Misteri i vrasjeve të aktivistëve të LDK-së, përse drejtohet gishti te Hashim Thaçi?

Politika

Misteri i vrasjeve të aktivistëve të LDK-së, përse drejtohet gishti te Hashim Thaçi?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 1 qershor 2019 Në ora: 08:11
Foto ilustrim

200 dosjet për 200 vrasjet e anëtarëve të LDK-së pas lufte, mbajnë peng Hashim Thaçin.

Kështu ka deklaruar ditë më parë ish Presidenti dhe ish Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në një intervistë televizive.

Duke folur për Gjykatës Speciale, Berisha ka thënë se bazë e ngritjes së saj ka qenë raporti i Dick Martyt.

"200 dosje për 200 anëtarë të LDK të vrarë për arsye politike pas lufte. Është jashtë çdo diskutimi se Argati është peng i dosjeve të tij. Shkon për të shitur troje, e ka bazën te dosjet e Vukçeviçit", është shprehur ndër të tjerë ish Presidenti dhe Ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.

Para, gjatë dhe pas luftës u vranë një numër i madh i personaliteteve që i përkisnin Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërsa, pas votimit të ligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës, Prokurori Clint ëiliamson kishte publikuar raportin e tij, ku përveç hetimeve të ngritura mbi raportin e senatorit Dick Marty për trafikim organesh, theksoheshin edhe vrasjet e kundërshtarëve politik, që përfshijnë periudhën 1 janar 1998 më 31 dhjetor të vitit 2000.

Haziri: As nuk janë 200 e as 100 por 112

Image
Lutfi Haziri

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar nënkryetarin e LDK-së dhe kryetarin e Gjilanit Lutfi Hazirin, i cili ka thënë se nuk ka informacion se nga kush janë porositur vrasjet për anëtarët e LDK-së por se ai, ka thënë se kjo duhet t’i përket sistemit të drejtësisë.

Megjithatë, Haziri, konfirmoi për gazetën se numri i personave të vrarë që i përkisnin Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë 112 e jo 200 sa ka thënë Berisha.

“Nga shifrat zyrtare del të jenë gjithsej 112 aktivistë të LDK-së të cilët janë vrarë nga 1998 deri në vitin 2000, kryesisht për motive politike. As nuk janë 200 e as 100 por 112”, tha ai.

Vrasjet e anëtarëve të LDK-së, për Hazirin, kanë pasur motiv hakmarrjen dhe revanshin politik dhe se nuk përmendi ndonjë emër të përveçëm se kush presupozohet të jetë prapa këtyre vrasjeve.

“Vrasjet kanë ardhur si shkak i hakmarrjes politike, revanshimit politik. Nuk e lakoj me asnjë emër të përveçëm por drejtësia është ajo që duhet zbardhë rastet”, tha Haziri.

Gecaj: Berisha ka informata të shumta në lidhje me ngjarjet si në Kosovë e po ashtu edhe në Shqipëri

Image
Bajram Gecaj

Ndërkaq, ish-zëvendësministri në qeverinë Mustafa, Bajram Gecaj, për “Bota Sot”, ka thënë se deklaratën në fjalë, do të duhej ta shpjegonte vet ish kryeministri Sali Berisha.

“Këtë duhet ta shpjegoj Berisha vetë, pasi që unë besoj fuqishëm se ai ka informata të shumta në lidhje me ngjarjet si në Kosovë e po ashtu edhe në Shqipëri. Ai duhet të dali me fakte konkrete, të cilat pastaj do t’i viheshin në dispozicion organeve të rendit dhe ligjit në të dy anët e kufirit.”, tha Gecaj.

“Mua nuk më lejohet të flasë për individ të caktuar pa patur fakte, të cilat, po t’i kisha, do t’i bëja publike pa asnjë hezitim dhe do t’i depozitoja tek organet e rendit.

Megjithatë, gjithë ata aktivistë të LDK-së, nuk kanë kryer vetëvrasje, dhe unë, t’u them drejtën, pak besoj se janë vrarë nga organet shtetërore serbe por nëse shqipfolësit kosovarë do të mund t’i quanim dorë e zgjatur e Serbisë”, tha ai.

Gecaj, pohoi se organet e sigurisë dhe të sundimit të ligjit në të dy anët e kufirit do të jenë të obliguara që dikur të merren seriozisht me këto vrasje, sepse veprat e tilla nuk përshkruhen dhe nuk duhen harruar kurrë.

“Kjo besoj unë do të duhet të ndodh kur të dy shtetet tona të “ç’kapen” nga elementet kriminale, kryesisht të spektrit politik. Vetëm atëherë, individ si Sali Berisha e të tjerë që posedojnë informata për ato raste do të detyrohen të dëshmojnë në mënyrë konkrete ose të dënohen për shpifje”, tha ai.

Gecaj, shtoi se beson që vrasjet e ndodhura pas luftës do të zbardhen ndonjë ditë duke u nisur nga thënia popullore se asgjë nuk mbetët për atë dynja.

Përveç Gecajt e Hazirit, gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së, si Vjosa Osmani e Besa Gaxherri, por që të njëjtat nuk kanë pranuar të flasin.

Shahu: Thaçi ka dije për mjaft vrasje

Image
Rexhep Shahu

Ish-aktivist dhe njohës i rrethanave të kohës, Rexhep Shahu, për “Bota Sot”, tha se presidenti Thaçi nuk është vrasës por gjuha e tij ka qenë e ndjeshme që mund të ketë çu në “larje hesapesh” në mes të grupeve të caktuara.

“Besoj se Thaçi nuk është vrasës por në ligjërimin politik ai ka përgjegjësi dhe është peng se ka dije besoj për mjaft vrasje, ai ka kontaminuar mjedisin dhe kanë ndodhë ato vrasje politike në Kosovë. Vrasjet politike në Kosovë i kanë bere nën pushtetin e shqiptarëve dhe politika shqiptare ka përgjegjësi edhe sikur këto vrasje ti kenë ekzekutuar serbët”, tha ai.

Shahu, theksoi se “bosi” i politikës së ashpër në Kosovë ka qenë Thaçi dhe për këtë shkak akuzat drejtohet tek ai.

“Pas ndërhyrjes së Natos në 1999 lufta në Kosovë është bërë me marrë të gjithë pushtetet. Ndaj drejtohet gishti tek Thaçi, të cilit të gjithë ia kujtojnë të gjitha për arsye të pazare e më fjalë që ai bën për kufijtë e Kosovës”, tha Shahu.

Haradinaj: Presidenti Thaçi nuk ka qenë asnjëherë kundër zbulimit të vrasjeve

 Nga ana tjetër, nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj,  për gazetën “Bota sot”, tha se ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, do të duhej që faktet të cilat i posedon, t’i bartë tek organet e rendit.

“Nuk është mirë me fillu ata m’u marr me probleme tonat, pra mi bart problemet e tyre në Kosovë e po ashtu edhe na s’duhet problemet tona m’i bart atje. Dosjet e këtyre vrasjeve që me siguri i posedojnë në Shqipëri, Sali Berisha duhet m’i qit”, tha ai.

Image
Nasim Haradinaj

Haradinaj, është i mendimit se më së miri politika e Kosovës dhe edhe ajo e Shqipërisë është që të merren me gjëra që janë shumë më të mëdha duke mos i anashkaluar këto.

Haradinaj, tha se vet Presidenti Thaçi, nuk ka qenë ndonjëherë kundër zbulimit të vrasjeve.

“Unë nuk e di asnjëherë që Presidenti Thaçi ka qenë kundër zbulimit të vrasjeve. Por unë jam që të zbulohen të gjitha krimet sepse kemi edhe 230 pjesëtarë të UÇK-së që janë vra. Kështu që ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve”, tha Haradinaj.

Ai, tha se nuk duhet të paragjykohet me vrasjet e ndodhura se në çfarë rrethanash kanë ndodhur ngase, siç shprehet ai, nëse  vrasjet e pjesëtarëve të LDK-së janë bërë për revansh politik atëherë po i marrim që edhe tek UÇK-ja janë vrarë për revansh politik.

 “Ne nuk guxojmë me këso paragjykime. Nuk guxojmë t’i japim ngjyra kësaj situate. E vetmja gjë që duhet bërë është shtytja për t’u zbulu këto vrasje. Mjaft më me dokrra të Sali Berishës dhe të tjetrit e tjetrit. Ai që s’ka guxim me shku përtej fjalëve, i bëj apel që të përfundoj ma sepse atëherë e jep bindjen se që 20 vjet e kanë vetëm për përfitime e tyre politike e jo që të zbardhet e vërteta”, tha ai.

Haradinaj, shtoi se është i gatshëm në çdo moment që të nisë hetimi për të gjitha vrasjet e të dy krahëve.  

“Dhe pastaj gjatë hetimit do të vërtetohen a janë politike apo çka do qofshin.  Se nëse janë vrasje politike atëherë me këtë rast, sipas tij, duhet të përgatitet edhe LDK-ja.  Vrasjet mund të ndodhin edhe brenda sojit”, ka theksuar Haradinaj.

Megjithatë,  Nasim Haradinaj, tha se në rast se fillojnë hetimet, ai vazhdon të jetë i qetë në ndërgjegjen e tij.

“Emni jam s’ka për të dal prandaj nuk tutna hiq se unë kam një edukatë se unë kam të bëj me okupator. E okupator ka qenë ushtria dhe shteti serb. Dhe nëse këta kanë qenë në anën e armikut gjatë luftës dhe që vërtetohen se janë vra prej plumit që kam shkrep unë, atëherë do t’ndihesha krenar. Flasë gjithmonë nëse janë kanë në rreshtat të armikut që s’besoj se kanë qenë atje. Prandaj e kam edhe qetësinë shpirtërore? Dhe unë dhe të gjithë duhet ta kemi qetësinë shpirtnore”, tha ai.

Haradinaj, deklaroi se ushtarët e UÇK-së, kanë qenë për me vra armikun, gjegjësisht okupatorin serb.

“Ne kemi qenë të destinuar për me vra armikun deri sa e kanë lshu Kosovën. Unë jam prej njerëzve që jam eduku n’familje teme ashtu dhe pse po t’doja unë isha marr me njerëz që m’kanë borxh, e kam fjalën për udbash. I di krejt, me emra e mbiemra kush janë, kush na kanë dënu, kush na ka marr në pyetje etj. Nuk jem marr me to sepse ne kemi pas luftë, ndërkaq ata kanë pas me mbrojt shtetin jugosllav dhe për këtë jemi krenar që i kemi mujt”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat