SHBA-ja me paralajmërim të fortë për pushtetarët e Kosovës

Politika

SHBA-ja me paralajmërim të fortë për pushtetarët e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 31 maj 2019 Në ora: 19:12
Flamuri amerikan

Ambasada Amerikane në Kosovë, ditë më parë ka paralajmëruar se është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individët të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit, të mos ju lëshohen viza për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , qoftë ato për turizëm apo biznes.

Kjo për faktin se çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë, mund të jetë objekt i këtyre dekreteve.

Në lidhje me këtë çështje, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani, ka vlerësuar për “Bota sot” se deri më tash, vendimit të SHBA-së për t’i ndaluar udhëtimet e politikanëve të korruptuar, iu ka bashkangjitur vetëm Britania.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, BE-ja duhet t’i ndalojë të gjithë “bosët” e dyshuar politikë për udhëtime jashtë vendit, pra ata të cilët thonë se merren me politikë.

"Ky ndalim bëhet vetëm duke hartuar një listë të gjatë të njerëzve keqpërdorues dhe shpërdorues të vullnetit të qytetarëve. Madje kjo listë duhet të përfshijë edhe drejtoret e ndërmarrjeve publike, dhe Agjencinë për Privatizim. Pra të gjithë zyrtarët politik që punojnë nën ombrellën politike dhe që janë të punësuar si shërbyes civil, e që i kanë dërguar bosët e tyre pa kritere dhe pa asnjë kualifikimi”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani, duke shtuar se e vetmja rrugë për të ndaluar të korruptuarit, nepotistët dhe shkelësit e detyrës zyrtare, është që të gjithë argatët e shumtë të futen nën hetime dhe prokuroria të merr masa të rrepta. Sepse politike kriminale vepron nëpër Agjencinë të shumta shtetërore që janë dërguar nga shefat politik, për ti kryer punët për ta”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani.

Kelmendi: Çdo shtet mund të marrë këso vendime

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë për “Bota sot” se çështja e ndalimit të futjes së politikanëve në hapësirën territoriale, nuk është e rregulluar juridikisht me arenën dhe Konventën Ndërkombëtare.

Sipas tij, këtej nuk kemi as ligje të brendshme, përveç që kanë dhënë ndalesën me ligj, sepse këtu nëse kapet personi, ndalohet dhe dënohet, ndërsa për korrupsion në një vend apo krim, nëse nuk ka akuzë dhe kërkim ndërkombëtar, ku vepron INTERPOLI, shteti vepron në mënyrë të pavarur.

“Pra çdo shtet në botë, mund të nxjerr vendim dhe ti ndalojë udhëtimin të tjerëve në shtetin e tij. Shteti është sovran dhe në atë sovranitet, nuk ka të drejtë askush të intervenon juridikisht. Pra, nxjerrja e vendimit të tillë, pa ndonjë vendim të ndonjë subjekti ndërkombëtar si UE apo KS i OKB-së, është çështje e brendshme e shtetit në fjalë. Këtej mund të priten vendime të tilla, sidomos nga shtetet që kanë kontribuar në çlirimin dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Pra priten ndalesa tjera nga shtetet tjera. Dhe krejt tjetër është çështja nëse do të kishim një vendim nga NATO, UE a KS i OKB-se. Por këtu ato vendime parimisht janë të obliguara për vendet anëtare. Por, as këtu nuk ka mekanizëm detyrues, thjesht shtetet janë të lira dhe të pavarura e sovrane. Dhe veprojnë vet dhe individualisht”, ka thënë profesor Kelmendi.

Mehmeti: T’iu ndalohet hyrja edhe në Evropë

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për “Bota sot” se, përveç ndalimit që duhet t’u bëhet politikanëve tanë në pushtet, duhet edhe të merren masa, që këta politikan të izolohen dhe të ju suspendohet pasuria që e kanë zhvatur pa të drejtë dhe në dëm të interesave të qytetarëve.

“Gjithsesi njëra ndër masat e para është edhe izolimi i këtyre politikanëve që jo vetëm në SHBA por edhe në vendet e BE-së. Kjo do të mundësonte që këta politikanë pastaj edhe të burgosen, pasi qytetarët sot i votojnë, e si pasojë edhe do mbesin pa pushtet, dhe në momentin që mbesin pa pushtet, duhet të burgosen, pasi derisa janë në pushtet nuk ndodh një gjë e tillë, pasi e kanë në dorë edhe drejtësinë, ku përmes shantazheve dhe formave tjera të presionit”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Krasniqi: Të gjithë që e kanë shijuar pushtetin, t’iu ndalohet hyrja në SHBA

Image
Faik Krasniqi

E politologu Faik Krasniqi, për “Bota sot” ka pohuar se të rralla janë ato raste kur Prokuroria në Kosovë ka ngritur aktakuzë ndaj politikanëve për korrupsion. Madje sipas tij, edhe ato pak raste që janë shënuar, kane përfunduar duke u shpallur të pafajshëm, kurse në anën tjetër jemi një ndër vendet më të korruptuara në botë.

“Nuk e kuptoj cilëve politikanë të korruptuar do u ndalohet hyrja? Kjo po më duket më shumë një lloj shfajësimi i shteteve mike, që kanë toleruar por edhe bashkëpjesëmarrës në prodhimin e kësaj klase politike të korruptuar. Nëse shtetet që na i duan të mirën, atëherë duhet t'ua ndalojnë hyrjen shumicës së politikanëve në Kosovë, pra të gjithë atyre që së paku njëherë e kanë shijuar pushtetin, duke filluar nga Presidenti Hashim Thaçi. Kurse çdo gjë tjetër do të ishte përrallë me mbret”, ka thënë politologu Krasniqi.

Shahu: Vendimi i SHBA-së dhe Britanisë, nxitës pozitivë për qytetarët

Image
Rexhep Shahu

Kurse analisti politik Rexhep Shahu ka thënë për “Bota sot” se kjo masë ndëshkuese e shteteve si SHBA-ja për ndalim të lëvizjeve ndaj politikanëve shqiptarë, na bën me dije se vendet mike që luftojnë më shumë për ne, sesa vetë ne për veten tonë.

“Besoj se këto ndalime nga SHBA-ja dhe Anglia, do të jenë masa shtrënguese dhe nxitëse për ne qytetarët qe ne të refuzojmë politikanët tanë të përfolur e të akuzuar. Unë besoj se dhe shtetet e tjera demokratike, do të ndëshkojnë me pa mundësi lëvizjen e politikanëve të korruptuar, e të akuzuar si të tillë”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Haziri: Sikur të ndjekin rrugën e SHBA-ve edhe shtetet tjera ne veçanti ato të “QUINTIT”, do ta çlironin Kosovën

Image
Ismet Haziri

Kurse njohësi i çështjeve politike në vend, Ismet Haziri ka thënë se në lidhje me ndalesat që SHBA-ja ua ka bërë politikanëve të korruptuar, është një lajmë i mirë, por varet se sa do të mbetet i qëndrueshëm.

“Ne jemi dëshmitar se shumë nga këta politikanë në një mënyrë duke u thirrur në vlerat e kaluara, secili nga këndi i vet, meritokracinë e kanë kthyer në një instrument gllabëruese për shtetin duke u bërë pengesë serioze e perspektivës Evropiane dhe Euroatlantikë të Kosovës. Një lidership i përgjegjshëm, që në periudha të caktuar edhe kanë dhënë kontribut të çmueshëm , do të ia hapte vetë rrugën ndryshimeve politike, kështu duke mos iu lënë hapësirë që si SHBA ti vetëdijesoj me ndalesa të tilla, për t’ju treguar se nuk janë në rrugën e duhur dhe se nuk janë të duhurit që edhe më tutje ti prinë Kosovës në qeverisje”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, Kosova ka mjaftueshëm kuadro të shkolluar në Universitetet ma respektabile të Botës, madje ka një mërgatë të fuqishme me kulturë e traditë evropiane e amerikane, që do të luante rrol të pazëvendësueshëm në ekonomi, e diplomaci.

“Prandaj sikur të ndjekin rrugën e SHBA-ve edhe shtetet tjera ne veçanti ato të “KUINTIT”, do ta çlironin Kosovën goxha mire, për ndryshime që janë imanencë e kohës dhe kthim i shpresës që Kosova të pësojë dinamizëm ekonomikë, politikë. Sepse të rinjtë do të jenë ata që me energjinë, vullnetin dhe njohurit shkencore do i prijnë Kosovës, drejtë një integrimi real me vlera të reja, që përkojnë me shekullin XX”, ka thënë njohësi i çështjeve politike në vend Ismet Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat