Fundi i planit për krijimin e Serbisë së Madhe

Politika

Fundi i planit për krijimin e Serbisë së Madhe

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 31 maj 2019 Në ora: 15:40
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Zyrtarët e lartë të BE-së për politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe komisionari Johanes Hahn kanë kërkuar sërish nga Kosova heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe që të vazhdojë dialogu. Derisa kanë prezantuar raportin vjetor të Komisionit Evropian, derisa thanë se Kosova duhet të heq tarifën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa Serbia duhet të krijojë ambient më të përshtatshëm për vazhdimin e dialogut. Lidhur me këtë, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me shefen e BE-së, Natalya Apostolova që ia dorëzoi raportin e KE-së, të gjeturat i quajti të përziera, ndërsa sa i përket taksës tha se nuk do të hiqet pa njohje nga Serbia.

“Mendoj se është koha për t’u deklaruar Kosova dhe Serbia nëse jemi të gatshëm për një marrëveshje për njohje dhe me këtë rast do të zgjidheshin të gjitha temat, edhe e taksave dhe të gjithave. Nëse nuk ka gatishmëri për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, atëherë vazhdon gjendja ekzistuese, pa ndryshime rreth taksës”, tha Haradinaj.

Rugova: Duhet të respektohet parimi i reciprocitetit

Image
Naser Rugova

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE që po e kërkon vazhdimin e dialogut, ka dështuar në menaxhimin e këtij dialogu.

“BE-ja vazhdimisht ka kërkuar këta muajte fundit vazhdimin e dialogut, si ndërmjetësuesja kryesore e këtij procesi, vlerësoj se ka dështuar në menaxhimin e këtij dialogu. BE duhet t’i trajtojë të dyja palët, duhet të respektohet parimi i reciprocitetit, nëse nuk ndryshohet qasja dhe koncepti i ndërmjetësimit vështirë se mund të priten rezultate konkrete”, është shprehur ai.

Sa i përket taksës, Rugova thotë se kur ajo vendoset nga një shtet sovran, duhet të qëndrojë deri në arritjen e objektivit.

“Unë mendoj se pas vendosjes së taksës nga qeveria e një shteti sovran, ajo duhet të qëndrojë deri sa të arrihet objektivi që qeveria i ka parashtruar vetes me këtë vendim”, ka deklaruar deputeti Rugova për “Bota sot”.

Bytyçi: Kosova për këta të dy është prapa dyerve të Evropës

Image
Enver Bytyçi

Ndërsa, profesori universitar Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Mogherini dhe Hahn duket se për Kosovën kishin harruar të shkruanin diçka në raport, pasi për ta ajo është prapa dyerve të Evropës.

“Frederica Mogherini dhe Johannes Hahn komunikuan raportin e vlerësimit të Komisionit Europian për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane. Ata folën për punën e të gjitha vendeve në rajon në rrogën e integrimit, por nuk e bënë këtë për Kosovën. Së paku nuk e dëgjuam ta thonë, ndonëse mund të kenë shkruar diçka. Duket qartë se Kosova për këta të dy është prapa dyerve të Europës”, është shprehur ai.

Bytyçi ka thënë se ata vetëm kërkuan vazhdimin e dialogut dhe heqjen e taksës, duke u treguar edhe njëherë njëanshëm në dëm të Prishtinës.

“Ata kërkuan vetëm që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe si kusht për këtë përmendën heqjen e taksës Haradinaj kundër Serbisë. Me këtë lloj qëndrimi si Hahn dhe Mogherini dëshmuan dhe njëherë se luajnë një rol të njëanshëm në rajonin tonë. Ata janë pro Serbisë dhe jo dashamirë e ndihmues për Kosovën. Ashtu sinë dialogun e zhvilluar edhe tani të dy vazhdojnë të mbajnë anën e Beogradit në dëm të Prishtinës”, ka vlerësuar profesori.

Sipas tij, ata deri në fund të karrierës si komisionerë po mbajnë anën e Serbisë, por për këtë fajtor është HashimThçi, presidenti i Kosovës.

“Taksën për mallrat serbe e trajtojnë si pengesë për dialogun dhe kërkojnë që kjo takes të hiqet e të zhbllokohet ky dialog. Nuk kanë asnjë pendesë për hapjen e temave të ndryshimit të kufijve, as për mashtrimet që ia kanë bërë Kosovës, kur i premtuan se do i liberalizonin vizat, nëse ratifikohej demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Vazhdojnë edhe në fund të karrierës së tyre si komisionerë të mbajnë anën e Serbisë. Në fakt ata nuk janë fajtorë për këtë. Fajtori kryesor pse ata sillen me frymë proserbe në Kosovë është i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili i është bashkuar këtyre korbave kundër vendit të vet”, është shprehur Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej ai vlerëson se ata do të duhej të flisnin për përparimet ose dështimet e Qeverisë së Kosovës, në vend se të vazhdojnë t’i bien fyellit për taksën, për shkak të së cilës ndryshimi i kufijve është hequr nga rendi i ditës.

“Në vend që të flisnin për për parimet ose dështimet e qeverisë së Kosovës për plotësimin e standardeve europiane,Mogherini dhe Hahn vazhdojnë t’i bien fyellit në vrimën serbe të taksës. E vërteta është se taksa e ndaloi planin e këtyre aktorëve për krijimin e Serbisë së Madhe. Falë taksës, samitit të Berlinit, kundërshtimit të politikanëve në Kosovë e në Shqipëri si dhe të liderëve të rajonit, sot agjenda e ndryshimit të kufijve nuk është më në rend dite. Prandaj Hahn, Mogherini, njësoj si Vuçiq e kanë hale në sy taksën. Dialogun nuk e bllokoi taksa, e bllokoi kundërshtia për projektin e shkëmbimit të territoreve. Ata që thërrasin për dialogun, përfshi Brukselin dhe Thaçin, kanë për qëllim të justifikojnë punët e mbrapshta që kanë bërë për Kosovën në dialogun e mëparshëm”, ka thënë profesori Bytyçi.

Ai thotë se taksa nuk duhet të hiqet për dialogun, derisa është në dyshim nëse do t’ia vlente heqja e saj për liberalizimin e vizave, duke shtuar se nuk duhet të bëhet ky dialog që kthen Serbinë në Kosovë.

“Taksa nuk duhet dhe nuk mund të hiqet për t’i hapë rrugë dialogut. Jam në mëdyshje nëse mund të këmbehet heqja e taksës me liberalizimin e vizave. Ndoshta për këtë mund t’ia vlente. Por assesi për dialogun. Kurrë mos u bëftë ky lloj dialogu, i cili bëhet për ta risjellë Serbinë ne Kosovë! Kushti i pranimit në BE me praninë e Serbisë në Kosovë, në çfarëdo forme të arrihet kjo, është dhe duhet të jetë i papranueshëm”, është shprehur ai. Bytyçi vlerëson se edhe nëse pranohet të luhet me taksën në këmbim të liberalizimit të vizave, ajo duhet të suspendohet për disa muaj dhe të shkohet për një marrëveshje për njohje nga Serbia. “Edhe nëse kryeministri pranon të luajë me taksën në këmbim të liberalizimit të vizave, kjo duhet të ndodhë jo me heqjen, por me suspendimin e taksës, me kushtin që në një periudhë kohe 3-4 muajsh të shkohet te marrëveshja për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Sigurisht pa ndarje dhe pa një Republika Srpska në Kosovë”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Abdullahu: Përfitimet prej taksës janë politike

Image
Faton Abdullahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se më shumë kemi dobi nga dialogu, pasi nuk mund të vazhdojmë me status quo.

“Parimisht dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, nuk ka alternativë tjetër pragmatike as të dobishme. A do të kemi përfitime më shumë të vazhdojmë me mbajtjen e taksës apo për ta vazhduar dialogun. Do duhej të kishim më shumë dobi nga dialogu sepse nuk mund të vazhdohet me ‘status quo-n’ e cila po prodhon pandalshëm humbje dhe dëme përgjithësisht për të tashmen dhe të ardhmen tonë”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket taksës, ai thotë se përfitimet janë politike dhe prej saj përfiton Qeveria, andaj po insiston që ta mbajë.

“Përfitimet prej taksës janë politike, nuk janë të mëdha në sfera të tjera dhe për më keq janë të ngushta, sepse parimisht nga taksa përfiton më së shumti politikisht Qevria nHaradinaj. Prandaj kjo Qeveri është e interesuar që ta mbajë taksën me çka vërteton edhe një herë se ajo ashtu si në fillim që ka hequr dorë t’i prijë dialogut me Serbinë sepse i ka munguar guximi, ashtu edhe tani nuk dëshiron të dialogojë. Kjo është e kuptueshme për këtë mendësi qeverisëse sepse dialogu nuk do të sjellë shpejt përftime, aq më pak poena politik populist”, ka vlerësuar Abdullahu.

Sipas tij, koalicioni PAN nuk ka unitet as strategji për dialog me Serbinë dhe kjo nuk duhet të vazhdojë, andaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Përmbledhtazi koalicioni aktual PAN nuk ka as unitet as strategji të dialogojë me Serbinë. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Kjo mund të ndryshojë vetëm duke ua dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës të dalin para kutive të votimit dhe të vendosin se kush do të vendos për fatin e vendit tonë”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat