E ardhmja e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, si të ecim përpara?

Politika

E ardhmja e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, si të ecim përpara?

Nga: N.Sh Më: 29 maj 2019 Në ora: 17:19
Ilustrim

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, prof. Faton Kurti, thotë se, që prej mbrëmjes së të dielës së 26 majit, panorama politike e së ardhmes së BE ka ndryshuar.

Sipas tij, mozaiku, ndonëse shënoi një fitore të partive majtiste dhe pro BE, shënon gjithashtu fuqizimin e dukshëm të euroskeptikëve dhe partive të djathta.

“Teksa në Francë kemi fitoren e Le Pen kundrejt Macron, po ashtu edhe në vendet e tjera të BE shënohet një rritje domethënëse e partive të djathta, apo të djathtës ekstreme”, pohon ai.

Image
Faton Kurti

Ai thotë se, ndryshimet politike në Parlamentin Evropian ku Partitë e Djathta Popullore me ide Populiste janë thuajse duke dominuar politikën Evropiane, do të ndikojnë në panoramën dhe të ardhmen e të gjithë kontinentit të vjetër, si të atyre që janë pjesë e BE si dhe të atyre që aspirojnë të bëhen pjesë.

“Partitë populiste përdorin nocione si „krenaria" e „patriotizmi" dhe e shohin Brukselin, multikulturalizmin dhe emigrantët si armiq. Në krye të agjendës së tyre politike është shteti dhe kombi i tyre, ndaj ata njësoj si Trump në SHBA, të gjitha forcat dhe resurset kërkojnë ti fokusojnë tek vendi dhe populli i tyre duke përjashtuar politikat integruese të emigrantëve dhe madje shtyhen edhe më tej duke parë si faktor pengues dhe duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e Bashkimit Europian”, shton ai.

“Megjithë parashikimin „entuziast“ të ministres së integrimit, fatkeqësisht kjo panoramë e dalë nga zgjedhjet parlamentare europianenuk do të jetë aspak në favor të Kosovës. Kjo ka të bëjë me agjendat politike që kanë këto parti të djathta gati me ide nacionaliste të cilët nuk mbështesin fare rritjen e BE, madje do të vihen në diskutim gjithë negociatat e bëra deri më tani me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndonëse ata nuk zotërojnë shumicën absolute, një bashkëpunim i mundshëm i grupeve parlamentare me ide populiste mund të kërcënojë dukshëm të gjithë përparimin e arritur në qasjen e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Për këtë arsye premtimet boshe për viza si karamele europiane për shtetasit e Kosovës, megjithë dëshirën nuk do të pijnë më ujë”, potencon Kurti.

Ai tutje shton se, ajo që Kosova duhet të synojë është pastrimi i skenës politike nga individët e kriminalizuar dhe të korruptuar, të punojë fort për thithjen e kapaciteteve të ekspertëve në diasporë dhe ta vandosë në shinat e duhura zhvillimin ekonomik.

“E ardhmja jonë nuk mund të varet tek humori i evropianëve, por duhet të punojmë për të ndërtuar shtetin tonë, vetëm atëherë do të mund të përballemi në mënyrë të barabartë në çfarëdo lloj tryeze bisedimesh”.

Ai tregon se, edhe pse edhe kësaj radhe në zgjedhjet e Parlamentit Europian, sërish fituan Partitë pro-Evropiane siç është edhe Partia CDU, e Kancelares Merkel – por në të njëjtën kohë patën një rritje shumë të madhe Partitë e Djathta Popullore (Populiste)!

“Përderisa Partitë e Djathta Popullore (Populiste) deri me tani përfaqësoheshin në Parlamentin Evropian nga vetëm tre grupime parlamentare, tani këta synojnë bashkimin e më shumë se 20 partive populiste në një "Aleancë të Popujve e Kombeve Europianë" të cilat kanë për qëllim të arrijnë të krijojnë grupin e tretë ose të dytë më të madh në Parlamentin Evropian me qëllimin që ta qeverisin BE-në”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat