“Ekrani proserb i Baton Haxhiut, në dispozicion të veglave të Thaçit në LDK”

Politika

“Ekrani proserb i Baton Haxhiut, në dispozicion të veglave të Thaçit në LDK”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 qershor 2019 Në ora: 07:57
Hashim Thaçi, Baton Haxhiu, Lutfi Haziri dhe Ismet Beqiri

Edhe pse ai ishte kundër presidentit historik, Ibrahim Rugova, sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkoi në emisionin e tij.

Bëhet fjalë për Ismet Beqirin, i cili së fundmi ishte mysafir në emisionin e Baton Haxhiut.

Këtë të fundit e ka bojkotuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për shkak se ishte bashkëpunëtor i Jovica Stanishiqit serb.

Beqiri në emisionin ‘Zona B’ foli për shumë çështje, derisa përmendi edhe  kryetarin e Gjilanit, njëherësh nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, si kandidat për kryetar të kësaj partie, por që ai tha se kryesia, pesë kryesorët e LDK-së në fund do të diskutojnë dhe do të vendosin se kush do të kandidojë apo si do të shkojë procesi.

E fitoren e Hazirit si kryetar të LDK-së, së fundmi e ka parashikuar deputeti Milaim Zeka, i njohur po ashtu për qëndrimet e tij kundër kësaj partie.

Ai ka thënë se janë tre grupe brenda LDK-së.

“E ki Vjosa Osmanin që e përfaqëson rrymën e Fatmir Sejdiut, e ki grupin e Bujar Bukoshit që përfaqësohen nga Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj, dhe grupin e Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut”, ka thënë Zeka.

Sipas Zekës, nëse nuk fiton grupi i Veliut dhe Hazirit, LDK-ja do të shkatërrohet.

Mirëpo, Lutfi Haziri njihet për përkrahjen e idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve, ide që është kundërshtuar nga vendet mike të Kosovës, opozita e shoqëria civile.

Nënkryetari i LDK-së, po ashtu kishte qenë pro faktit që presidenti Thaçi të udhëheq dialogun me Serbinë.

“LDK-ja nuk lejon precedent që institucioneve të shtetit dhe bartësve të shtetit t’u bëjë përfaqësim në hije. Nëse është president, është president dhe i ka detyrat e tij kushtetuese. Ka zëra në Kosovë që thonë se procesi është i mirë, ne mund të shkojmë, por ky president nuk mund të shkojë. Çka nëse nesër e kemi një president tjetër, të LDK-së dhe ai e përfaqëson Kosovën në OKB e del opozita të thotë se nuk bën. Nuk bën të luhet me institucione. Nuk bën të lejojmë të bëhemi precedentë në zëvendësime e delegime. Vetëm nëse Kuvendi e ndërton dhe e lejon një strukturë dialoguese”, kishte deklaruar Lutfi Haziri.

E president, Thaçi u zgjodh me votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, veprim ky i cili i kushtoi shumë kësaj partie.

Bytyçi: Luta është dalluar si përkrahës i pakusht i presidentit Hashim Thaçi

Lidhur me shkuarjen e Beqirit në emisionin e Haxhiut dhe mundësinë që Haziri, i cili ka përkrahur Thaçin në disa çështje, të zgjidhet kryetar i LDK-së, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se derisa është nënkryetar i LDK-së dhe ka karrierë, kandidimi i Hazirit duket normal, por që ai njihet si përkrahës i pakusht i Thaçit, sidomos për shkëmbimin e territoreve, që ka qenë më i zellshmi për këtë çështje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillon zgjedhjet partiake në degët e saj në Kosovë dhe përgatitet për Kuvendin e radhës të vjeshtës, ku do të zgjidhet edhe kryetari i ri. Mesa duket Isa Mustafa nuk do të kandidojë më, ndaj dhe në këtë garë për numrin një të Lidhjes Demokratike kanë hyrë ose do të hyjnë disa figura politike të kësaj partie. Lutfi Haziri është njëri prej tyre. Ai është nënkryetar i LDK-së dhe nga një vështrim i karrierës së tij nga jashtë duket normale kandidimi tij. Por, Luta është dalluar si përkrahës i pakusht i presidentit Hashim Thaçi, madje dhe në çështjen e përfolur e të kontestueshme prej shumicës së politikës e popullsisë shqiptare në Kosovë, atë të shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Janë shumë pak ata politikanë që kanë përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë dhe ndër këta më i zellshmi ka qenë Luta”, është shprehur profesori.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Sipas tij, çdo kandidat, përfshirë dhe Lutfi Haziri dhe ata që lobojnë për kandidatë të dëshiruar nga Thaçi, do ta kenë në dispozicion ekranin e Baton Haxhiut,

“Për këtë arsye mendoj se çdo kandidat, përfshirë dhe Lutfi Hazirin, i cili ka mbështetjen e Hashim Thaçit do ta ketë sa herë të dojë në dispozicionin ekranin proserb të Baton Haxhiut. Dhe jo vetëm këta, por edhe ata që lobojnë për kandidatët e dëshiruar ose të emëruar pre presidentit Thaçi, si p.sh ky Ismet Beqiri”, ka vlerësuar Bytyçi.

“Partia e Rugovës ka humbur shumë nga identiteti i saj fillestar”

Ai thotë se Thaçi ka interes që LDK-në ta shndërrojë nga parti të ideve e idealeve të Ibrahim Rugovës, në parti të perversitetit, atë çka përfaqëson vetë ai dhe nëse kjo ndodhë, sipas profesorit, LDK nuk do të jetë më e Kosovës, por do të identifikohet me Thaçin, më shumë se PDK-ja, që e ka formuar vetë ai.

“Interesi themelor politik i Hashim Thaçit është që LDK-ja të shndërrohet plotësisht nga një parti politike e ideve, vizioneve dhe idealeve të Ibrahim Rugovës, në një parti e perversitetit, çfarë përfaqëson Hashim Thaçi. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk do të ketë me Lidhje Demokratike të Kosovës. Edhe kështu si është partia e Rugovës ka humbur shumë nga identiteti i saj fillestar. Por, me komandimin në krye të saj të benjaminëve direkt të Thaçit ajo do të identifikohet me presidentin e sotëm më shumë sesa vetë Partia Demokratike e Kosovës, të cilën e ka themeluar Hashimi”, ka vazhduar më tej Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ka liderë të LDK-së, që rrinë afër Thaçit më shumë se Kadri Veseli e që promovohen me pasion nga Baton Stanishiqi.

“Në perceptimin tim ka disa liderë të LDK-së, të cilët qëndrojnë më afër Thaçit sesa qëndron pranë tij Kadri Veseli. Kjo kategori politikanësh brenda Lidhjes Demokratike promovohet dhe do të promovohet me pasion nga Baton Stanishiqi. Se ata kanë të njëjtin begraund si Batoni, këtë nuk mund ta them. Por që mendojnë si Batoni dhe Hashim Batonoviçi, kjo është e sigurt”, ka theksuar Bytyçi.

Profesori thotë se LDK në krye të saj duhet ta ketë një person me integritet të plotë, një personalitet me eksperiencë politike të mjaftueshme, me histori dhe begraund patriotik të spikatur, me cilësi si ato të Rugovës, pasi nëse zgjedh njerëz që promovon Batoni, do të ishte vetëvrasje e saj politike, e kështu do të bëhej një fuzion politik me PDK-në.

“Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të ketë në krye të saj një person me integritet të plotë, një personalitet me eksperiencë politike të mjaftueshme, me histori dhe begraund patriotik të spikatur, me cilësi si ato të Rugovës, ku të spikatin urtësia, maturia, mençuria dhe aftësia për të përballuar sfidat politike të ardhshme. Së paku për një periudhë kohe duhet të jetë kësisoj, dhe gjatë kësaj periudhe të përgatitet me dijeninë e anëtarësisë së LDK-së një djalë ose një vajzë e re, që të garantojë jo vetëm të sotme, por edhe të ardhmen e LDK-së. Nëse Lidhja Demokratike do të zgjedhë në krye të saj njerëzit që promovon Batoni, atëherë kjo është vetëvrasje e saj politike. Ajo do të shuhet dhe të krijojë një fuzion politik me PDK-në, nëse do ta pranonte këtë Kadri Veseli”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.

Shahu: Nëse lejohen intriga të tilla, atëherë LDK bëhet seksion i PDK

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, publicisti dhe ish gazetari Rexhep Shahu vlerëson se një LDK që ia bën agjendën Batoni me duart e të tjerëve në LDK, ajo bëhet shtojcë e PDK-së.

“Një LDK që ia bën agjendën Batoni me duart e zgjatura të të tjerëve në LDK, ajo zbehet në sytë e shqiptarëve dhe shndërrohet si shtojcë apo zgjatim a filial i PDK dhe të majtës në Kosovë”, është shprehur ai.

Shahu beson se shtylla kryesore e LDK-së do të ndëshkojë çdo tentativë të Batonave për ta shpërbërë LDK-në.

“Unë besoj se shtami apo shtylla kurrizore e LDK, shtami moral i saj do ta ndëshkojnë me shpërfillje çdo tentativë të Batonave për ta shpërbërë LDK-në. Nëse lejohen intriga të tilla, atëherë LDK bëhet seksion i PDK”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Krasniqi: Padyshim që kryetari i LDK-së zgjidhet me aminin e PDK-së

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi vlerëson se Ismet Beqiri i takon gardës së vjetër të LDK-së, që janë fajtor për shkatërrimin e kësaj partie dhe kështu që promovon një kandidat për kryetar, të po asaj garde dhe nuk e kanë problem të shkojnë në emisione të Baton Haxhiut, pasi kjo gardë ka qenë çdoherë kundër presidentit Rugova.

“Ismet Beqiri i takon gardës së vjetër të LDK-së, që janë fajtorë për shkatërrimin e kësaj partie. Meqë i takon gardës së vjetër, patjetër që promovon kandidatin për kryetar partie nga rrethi i ngushtë i tyre. Këta nuk e kanë problem që shkojnë në emisione të Baton Haxhiut, sepse kjo gardë e vjetër kanë qenë gjithmonë kundër Presidentit Rugova”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, kryetari i LDK-së do të zgjidhet me miratimin e PDK-së dhe më pas do t’i marrin votat për rrëzimin e Qeverisë, që më pas të bëjnë sërish koalicion.

“Padyshim që kryetari i LDK-së zgjidhet me aminin e PDK-së, dhe këta këlysh të SHIK-ut brenda LDK-së, me në krye Isa Mustafën, do t'i marrin votat e PDK-së për rrëzimin e Qeverisë, në mënyrë që pas zgjedhjeve prapë të bëjnë koalicion. Kjo është loja e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Ndryshe, të pyetur rreth kësaj çështjeje, përfaqësues të LDK-së si Adem Salihaj dhe deputeti Armend Zemaj, nuk kanë pranuar të flasin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat