Shefqet Kabashi i reagon ashpër Alush Agushit

Politika

Shefqet Kabashi i reagon ashpër Alush Agushit

Nga: N.Sh Më: 2 qershor 2019 Në ora: 19:30
Shefqet Kabashi

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Kabashi ka reaguar ndaj deklaratave të Alush Agushit, i cili sot e ka mohuar se ka dhënë urdhër për t’i vrarë dy shqiptarë gjatë luftës.

Alush Agushi, i njohur si Mala ka thënë se akuzat po vijnë nga një psikopat që ka dezertuar në luftë.

Sipas tij, Kabashi ka bërë edhe më herët akuza të tillë ndaj udhëheqësve të UÇK-së e më vonë është tërhequr, duke pretenduar se Kabashi është i paguar për të bërë akuza të tilla.

E pas këtyre deklaratave, Shefqet Kabashi për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk merret me komunista të Stalinit.

Ai shton se, do të merret me njerëz demokrat për një shtet demokrat dhe për popullin shqiptar të bashkuar drejt Evropës.

“Ai e ka përdorë gjuhen që i përshtatet me karakterin e tij edhe atë pasi ka pas kohë të mendohet... Unë nuk merrem me komunista të Stalinit, unë do të merrem me Rininë Shqiptare, merrem me ShBA-në, merrem me frymën demokratike evropiane dhe njerëz demokrat për një shtet demokrat... për një popull Shqiptar të bashkuar si një trup drejt Evropës.”, ka thënë Kabashi.

"Ata njerëz fatkeqësisht i takojnë shoqërisë tonë, por vendi tyre është prapa grilave deri sa të përmirësohen...", potencon Kabashi.

Njëri prej udhëheqësve të luftës në Dukagjin, Alush Agushi, ka thënë se s’ka gisht në asnjë urdhër për vrasjen e shqiptarëve qysh u akuzua publikisht nga Shefqet Kabashi, ish-ushtar i UÇK-së i cili kishte lënë luftën dhe ishte arrestuar nga ushtria serbe.

E Kabashi, ka thënë se Alush Agushi i kishte dhënë dy urdhra për vrasje gjatë luftës.

Sipas tij, ishte autorizuar të kryente vrasjen ndaj gazetarit të "Bota sot" Rrok Berishës dhe Sadik Gashit, të dy njerëz të LDK-së dhe të afërt të Ibrahim Rugovës.

Për këto akuza Alush Agushi ka thënë se po vijnë prej një psikopati që ka akuzuar edhe më herë disa prej udhëheqësve të UÇK-së e më pas është tërhequr.

“E kam dëgjuar: ai është një psikopat. Një drogirash. Nuk e di kush ka mujt ta marrë në pyetje atë psikopat. Ato janë rrena. Krejt cka ka fol ai është rren. Pyetni ata direkt se kush ka dhënë urdhër. Nuk është e vërtetë”, ka thënë Agushi sot për media.

Shefqet Kabashi u rikthye në skenë kur u shënua përvjetori i masakrës së Dubvravës ku ishin masakruar qindra shqiptarë të zënë robër. Aty, Kabashi lëshoi akuza në drejtim të zyrtarëve shtetërorë se janë bërë tradhtarë.

Shefqet Kabashi e kishte lënë UÇK-në dhe luftën pasi fillimisht ishte pjesë e saj. Ai ka thënë se është larguar nga lufta dhe ka rënë në duart e ushtrisë serbe pasi kishte refuzuar t’i kryente dy urdhra për vrasjen e shqiptarëve. Ka thënë se këto urdhra i kishte dhënë Alush Agushi.

“Ky ishte ushtar dy tre muaj. Ka ikur. E kanë zënë, kishe në burg. E ka akuzu edhe Ramushin përpara… Tash pas 20 vitesh ka nisur kësi mutsihanesa”, ka thënë Agushi i njohur në luftë si Mala.

Ai ka thënë se dy personat për të cilët akuzohet nga Kabashi janë gjallë. Ka thënë se të dytë i njeh, i ka shokë dhe ka pasur komunikim para luftës, pas luftës dhe tash me ta.

“Për të dytë që më akuzuar mua, të dytë, janë gjallë. Rroku ka qenë te unë në restuaruant. Me Sadik Gashin jemi shok të paraluftës”, ka thënë Agushi.

Në Rajonin e Dukagjinit kishte pasur përplasje ndërmjet dy krahëve të UÇK-së, atij të Shtabit të Përgjithshëm dhe krahut të FARK’ut të Ibrahim Rugovës.

Kishte pasur edhe mosmarrëveshje se kush duhet të ishte Shef kryesor i UÇK’së në këtë rajon. Njëherë ishte përmendur se shef atje duhet të jetë Tahir Zemaj i krahut të FARK’ut kurse më vonë ishte bërë Ramush Haradinajt. Pasluftës ishte vrarë Zemaj në rrethana ende të pasqaruara.

Sidoqoftë, Alush Agushi dyshon se Shefqet Kabashi u është rikthyer akuzave i paguar nga dikush. Por, thotë se nuk di se kush është financuesi i tij.

“Ky ka marrë para prej ndokujt. Nuk i di flliqtihanet e tij. I ka bërë edhe më herët akuza të tilla. E ka pa edhe vetë se s’ka asgjë. Është mirë me pyet atë se kush e ka shti. Asnjëherë s’më është përmendur emri për gjëra të tilla”, ka thënë ai.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar për “Bota sot” se ka nisur hetimet për deklarimet e Kabashit.

Por, Alush Agushi thotë se askush s’e ka pyetur për asgjë.

“Jo nuk jam intervistuar nga askush. Me siguri e kanë parë se akuzat po vijnë nga një psikopat”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat