Tani është koha e fundit që opozita të rrëzojë nga pushteti këtë qeveri kriminale

Politika

Tani është koha e fundit që opozita të rrëzojë nga pushteti këtë qeveri kriminale

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 1 qershor 2019 Në ora: 22:40
Qeveria PANA-Lista serbe

Si duket qeverisë aktuale po i vie fundi dita-ditës, kjo për shkak të unifikimit të opozitës, e cila çuditërisht deri tani nuk ishte unike në këtë aspekt, ndonëse kishin shprehur vullnetin për një gjë të tillë. Gjithsesi, kjo nuk kishte ndodhur, duke i mundësuar kësaj qeverie të vazhdonte keqeverisjen si dhe degradimin e vendit. Së fundi, konretisht këtë të enjte, pas një takimi mes kreut të LDK-së dhe PSD-së, u arrit dakordi që opozita e bashkuar, duke përfshirë edhe VV-në, të dërgojë në Kuvend mocionin ndaj qeverisë aktuale. Me këtë veprim, opozita po luan tamam rolin e saj, i cili i takon, t’ia bëjë jetën sa më të vështirë kësaj qeverie, e cila nuk i ka sjellë asgjë të mirë vendit.

Në fakt, sikur opozita të linte menjëanë inatat personale, sidomos mes VV-së dhe PSD-së, kjo qeveri nuk do t’ia lejonte as një muaj të vetëm kësaj qeverie. Megjithatë, opozita duhet të jetë shumë e kujdesshme që mos të bie në lajthitje pa qenë shumë e sigurtë se do të ketë numrat për të thirrur mocionin, pasi në rast të dështimit të këtij mocioni, qeveria vetëm sa do të merr infuzion, që faktikisht do t’i bënte edhe një dëm më të madh vendit.

Pavarësisht marrëveshjes për mocion, LDK-ja duhet të ketë kujdes nga disa njerëz brenda PSD-së, të cilët siç e tradhtuan Albinin dikur, mund t’a tradhtojnë edhe Isën pikërisht në momentin kur duhet votuar për rrëzimin e kësaj qeverie. Andaj, duhet patur kujdes, edhe pse Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për të larguar këtë të keqe nga vetja, ajo duhet të sigurohet se mocioni do e çojë në shtëpi këtë qeveri të kapur nga kriminelët dhe të udhëhequr nga ata.

Nëse opozita e ka pernjëmend të çojë në shtëpi z.Haradinajn, mund ta bëjë këtë, por patjetër se duhet të ketë edhe votat e minoriteteve. Për të siguruar votat e minoriteteve, opozita e bashkuar duhet të dalë me një platformë për komunitete, kryesisht jo serbe, pasi këta të fundit i kanë të gjitha të drejtat e Zotit. Megjithëse edhe minoriteteve të tjera nuk u mungojnë këto të drejta, hartimi i një strategjie kryesisht në përmirësimin e jetës së tyre përmes një arsimi sa më cilësor, besoj se do të përfitonte edhe votat e tyre e të cilat do të jenë të mjaftueshme për të rrëzuar këtë qeveri të krimit dhe kapjes së shtetit. Gjithashtu, opozita e bashkuar duhet edhe të dalë me një platformë të shpëtimit kombëtar të vendit, kryesisht në ndaljen e së keqes, duke ofruar mirëqenie që si rrjedhojë edhe do të ndalonte zbrazjen e vendit. Kosova ka shumë nevojë që të shpëtojë, e kujt më tepër se opozitës aktuale i takon të merr rolin e shpëtimtarit të vendit, ndryshe do të jetë përgjegjëse njësoj si këta që sot e kanë kapur shtetin.

Dua të besoj shumë thellë se opozita e ka seriozisht unifikimin e saj për të rrëzuar nga pushteti këtë qeveri, jo vetëm sa për ta ndërruar atë me emra të tjerë, por të ndryshojë kahjen e degradimit të shtetit. Mbi të gjitha të ndryshojë mentalitetin qeverisës në vend, ku qytetari është zot shtëpie, ndërsa politikanët janë vetëm shërbëtor të tyre. Derisa kjo nuk ndryshon, nuk kemi nevojë vetëm për ndryshime kozmetike, por substanciale. Por, duke parë se në çfarë “derexhe” e ka sjellë vendin kjo qeveri aktuale, nuk besoj se dikush tjetër do të mund të bënte kaq zullum të madh. Andaj, opozita të vazhdojë rrugën e saj për të siguruar votat që të largojë këtë qeveri , e cila ia ka zënë frymë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat