Ç’na kanë shefat që na janë hallkatë

Politika

Ç’na kanë shefat që na janë hallkatë

Nga: D.RR Më: 26 maj 2019 Në ora: 13:47
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Fakti që presidentit Thaçi i ka dështuar ideja e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë, ka bërë që ai të tërbohet në homologët e tij politik, të cilët deri më tash e kanë kundërshtuar ashpër këtë ide. Një debat të ashpër në distancë e kishte me ish kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën, të cilin e akuzoi se ka bashkëpunuar me Millosheviqin, ndërsa para disa vitesh, e lartësonte atë.

Humbja e Sali Berishës, duke e menduar si partner në aventurën për prekje kufijsh, njëjtë si me Edi Ramën, ia ka “thyer njërën këmbë” Thaçit në Shqipëri, e madje edhe me Ilir Metën.

Tre gardianët shqiptarë të Kosovës, Berisha, Meta dhe Ramush Haradinaj, e izoluan Thaçin dhe e lanë të vetëm në atë aventurë, ku ai i vetëm me Edi Ramën dhe Baton Haxhiun nuk po mundën të korrin fitore me idenë që po e mbajnë mbi supe. Goditje iu dha dje edhe Gent Cakaj, i cili e lartësoi figurën e presidentit historik Ibrahim Rugova, ndonëse kishin menduar se Gentin do ta pozicionojnë në atë post, për t’ua proklamuar idenë e korrigjimit. Ata që e vlerësojnë figurën e Rugovës, nuk kanë se si të mendojnë që Kosova duhet të humbas territor, pasi në projektin e madh të pavarësisë së Kosovës që u projektua nga Rugova, ishin pjesë edhe territoret dhe pikat kyçe që sot po tentohet të hidhen në tavolinën me ministrin e kasapit Millosheviq.

Treshja Thaçi-Rama-Haxhiu, po janë të gatshëm të prishin raportet e shenjta me Gjermaninë, pasi këta të fundit e hodhën në humnerë idenë e tyre.

Fakti që qeveria e Austrisë u zbulua se ishte pro-ruse, e që vazhdimisht e kishte përkrahur idenë për prekjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, tregon se këta kanë marrë një goditje edhe nga ajo “pikë kyçe” mbështetëse.

I shqetësuar po duket edhe shefi i PDK-së, Kadri Veseli, por ai me çështje të brendshme dhe personale të tij, si bie fjala për rënien drastike në elektorat të partisë së tij dhe skandalit ku iu përmend emri nga një grup i cili po dyshohet se janë marrë me fajde dhe mashtrim. Konferenca e thirrur nga i pari i PDK-së, nuk është diçka e zakonshme dhe kjo bën që ai ta shpërfaq shqetësimin e tij se diçka nuk po shkon mirë.

I zënë ngushtë, Veseli, ishte edhe në skandalin e deputetes së tij, Flora Brovina, e cila plasoi një fotografi kinse tregonte se si përdhunohej një femër shqiptare nga kriminelët serb në sytë e familjes së saj, mirëpo më pas ajo fotografi u vërtetua se është marrë nga një faqe pornografike e Iranit, e këta të fundit po dyshohet se kanë bërë propagandë me atë fotografi, duke u munduar t’i paraqesin forcat amerikane si përdhunues.

Shqetësimi i Thaçi dhe Veseli mund të tregojë se atyre po iu vie fundi në politik/pushtet, ose mund të jetë ndonjë lojë e tyre për qëllime të caktuara të cilët ata i kanë para vetes. Kjo “hallakmë” e tyre sigurisht se do të sjellë ndonjë rezultat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat