Kërkohet reagimi i BE-së ndaj Serbisë

Politika

Kërkohet reagimi i BE-së ndaj Serbisë

Nga: D.B Më: 28 maj 2019 Në ora: 20:34
Mirsad Voca

Nuk do të kishte asnjë arsye që të destabilizohet Kosova pas këtij aksioni të Policisë së Kosovës sepse kjo, siç vërtetohet, ka të bëjë me luftimin e krimit dhe korrupsionit në tërë territorin e Kosovës dhe shtrirjen e Drejtësisë në vend.

Kështu ka vlerësuar njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca,i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova kusht kryesor e ka luftimin e krimit dhe korrupsionit për funksionalizim të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe kudo në territor të saj.

Sipas tij, Kosova ka rrezik të destabilizohet vetëm nëse lejohet zhvillimi i krimit e korrupsionit në vend dhe në rast se ka plane apo marrëveshje paraprake të fshehtë për ndonjë ridefinim kufijsh.

“E them këtë sepse marrëveshjet e tilla zakonisht për tu realizuar paraprihen me veprime në terren e shpesh në forma të dhunshme. Megjithatë, nuk besoj dhe nuk do të duhej që këto aksione të ndërlidhen me politika ditore e që kanë të bëjnë ekskluzivisht me luftimin e krimit dhe shtrirjen e drejtësisë në vend. Dhe aksione të tilla duhet të vazhdojnë sepse Kosova urgjentisht ka nevojë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka thënë Voca.

Kurse sa i përket kërcënimit serb, Voca konsideron se nuk është diçka e re sepse politika serbe është e ngjashme me atë të viteve të 90.

“Askush nuk mund të bie pre e thashethemeve në Serbi lidhur me atë se si do të intervenonin për të mbrojtur Komunitetin serb në Kosovë. Asnjë komunitet në Kosovë nuk ka asnjë rrezik dhe përkundrazi Kosova mund vetëm t’u jap shembull vendeve të rajonit por dhe më gjerë për të drejtat që u ofron komuniteteve e sidomos atij serb. Kosova është shumë me e përgatitur tani për të reaguar ndaj çdo agresioni të jashtëm apo të brendshëm ani pse fryma demokratike në Kosovë duhet të reflektoj paqe dhe politike pacifiste në vijë me traditën dhe natyrën e politikës paqësore të viteve 90-ta mbi të cilën u ndërkomtarizua dhe u realizua Shteti i Kosovës”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se nëse Serbia vazhdon me politikën agresive si ajo e Millosheviç, tani Kosova ka institucione të sigurisë, ushtri, polici të trajnuar me standarde të larta kështu që do të mund përgjigjej shumë më ndryshe sesa në vitet 90.

“BE-ja duhet të reagoj dhe ti veje kriter Serbisë, se duhet të ndalet propaganda serbe ndaj autoriteteve të Kosovës kur është fjala për shtrirje të Drejtësisë së paanshme në Kosovë edhe aty ku jetojnë Serbët meqë luftimi i krimit dhe korrupsionit është në të favor të procesit integrues të tërë Ballkanit në BE. Me arrestime të tilla të grupeve kriminale, vetëm pastrojmë krimin dhe forcojmë Shtetin”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat