Viti i dështuar i presidentit

Politika

Viti i dështuar i presidentit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 maj 2019 Në ora: 08:03
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës ka qenë shumë optimist se marrëveshja Kosovë-Serbi nën idenë për korrigjim kufijsh, do të ndodhë brenda këtij viti. Të bindur në arritjen e marrëveshjes ishin edhe disa zyrtarë të qeverisë së Kosovës nga radhët e PDK-së.

Madje, disa nga ta thoshin se marrëveshja do të ndodh në muajin mars, e disa të tjerë në verë, përkatësisht në muajin qershor. Mirëpo duket se këto plane janë në prag të dështimit.

Presidenti Thaçi gjatë janarit të këtij viti, në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, kishte thënë se nuk do të ketë më kurrë luftëra mes shqiptarëve dhe serbëve, e kjo sipas tij për shkak të marrëveshjes që do të arrihet muajt e ardhshëm.

“Jo, kurrë më nuk do të ketë luftë mes shqiptarëve edhe serbëve, pikërisht falë kësaj marrëveshjeje të paqes që mund të arrihet në muajt e ardhshëm. Kush pengon arritjen e marrëveshjes së paqes merr mbi supe përgjegjësinë e tragjedive të tjera ndëretnike shqiptaro-serbe e ndoshta edhe më gjerë”, qe shprehur Thaçi para pesë muajsh.

Se ky vit do të jetë viti i marrëveshjes kreu i shtetit e potencoi disa herë radhazi.

“Unë dua të besoj se viti 2019 do të jetë viti i marrëveshjes. Kjo është mënyra më e mirë për vendet tona dhe për gjithë Ballkanin perëndimor”, kishte deklaruar Thaçi , i cili qëndrimin e ngjashëm vazhdon ta përsërisë edhe sot.

Analistët politikë mendojnë se marrëveshje me Serbinë nuk do të ketë gjatë këtij viti. Taksa dhe tensionet e vazhdueshme mes dy shteteve, janë arsyet që marrëveshja nuk do të nënshkruhet, thonë ata.

Njohësi i çështjeve politike, Sali Rexhaj thekson se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje, por për zhbërjen e Kosovës. Ai thotë se kur Serbia të ketë interes anëtarësimin në NATO dhe BE-së, atëherë mund të kemi një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Me daljen e Thaçit dhe Ramës nga skena, mund të kemi një marrëveshje

Image
Sali Rexhaj

“Nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi, jo këtë vit po as në vitet e ardhshme. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje po për zhbërje të shtetit të Kosovës. Një marrëveshje Kosovë-Serbi do të arrihet vetëm nëse Serbia është e interesuar për anëtarësim në BE, po edhe në NATO. Pra, kur të del nga ndikimi i Rusisë. Kjo nuk ndodh aq shpejtë. Si dhe kur të hiqet kjo ide serbo-ruse për shkëmbim territoresh mbi baza etnike. Po mendoj kur të hiqen nga skena Rama e Thaçi. Kjo e kërkon një kohë bukur të gjatë”, thotë Rexhaj.

Në qeverinë e re s’ka vend për PDK-në

Teksa ka folur për premtimet që nuk i mban Thaçi, Rexhaj ka theksuar edhe që shkuarja e kësaj qeverie nuk do të paraqet ndonjë rrezik, sepse do të kemi një qeveri të re stabile pa PDK-në.

“Deklaratat e Thaçit nuk duhet marrë seriozisht, ai ka thënë se liberalizohen vizat në vitin 2012 si dhe njëmijë premtime tjera boshe në luftë për pushtet. Ky njeri e ka humbë rrugën në oborr dhe paraqet rrezik për shtetin e Kosovës. Sa i përket mocionit, ai është plotësisht legjitim. Rënia e kësaj qeverie nuk paraqet ndonjë rrezik, sepse në qeverinë tjetër nuk do të ketë vend për PDK-ën, dhe kështu hapet rruga për një qeveri stabile e cila ka për detyrë që t’i sanoj dëmet që Kosovës ja bënë Rama e Thaçi me ide për realizimin e Serbisë së Madhe, dhe legalizimin e pushtimit rus në Ukrainë e Gjeorgji. Ideja për shkëmbim territoresh ka vdekur në Berlin e do të varroset me një korrik në Paris. Tani duhet të largohen nga skena Rama e Thaçi dhe ata qe e përkrahen këtë ide, thellësisht të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe kombin shqiptarë në tërësi”, është shprehu ai.

Taksa e bllokoi dialogun

Image
Faik Krasniqi

E Faik Krasniqi, analist politik, mendon se taksa e ka evituar rrezikun e ndarjes së Kosovës, mirëpo thotë se nëse do të arrihej një marrëveshje nën udhëheqjen e Mogherinit, atëherë do të ishte e rrezikshme për Kosovën.

“Taksa ndaj Serbisë bllokoi dialogun me Serbinë, dhe me këtë u evitua ndarja e Kosovës. Do të ishte e rrezikshme për Kosovën, nëse do të arrihej një marrëveshje nën udhëheqjen e komunistes Mogherini. Ajo kishte shumë shtete që e mbështetnin në këtë ide, do të thotë lëvizjen e kufijve. Lëvizja e kufijve ishte në dem të Kosovës, sepse bëhej fjalë vetëm për territorin e Kosovës. Serbia të merrte nga Kosova deri tek Lumi Ibër, kurse Kosova vetëm disa fshatra të Kosovës Lindore, në emër të arritjes së një marrëveshje”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Me njerëz të rijnë në BE, ka gjasa për marrëveshje këtë vit

Ai mendon se ka gjasa që të arrihet një marrëveshje me Serbinë këtë vit, pasi do të kemi njerëz të rijnë në BE që do ta udhëheqin dialogun.

“Këtë vit ka gjasa që të arrihet një marrëveshje, sepse pas zgjedhjeve në BE do të kemi tjerë njerëz që do ta udhëheqin dialogun. Do të arrihet një marrëveshje që nuk do të cenon sovranitetin e Kosovës. Dialogu do të filloje në vjeshtë. Atëherë do të merret një vendim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe do të hiqet taksa ndaj Serbisë. Kështu që do të ketë një "relaksim" për vazhdimin e dialogut”, ka potencuar Krasniqi.

Këtë vit ka zgjedhje në Kosovë, jo marrëveshje me Serbinë

Image
Nexhat Haziri

Por kështu nuk mendon analisti Nexhat Haziri, i cili është i bindur që nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë në këtë vit.

“Nuk shohë se ka ndonjë mundësi për të arritur ndonjë marrëveshje siç po thuhet finale me Serbinë në këtë vit, për shkak se tashmë procesi i filluar i dialogut vite më parë në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka normalizuar marrëdhëniet në mes dy shteteve, përkundrazi i ka tensionuar ato, dhe se për vazhdimin e tij duket se nuk ka një interesim tani për tani as nga pala e Kosovës e as nga ajo e Serbisë. Përtej kësaj, ajo që e bënë të pamundshme arritjen e një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, është situatë e brishtë politike në Kosovë , por edhe në Serbi, dhe po ashtu edhe procesi i zgjedhjeve që po zhvillohet në BE për parlamentin e ri evropian”, është shprehur ai.

Teksa ka folur për pamundësinë e marrëveshjes këtë vit, Haziri thotë se vendi tashmë është duke shkuar në zgjedhje për shkak të skandaleve të shumta.

“Ndërsa sa i përket situatës në Kosovë, kemi një jo funksionalitet të plotë të institucioneve të vendit, në veçanti qeveria e cila po përballët me një nisme serioze të opozitës për mocionin e mosbesimit ndaj saj, skandalet e shumta që po e godasin kuvendin e Kosovës, të gjitha këto bëjnë që vendi tashmë është i sigurt se do të shkoj në zgjedhjet e parakohshme, dhe më së largu në vjeshtë, kështu që nuk lë shumë hapësirë apo fare për të menduar se këtë vit mund të kemi një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, si rezultat i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Kujtojmë se më 1 korrik të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë të ftuara në Francë, në Samitin e Parisit të organizuar nga presidenti franzes, Emmanuel Macron./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat