Fati i Kosovës pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, çka do të ndodhë me liberalizimin

Politika

Fati i Kosovës pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, çka do të ndodhë me liberalizimin

Nga: Valon Rogova Më: 30 maj 2019 Në ora: 13:54
Parlamenti Evropian

Zgjedhjet e mbajtura së fundmi në BE, kanë bërë që, në institucionin më të madh evropian të ndodhin ndryshime drastike, shkruan “Bota sot”.

Në krahasim me vitet e mëparshme, sivjet pati më shumë votues të rinj. Fakt ky, që tregon se evropianit, përgjithësisht, në fokus kanë bashkëjetesën.

Fitorja e konsiderueshme e partisë së Gjelbër, tregon se populli evropian dëshiron që t’i shtyjnë përpara politikat ambientaliste, rrjedhimisht të marrin masa kundër krizës klimatike.

Por, cili do të jetë fati i Kosovës në raport me ndryshimet drastike që ndodhën në BE?

Hoxha optimiste

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka deklaruar se votimet për Parlamentin Evropian, hoqën dilemën e rrezikimit të projektit të BE-së, shkruan Bota Sot.

Sipas saj, rritja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë nuk përbën arsyetim për vonesat në vendim-marrjen për liberalizimin e vizave.

“Votimet për Parlamentin Evropian, hoqën dilemën e rrezikimit të projektit të Bashkimit Evropian. Rritja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë dhe euroskepticizmit, nuk përbën më arsyetim për vonesat e panevojshme në vendim-marrjen për liberalizimin e vizave. Andaj, presim dhe kërkojmë të ketë vendim sa më shpejt. Republika e Kosovës ka përmbushur kriteret - tani radha është te BE-ja ta përmbush pjesën e vet të marrëveshjes! Qytetarët tanë meritojnë të lëvizin të lirë!”, ka shkruar Hoxha.

Lama: Vendimet për zgjerimin dhe proceset më të rëndësishme merren nga qeveritë e vendeve anëtare

Image
Alma Lama

Alma Lama, që ushtron detyrën e ambasadores së Kosovës në Itali, për Bota sot, theksoi se ndryshimet e përbërjes në Parlamentin Evropian, padyshim që do të reflektojnë qasjen e këtij institucioni edhe ndaj rajonit të Ballkanit.

Përtej kësaj, ajo shtoi se nuk pret ndryshime madhore.

“Por unë nuk pres ndryshime madhore pasi vendimet për zgjerimin dhe proceset më të rëndësishme merren nga qeveritë e vendeve anëtare. Dhe janë këto qeveri ku duhet të fokusohet Kosova për të realizuar objektivat e saj. Të mos harrojmë se integrmi në BE nënkupton në radhë të parë transformimet e brendshme që varën nga shoqëritë dhe klasa politike e secilit vend”, tha ajo.

Kryeziu: Duhet punuar shumë në sistemin e drejtësisë

Image
Taulant Kryeziu

Ndërkaq, Taulant Kryeziu, nga Instituti Epik, theksoi se zgjedhjet në Parlamentin Evropian, sollën ndryshime të mëdha.

“Kemi një fitore bindëse të partisë së gjelbër në krahasim me partitë tjera. Po ashtu populistët kanë fitore bindëse. Por dhe fitorja e partisë e së djathtës ekstreme që udhëhiqet nga Marin Le Pen kundër presidentit Macron”, tha Kryeziu.

Megjithatë, Kryeziu, për Bota sot, theksoi se këto ndryshime duhet analizuar me kujdes.

Ai, është i mendimit se një fitore e Le Pen e që dihet se kjo është kundër politikave të migrimit dhe kundër politikave të zonës shengen do të duhej të jetë thirrje për qeveritarët tanë që të jenë të kujdesshëm në të ardhmen.

“Këtu duhet të jetë fokusi dhe kjo mund të matet në tentativën e parë të kryeministrit tonë kur të shkon në Paris, me theks të veçantë çështjen e liberalizimit të vizave”, tha Kryeziu.

Por, që të ndodh kjo, Kryeziu, shtoi se duhet punuar shumë në sistemin e drejtësisë.

“Çështja e vizave duhet të jetë primare por për të ndodh kjo duhet punuar shumë në sistemin e drejtësisë. Sistem ky që po vuan nga ndikimi i politikës dhe krerët e institucioneve shtetërore”, tha Kryeziu.

Zogiani: Në të dy kampet ka politikanë e rryma që nuk janë shumë entuziastë të Ballkanit, e veçmas të Kosovës

Image
Avni Zogiani

Ndërkaq, zyrtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, u shpreh se është herët që të dihet fati i Kosovës në një të ardhme të afërt me gjithë ndryshimet që ndodhën në BE.

Ai, për gazetën “Bota sot”, theksoi se rritja e të gjelbërve ka bërë që të ketë një ulje të euro skepticizmit dhe se sipas tij, BE-ja, do të ketë orientim kah të drejtat civile dhe politika me strikte ambientale.

Zogiani, theksoi se Kosova i ka punët keq në të dyja skenarët. Ai shton se në të dyja kampet ka politikanë e rryma që nuk janë entuziastë të Ballkanit, e veçmas të Kosovës.

“Kosova i ka punët pisk me të dyja skenarët sepse në të dy kampet ka politikanë e rryma që nuk janë shumë entuziastë të Ballkanit, e veçmas të Kosovës. Mendoj se ekziston vetëm një mënyrë që Kosova të fitoj respekt në raport me BE-në, e ajo është që të punojë në krijimin e një shteti funksional nëpërmjet luftës ndaj korrupsionit. Të gjitha tjerat janë thjesht një shtrirje duarsh me shpresën që dikush do të ketë mëshirë për ne”, tha Zogiani.

Ndryshe, në zgjedhjet e fundit në Bashkimin Evropian, Partitë e gjelbra kanë shënuar rezultatin më pozitiv në histori të këtyre partive në zgjedhjet për Parlamentin Evropian pasi siguruan 70 ulëse në këtë institucion, ndërsa në mandatin e kaluar i kishin vetëm 52. Ky rezultat ua jep atyre mundësinë për të luajtur rol kyç në përbërjen e re të parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat