Mirsad Voca: Nga politika e papërgjegjshme, tek shteti jofunksional

Politika

Mirsad Voca: Nga politika e papërgjegjshme, tek shteti jofunksional

Nga: D.B Më: 30 maj 2019 Në ora: 12:04
Mirsad Voca

Luftimi dhe ulja drastike e nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krijimi i shtetit ligjor është kushti më i rëndësishëm ndaj Kosovës lidhur me rrugëtimin e saj drejtë BE-së. Megjithatë, pushteti vazhdon të promovoj dhe t’i mbaj në pozita të larta shtetërore figura të njollosura, të inkriminuara, të akuzuara për krime të ndryshme e korrupsion.

Njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca ka thënë për “ Bota sot” se me këtë qasje nuk mund të pretendohet as në liberalizim e as në ndonjë progres që shpie në përforcim të shtetit.

Sipas tij, një pushtet i korruptuar bie ndesh me realizimin e një shteti ligjor dhe me krijimin e një drejtësie të paanshme.

“SHBA ka ndaluar hyrjen e këtyre figurave të njollosura në territorin e saj dhe këtë shpejt mund ta bëjnë edhe Gjermania, Franca e shtete tjera të BE-së. Nuk do mend se Kosova me figura të tilla po ngec si Shtet dhe rrezikon madje mbështetjen e shteteve më mike të saj, për të cilën mbështetje u dha shumë mund e sakrificë dekadave të fundit. Me figura të korruptuara e të komprometuara më së shumti do të pësojë Shteti i Kosovës dhe Shoqëria e saj. T’i kthehemi me disa fjalë vetëm disa rrethanave të viteve të fundit për të ilustruar modelin e Shtetit të Kosovës në formësim e sipër”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se prishja e koalicionit më 2016 del se është bërë për interesa personale të grupeve mafioze, edhe për faktin se pati zotim se do shtynin proceset e mëdha përpara, siç ishte atëherë kauza e rrejshme me pretendim se do të përmirësohej demarkimi me Malin e zi.

“ Përkundër të gjithave ndodhi e kundërta, nuk u ndryshua asgjë, përjashto një marrëveshje në mes dy presidentëve pa karakter obligativ.U krijua një regres i thellë në politikën e jashtme, dhe kjo argumentohet me mungesë të njohjeve të reja, madje me tërheqje dhe me ngrirje njohjesh.Lobimi diplomatik agresiv serb nuk ndeshi në asnjë kundërveprim nga lobimi i Kosovës. Kosova u përball me dështime të ndryshme të njëpasnjëshme në integrime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, në veçanti në INTERPOL. Përderisa shtetet mike na çliruan e ndihmuan të kemi institucionet tona të pavarura, tani i takon institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet ligjor. Fatkeqësisht kemi një qasje të kundërt me atë të ndërtimit të shtetit” ëshët shprehur Voca.

Sipas tij, insistimi në orët e vona për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, doli i pasuksesshëm, për faktin se kjo gjykatë shënjon një disfatë të madhe ndaj sovranitetit të vendit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Zhagitja e proceseve gjyqësore deri në vjetërsimin e dosjeve e që mundëson shfajësimin e krimit, nënkupton lejimin e zhvillimit të krimit e të korrupsionit në vend nga institucionet e drejtësisë. Njëkohësisht, e gjithë kjo konjukturë regresi ndikoi në një zbrazje të Kosovës nga popullata e saj që kalon shifrën e mbi 200 mijë qytetarëve që nga viti 2015. Është po aq alarmante, kur kjo zbrazje po vazhdon edhe sot sa edhe dramatike kur rinia masivisht braktis vendin me shifra marramendëse në proporcion me numrin e banorëve. Skandale të shtuara në Drejtësi, krime ekonomike, emërime politike e diplomatike të figurave të akuzuara për korrupsion e krim, si dhe skandalet e fundit në vend tregojnë pa asnjë dyshim se sa ka urgjencë për tu ndryshuar politika dhe lidershipi në vend duke pasur parasysh se me këtë politikëbërje vetëm ri konfirmohet modeli i Shtetit kleptokratik”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se të gjitha këto rrjedhin për shkak se kemi një President i cili ndërron qëndrimet sipas tekeve e dëshirave personale, ashtu e siç i konvenon atij.

“ Kjo është shqetësuese sa i përket besueshmërisë dhe përgjegjësisë së institucioneve më të larta të shtetit, sepse vazhdojnë të merren me çështje dytësore thotë se është, e citoj « për Korrigjim të kufijve dhe jo për shkëmbim” me shtetin serb, mendoj se korrigjimi i kufijve nënkupton ndryshim dhe shkëmbim territoresh, pra kemi të bëjmë me dhënie dhe marrje territori. Thaçi ende orvatet për të realizuar interesat e tij strikte dhe personale, sepse një lojë me kufij nuk e dëshiron askush, dhe këtë ai tani po e mëton madje duke promovuar Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë përfshirë këtu edhe luginën e Preshevës. Prioritet do të duhej të ishte krijimi i Shtetit të së drejtës, i sundimit të paanshëm të ligjit, i çrrënjosjes së korrupsionit sepse vetëm në këtë formë arrihet funksionalizimi i Shtetit dhe prosperiteti i shoqërive tona shqiptare. Fatkeqësisht, tani kemi një Shtet kleptokratik të ndërlidhur me skandale të stilit tipik mafioz, si këto të fundit, ku nuk del fajtor askush dhe për të cilat nuk jep përgjegjësi askush e në fund mbulohen e shpëtohen të gjithë nga krye shefat. Këto ngjarje përgatiten e prodhohen zakonisht për të ndërruar vëmendjen e opinionit të brendshëm në favor të grupeve mafioze, kur interesat e tyre të ngushta vihen në rrezik”, është shprehur Voca.

Sipas tij, pushteti mafioz dhe i korruptuar zakonisht përdor metoda të tipit skandaloz me qëllim të devijimit të opinionit të brendshëm.

“Kjo qasje sa vazhdon e rritet dhe tani kemi të bëjmë me skandale tipike manipuluese ku përdoren edhe ndjenjat e popullit në mënyrë që efekti të jetë sa më eklipsues ndaj gjendjes së rëndë aktuale në vend. Si rrjedhojë, opinioni i brendshëm merr kahje e madje ndodh që merr qasje tjetër, dhe shpesh në interes të realizimit të planeve të këtyre klaneve politike e sidomos për të mbuluar krimet ekonomike dhe politike në Kosovë. Për të ilustruar njëmend Shtetin e Kosovës me plotë skandale politike mafioze, mjafton të citohen disa karakteristika të Shtetit mafioz, siç janë : Mashtrimi elektoral, Kleptokracia, Ryshfeti, Nepotizmi, Ekonomia e korrupsionit, Fondi i ngadaltë, Plaçkitja ligjore, etj”, ka tëhën Voca.

Ai ka theksuar se të gjithë këto fenomene janë zhvilluar dhe ekzistojnë edhe sot si në Kosovë dhe në Shqipëri.

“Rikujtoj se Termi “shtet mafioz” përdoret kur një sistem shtetëror, kur qeveria është e lidhur me krimin e organizuar, duke përfshirë zyrtarët e qeverisë, policinë apo ushtrinë që të marrin pjesë në ndërmarrje të paligjshme. Termi mafia është një referencë për çdo grup të krimit të organizuar të lidhur ngushtë me autoritetet. Le të mbesim me shpresë se nuk do ta dëmtohet edhe me tej liria e pavarësia e Kosovës, kauzë për të cilën ranë shumë heronj e dëshmorë, me mbi 10 mijë viktima civile, dhe ku u dhunuan me dhjetëra mijëra gra, me gati një milion të depërtuar, me qindra mijëra shtëpi të djegura, të plaçkitura e të shkatërruara”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat