Aksioni në veri, eksperti i sigurisë e zbulon çfarë do të tentojë Vuçiq të përfitojë në takimin e Parisit

Politika

Aksioni në veri, eksperti i sigurisë e zbulon çfarë do të tentojë Vuçiq të përfitojë në takimin e Parisit

Nga: G.B Më: 29 maj 2019 Në ora: 13:19
Njësia Speciale, aksioni në veri, 28 maj 2019, [Stringer/EPA/EFE]

Policia e Kosovës ka realizuar dje një aksion në veri, kundër korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Në këtë aksion ku ishin dhe Njësia Speciale, u plagosën pesë policë dhe si pjesë e aksionit u arrestuan disa persona.

Reagime të ashpra pati nga Beogradi lidhur me këtë aksion.

Lidhur me këtë aksion në veri, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë për gazetën “Bota sot” se intervenimi i Njësisë Speciale ishte në përputhje me ligjin, derisa arrestoi persona të krimit të organizuar, e që ky është një kusht që duhet plotësuar për liberalizim të vizave.

“Intervenimi i Njësitit Special të Policisë në veri të Mitrovicës, ishte në suaza të parapara të kompetencave me ligjin e PB dhe ligjet tjera të Kosovës. Policia në aksionin e tyre që e ndërmori për burgosjen e pjesëtarëve të krimit të organizuar, e që e kishte për qëllim luftimin e krimit të organizuar, që si kusht Kosova e ka për ta luftuar këtë dukuri, për të arritur rrugëtimin e saj drejt BE e sidomos liberalizimin e vizave të qytetarëve të saja, e cila deri më tani vetëm Kosova nuk i ka përmbushur këto kushte dhe e vetmja është pa liberalizim të vizave në Evropë. Në këtë intervenim të policisë u burgosën edhe zyrtarë policë të asaj pjese të veriut të gjitha nacionaliteteve si shqiptar, serb, mysliman që në përgjithësi u burgosën gjithsej 19 persona, me një fjalë të gjithë i përkisnin grupit kriminal të organizuar që merreshin me këto krime. Intervenime të ngjashme të luftimit të krimit të organizuar pati edhe në Drenas, Skenderaj, Vushtrri dhe në këto pjesë të veriut. Gjatë intervenimeve të burgosjeve të këtyre personave pati reagime dhe sulme me armë ndaj policëve të Kosovës, ku disa edhe morën plagë të rënda”, është shprehur ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava e vlerëson të suksesshme punën e Policisë, derisa shton se nuk ka pasur mundësi eskalimi të situatës, pavarësisht reagimeve të Vuçiqit, i cili këtë aksion e sheh si sulm ndaj popullatës serbe.

“Policia në veprimet e saja ishte mjaft e suksesshme dhe efikase, burgosi një numër të konsideruar të pjesëmarrësve në këto krime, edhe që disa nga ta nuk u burgosën, sepse pati rezistenca nga grupe paramilitarësh, por do të jenë në ndjekje deri sa të burgosen. Policia në veprimet e saja ishte mjaft efikase dhe arriti që situatën ta ketë nën kontroll. Në këtë aksion të policisë nuk ka pasur mundësi eskalimi i situatës dhe gjithçka ishte nën kontroll, edhe që u bë zhurmë e madhe në shtetin e Serbisë, nga reagimet e kryetarit Vuçiq, i cili gjithë këtë aksion të suksesshëm të policisë së Kosovës, opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, do t’ua servojë si sulm dhe presion ndaj popullatës serbe që jetojnë në ato pjese të veriut, që në bazë të presioneve që iu bëhen serbëve, si pretekst që të shpërngulen serbët nga trojet e veta shekullore”, ka vlerësuar eksperti i sigurisë.

Sipas tij, me këtë propagandë Vuçiq fiton zgjatje të pushtetit në Serbi dhe e sheh si mundësi që të arrijë ndonjë sukses në takimin e Parisit, që të arrijë marrëveshje të asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

“Kjo propagandë e Vuçiqit i ka qëllimet e saja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet në Serbi dhe për ta arritur një efekt të ndërkombëtarët nëse mund që në zhvillimet e bisedimeve muajve në vijim mes Serbisë e Kosovës që zhvillohen në Paris, ta arrijë një sukses dhe të vendoset në favor të Serbisë pjesa e veriut të Mitrovicës dhe komunave tjera serbe në veri, apo eventualisht së paku të arrihet marrëveshja e asociacioneve të komunave serbe në Kosovë, gjë që gjyqi Kushtetues i Kosovës e ka shpallur jo kushtetuese këtë asociacion”, ka theksuar Tërnava.

Po ashtu, ai thotë se Policia e Kosovës i ka kompetencat që ta luftojë krimin dhe të jetë e pranueshme në tërë territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës në bazë të kompetencave ligjore që i posedon, ajo është e autorizuar që ta luftojë krimin në përgjithësi e posaçërisht krimin e organizuar në çdo cep të Kosovës, dhe të jetë e pranueshme në tërë territorin e Kosovës, dhe të përkujdeset për jetësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjeve pozitive që i ka miratuar parlamenti i Kosovës, dhe të jenë në shërbimin e qytetarëve të saja, pavarësisht çfarë nacionalitetesh janë ato në kufij të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat