Ish anëtari i qeverisë Bukoshi, zbulon këto gjëra për Thaçin dhe Sali Berishën në lidhje me Ali Ukën

Politika

Ish anëtari i qeverisë Bukoshi, zbulon këto gjëra për Thaçin dhe Sali Berishën në lidhje me Ali Ukën

Nga: D.RR Më: 31 maj 2019 Në ora: 12:03
Sali Berisha, Ali Uka, Hashim Thaçi

Ish anëtari i ministrisë së punëve të brendshme në qeverinë e paraluftës në Kosovë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar përplasjen Berisha-Thaçi, e cila kohëve të fundit ka “lulëzuar” në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kajtazi thotë se e kanë gabim të gjithë ata që tentojnë ta implikojnë Sali Berishën në aktivitetet serbe në dëm të shqiptarëve. Për më tepër, Kajtazi shprehet se gjatë kohës së Sali Berishës dhe Ramiz Alisë, Shqipëria ka qenë më së largu nga Serbia, sikur që në kohën e Ibrahim Rugovës, Kosova kishte distancë me Serbinë.

Ai mendon se tash, presidenti Thaçi, po mundohet t’i baltosë të gjithë ata që janë kundër idesë së tij për korrigjim kufijsh.

Image
Fadil Kajtazi

“E para, të gjithë ata që e mundohen ta implikojnë Sali Berishën në aktivitetet serbe në dëm të shqiptarëve, e kanë gabim. Për një gjë jam i sigurt se në kohën e Ramiz Alisë dhe të Sali Berishës, Shqipëria ka qenë më së largu nga Serbia, sikur që në kohën e Ibrahim Rugovës, Kosova ka krijuar distancën më të largët nga Serbia. Një gjë nuk mund të mohohet se afrimi i Serbisë brenda jetës politike shqiptare është duke ndodhur tani fal lidershipit të tanishëm si në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo është gjëja që duket sikur drita e diellit, kjo është gjëja që më së paku ka nevojë të eksplorohet për t’u parë. Dhe sikur çdo herë gjatë historisë, ky aktivitet duhet të jetë i kamufluar dhe ky kamuflim ka metodologjinë e vet, ku baltosja e të tjerëve është veprimi i parë taktik të cilin Presidenti Thaçi është duke e përdorur kundër rivalëve që po e kundërshtojnë idenë e tij të përafrimit me Serbinë në dëm të Shqiptarëve. Njeri nga këta objektiva që presidenti Thaçi ka zgjedhur është politikani Sali Berisha, i cili është njëri nga zërat më të fuqishëm të kundërshtimit të idesë subversive të Thaçit. Natyrisht që në këtë rrëmujë mjetet nuk janë duke u zgjedhur”, ka thënë ai.

Kajtazi, tutje komenton edhe përplasjen Thaçi-Berisha për vrasjen e gazetarit Ali Uka, që ishte edhe cimer i presidentit Thaçi. Ai thotë se fakti që kjo vrasje është fillim i një serie vrasjesh te kundërshtarëve politik të Thaçit, vetvetiu krijon hapësirën për dyshime të cilave drejtësia duhet t’i jep një verdikt.

“Në lidhje me atë qe zoti Berisha deklaron se "Thaçi ishte ndaluar për t’u marrë në pyetje rreth vrasjes së gazetarit Ali Uka" unë nuk kam informacion, por sipas detyrës zyrtare, policia është dashtë ta bëjnë këtë intervistim, nga se Presidenti Thaçi ka qenë duke banuar në banesën e të ndjerit Ali Uka. Zyrtarisht, në natën kritike kur ka ndodhur vrasja makabre, Thaçi ka qenë i arrestuar nga policia nën akuzën për armëmbajtje. Dhe kjo është alibi e fortë e presidentit Thaçi që dyshimet në drejtim të tij të mbyllen. Dhe nëse historia politike e Thaçit do të ishte zhvilluar ne rrjedha normale, nëse vija politike - ushtarake që ai drejtonte nuk do të përfshihej në luftën e ashpër kundër kundërshtarëve politik, nëse nuk do të degradonte proceset politike dhe zhvillimore të vendit deri në nivelin që pas 20 viteve dhe pas njohjes së mbi 110 shteteve të kontestohet pavarësia dhe sovraniteti i vendit, kapitulli me të ndjerin Ali Uka do të ishte mbyllur si rast që më së paku do ta implikonin Presidentin Thaçi. Por, fakti që kjo vrasje është fillim i një serie vrasjesh te kundërshtarëve politik të Thaçit, vetvetiu krijon hapësirën për dyshime të cilave drejtësia duhet t’i jep një verdikt”, u shpreh Kajtazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat