Ëndrra e rrezikshme e Ramush Haradinajt

Politika

Ëndrra e rrezikshme e Ramush Haradinajt

Nga: Valon Rogova Më: 29 maj 2019 Në ora: 14:51
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj është kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Qoftë edhe vetëm ky fakt i tremb të rinjtë nga vendi i tyre dhe i bën të ëndërrojnë të ardhmen diku tjetër, larg shtëpisë, familjes e shoqërisë.

Haradinaj krejt aktivitetin e tij politik e vuri në shërbim të ëndrrës së tij për t’u bërë kryeministër. E themeloi një parti politike [AAK] mbi baza personale që u zhvillua më tej në ato familjare, por të cilat nuk ia kontestonin natyrën personale të kësaj partie. E gjithë puna e zyrtarëve të kësaj partie, të mëdhenj e të vegjël, ishte në funksion të kësaj ëndrre që u realizua. Për të mirën e përbashkët kush po pyet.

Dhe duke qenë i orientuar kah përmbushja e ëndrrës së Haradinajt, angazhimi i gjithë këtyre zyrtarëve e familjarëve të tyre ishte po ashtu personal. Ndihmonin personalitetin e Haradinajt dhe në kuadër të këtij angazhimi donin t’ia shihnin hairin për të ngritur edhe personalen e tyre, e ëndrrat e tyre.

Rasti më ilustrues i kësaj gjendjeje është ajo që ndodhi në Telekomin e Kosovës, ku shumë prej tyre kishin punësuar të afërm e familjarë.

Por në përgjithësi, Qeveria Haradinaj nisi punën me një farë turri të pashpjegueshëm duke bërë keqpërdorime të njëpasnjëshme. Në fillim të çonte mallin e Qeverisë Thaçi 1 e Thaçi 2, po ashtu të karakterizuara nga niveli enorm i skandaleve e keqpërdorimeve. Dukej sikur Haradinaj i kishte hyrë një gare të fshehtë për ta mundur Thaçin sa i përket këtyre skandaleve.

Këto ishin aq të shpeshta sa i sprovuan kufijtë e memorieve tona. Bile, u shkapërderdhën e u trohitën duke qenë se ishin të shumta, dhe nuk reshtnin asnjëherë.

I gjithë vendi u fut në botën e ngushtë të çudirave të kryeministrit. Ky mblodhi në zyren e tij familjarë e u fotografua me ta. Po aty i priti edhe qiraxhitë. Po aty i priti tezet e hallat. Po aty e banalizoi detyrën më të lartë në vend.

Kur një gazetare e pyeti pse e kishte marrë një aksh vendimi skandaloz, i paaftë për të rezonuar mbi të, ai ishte përgjigjur: “M’u ka tekë!”

Në ëndrrën e Haradinajt ku ai e shihte veten si kryeministër nuk ndodhej imazhi i dhënies së përgjegjësisë. I arsyetimit të asaj politike. Prandaj, tashmë po shohim vetëm shprehje delirante të tij, kur përgjumet në sallën e Kuvendit, apo edhe kur ia kris këngës me shfrenim.

Çdo njeri me mend në krye e di se ky njeri nuk është për kryeministër të vendit. Në fakt, ai nuk bën për asnjë detyrë të rëndësishme publike duke qenë se është tepër thellë i zhytur në vete, bile aq thellë sa është e pamundur të nxirret.

Ashtu si Thaçi, ai ka probleme të theksuara në personalitetin e tij, e të cilat do ta dëmtojnë rëndë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat