 vende ende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ai.

Lepaja thotë se faji i mospërfshirjes së krimeve serbe në gjykatën speciale është i udhëheqjes politike të Kosovës.

“Faji i mospërfshirjes së krimeve serbe, në gjykatën speciale është i udhëheqjes politike të Kosovës, qeverive të kohës dhe përbërjes së atëhershme të parlamentit, të cilët aprovuan një ligj të tillë, për dhomat e specializuara duke diskriminuar kështu qytetarët e këtij vendi. Natyrisht, aprovimi i atij ligji ishte i domosdoshëm, por qeveria dhe parlamenti kanë mundur atëherë të mos e pranojnë këtë trajtim diskriminues të krimeve të luftës, por të ndërtohet një institucion i cili merret me të gjitha krimet e luftës në Kosovë”, ka vlerësuar Lepaja.

Sipas tij, nëse ka unitet, edhe tani mund të shtrohet kjo çështje si amandamentimi i ligjeve ekzistuese, por që nuk duhet të shërbejë për të bllokuar proceset e deritanishme që janë duke rrjedhur.

“Nëse ka unitet politik, mendoj se edhe tani mund të shtrohet kjo çështje si amandamentimi ligjeve ekzistuese. Gjithsesi, kjo nuk duhet të shërbejë për të bllokuar proceset që janë duke rrjedhur, por duhet të shtrohet si plotësim përmirësim i ligjeve”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat